"Konsiderohet hero": Reuters me artikull për Thaçin pak ditë para nisjes së gjykimit në Hagë
Më 3 prill, pra të hënën, në Hagë do të fillojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin, ish-kryeministër e ish-president i Kosovës, i cili po akuzohet për krimeve lufte. Në lidhje me këtë gjykim, ka shkruar edhe gazeta e njohur britanike “Rueters”, e cila i ka kushtuar një artikull relativisht të gjatë nisjes së procesit gjyqësor ndaj Thaçit.
“Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i konsideruar hero nga bashkatdhetarët për udhëheqjen e kryengritjes së viteve 1998-99 kundër sundimit serb që çoi në pavarësi, do të dalë në gjyq të hënën për krime të dyshuara lufte gjatë konfliktit.” – e nis shkrimin Reuters, transmeton Nacionale.
Në shkrimin e saj, Reuters tregon për ngritjen e aktakuzës ndaj Thaçit dhe të tjerëve në nëntor të 2020, kohë kur Thaçi ishte president i Koosvës, nga i cili funksion kishte dhënë dorëheqje. Siç shkruan Reuters, aktakuza lidhet me krime të luftës dhe krime kundër njerëzit, përfshirë persekutimin, vrasjen, torturën e zhdukjen me dhunë të njerëzve gjatë luftës.
Tutje, Reuters shkruan për rrugëtimin e Thaçit nga një luftëtar në kryeministër kur Kosova u deklarua e pavarur dhe nga viti 2016 si president.
“Përpara gjykimit, në të gjithë vendin e vogël ballkanik mund të shiheshin tabela që shfaqnin fotot e Thaçit dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli me mbishkrimin "Heronjtë e Luftës dhe Paqes”.” – shkruan Reuters, teksa shkruan edhe për protestën e 2 prillit që pritet të mbahet në Prishtinë.
Sipas gazetës, shumë shqiptarë të Kosovës besojnë që Gjykata Speciale është e njënashme kundër UÇK-së dhe e interesuar të denigrojë historinë e saj. George Kehoe, një avokat amerikan në ekipin mbrojtës të Thaçit, deklaroi për Reuters se prokurorëve do t’u jepen dy vjet kohë për të përfunduar paraqitjen e provave.
“Ky njeri sakrifikoi gjatë gjithë këtyre viteve dhe shpresojmë se ne do të jemi në gjendje ta nxjerrim atë në sallën e gjyqit dhe të tregojmë se ai ishte një njeri i ndershëm, i sinqertë dhe të sjellim lirimin e tij." – deklaroi avokati i Thaçit për Reuters, transmeton Nacionale.
Kujtojmë që më 3 prill në Hagë do të fillojë procesi i gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Çka do të ndodh me 2 prill?
Siç shkroi Nacionale, më 2 prill, pra të dielën, nga ora 14:00 në Prishtinë do të mbahet një marshim për drejtësisë, që është një nismë solidarizuese me ish-krerët e UÇK-së në Hagë, të cilët po akuzohen për krime lufte nga ana e Gjykatës Speciale. E organizuar nga “Liria ka emër”, marshimi ka marrë jehonë, duke u përkrahur nga PDK-ja, PSD-ja e disa figura të rëndësishme nacionale. Por jo edhe nga kryeministri Albin Kurti, i cili dje në intervistë deklaroi se nuk ka dëgjuar për këtë gjë më parë
Ajo që dihet mesiguri është se organizata “Liria ka emër” e di se për çka do të protestojë. Pra për të dërguar një mesazh se historia nuk mund te rishkruhet.
“Me 2 Prill nga ora 14:00 takohemi tek sheshi "Zahir Pajaziti" për të marshuar drejt sheshit "Skenderbe" së bashku për t'u solidarizuar me ata qe dikur marshuan e luftuan për lirinë tonë - ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në Hagë.” – thuhet në “eventin” e krijuar në Facebook për këtë nismë.
Siç ka shkruar gazeta Nacionale, kjo iniciativë po përkrahet nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila nëpërmjet kryetarit të saj, Memli Krasniqi, i ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në këtë marshim. Përveç PDK-së, këtë nismë e kanë përkrahur edhe PSD-ja, ish-kryeminsitri Isa Mustafa e deputeti Behgjet Pacolli.


