Konjufca “vërejtje” Lajçakut: Pikënisja është Kushtetuta jo draft-Statuti serb, përndryshe s’kemi çka të dialogojmë
Të dielën në ora 23:59, ndërmjetësi sllovak i Bashkimit Evropian i ngarkuar me lehtësimin e Dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, publikoi një përmbledhje të javës së tij të punës ku nënvizoi edhe ngjarjen kryesore – Takimin e Nivelit të Lartë në Bruksel ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 2 maj. Për palët ai dha një konstatim optimist: bënë hapin e rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Fascilituesi i BE’së foli edhe për draft-Statutin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues përgjegjës për hartimin e saj. Lajçak tha se ky draft “nuk ishte përfundimtar” por “pikënisje e rëndësishme” në bisedimet e tashme për Statutin i cili do të bartet në nivel kryenegociatorësh këtë muaj.
“Palët gjithashtu bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Megjithëse drafti i parë i paraqitur nga ekipi drejtues nuk është përfundimtar, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e Kryenegociatorëve”, shkroi ai.
Me të përfunduar takimi i Nivelit të Lartë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte njoftuar se ky Ekip Menaxhues është “dekomisionuar”, përkatësisht shpërbërë sepse kishte konsumuar “misionin dhe funksionin” e saj; ndërkaq sa i përket draft-Statutit ishte shprehur se “në themel ishte anti-kushtetues” dhe se pasqyronte “një dëshirë të zjarrtë për Republikë Serbe në Kosovë”.
Ndaj deklarimit të Lajçak, Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe i dyti për nga autoriteti në Lëvizjen Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nuk ka qëndruar indiferent. “Pikënisje”, tha Konjufca, “është Kushtetuta e Kosovës” e jo një draft-Statut i hartuar sipas kërkesës së palës serbe, përkatësisht Presidentit të Serbisë. Në dritë të kësaj, Konjufca bëri edhe deklaratë të fortë se, në rastin e kundër, përkatësisht në një pikënisje që s’e ka Kushtetutën e Kosovës, atëherë “nuk kemi çfar të kërkojmë në atë dialog”.
“Nëse BE-ja nuk mendon se zgjidhja duhet kërkuar brenda Kushtetutës së Kosovës, mendoj se Kosova nuk ka çfarë kërkon në atë dialog më”, tha Konjufca pas konferencës për media me homologun e tij nga Austria.
“Statuti që ata e prezantuan ishte sipas urdhrit të Serbisë dhe presidentit Vuçiq. Ishte statut me një përpjekje për me kriju Republikë Serbe brenda Kosovës, dhe kjo është anti-kushtetuese. Unë mendoj që kurrfarë pozicioni anti-kushtetues nuk mundet me qenë bazë për negociata. Pikënisja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës”, u shpreh ai. Kujtojmë se Lajçak kishte pasur edhe deklarta të llojit "kushtetuta nuk është bibël, ajo mund të ndërrohet" kohë më parë."
“Kurrfarë pozicioni antikushtetues nuk mundet me qenë bazë për negociata. Unë këtë mendim e kam. S’ka logjik që me u nis prej një pozicioni që nuk është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me mbërri tek Kushtetuta e Kosovës. Ashtu nuk mundesh me mbërri kurrë te Kushtetuta e Kosovës. Pikënisja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës. Bile, bile mendoj se nëse faktorët e rëndësishëm ndërkombëtar, Bashkimi Evropian nuk mendon se zgjidhja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës, Kosova nuk ka çka të kërkojë në dialog më. Kurrfarë interesi nuk e ka Kosova në atë dialog".
"Çka kemi ne në interes me shkatërru kushtetutshmërinë tonë, ajo shkon vetëm në dëm të interesave tona nëse është ashtu. Kosova është në dialog sepse beson në dy principe shumë. Principin e parë që dialogu është për njohje të ndërsjellët dhe tjetra se çfarëdo rregullimi dhe vetëmenaxhimi për të drejtat e serbëve është në kuadër të Kushtetutës së Kosovës. Pasi nëse është e kundërta, nëse ky proces e ka çmimin e shkatërrimin e shtetit të Kosovës, minimit të themeleve të shtetit tonë, atëherë është mirë me thënë mirupafshim. S’ka interes këtu”, ka thënë Konjufca.
Përndryshe Konjufca beson që Asociacioni është i bëshëm brenda tri garancave ndërkombëtare: Testi i kushtetuetshmërisë për çfarëdo Asociacioni të Komunave të banuara me shumicë serbe, garancioni i ish-Përfaqësueses së Lartë të BE'së, Federica Mogherini, se ky Asociacion nuk do të përbëjë nivel të tretë ose të ndërmjetmë të pushtetit, si dhe qëndrimin amerikan se "çfarë do të jetë e çfarë nuk do jetë" Asociacioni i artikuluar në një Op/Ed nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar.
Ish-Kryesuesja e Ekipit Menaxhues (tashmë të shpërbërë) përgjegjëse për hartimin e këtij Draft-Statuti, Danijela Vujiçiq, tregoi pjesët kryesore të cilat Kurti i kundërshtoi kategorikisht. Në një intervistë për median e Beogradit “Novosti”, ajo tha se Kurti kundërshtoi Nenin 2 ku flitet “për territorin e Asociacionit dhe simbolet”; Nenin 17 që “parasheh” që Asociacioni të menaxhojë prona dhe asete publike, infrastrukturë dhe burime natyrore.
“Ata e vënë në diskutim pjesën e të drejtës së Asociacionit të Komunave Serbe për të marrë para nga buxheti i Serbisë, si dhe Nenin 54 e cila i referohet faktit se Asociacionit i përkasin të mirat në përdorim të përgjitshshëm – rrugët, urat, tunelet, hekurudhat, parqet”, ka thënë Danijela Vujiçiq.
Bashkimi Evropian e ka kundërshtuar menjëherë shpërbërjen e Ekipit Menaxhues, dhe konstatoi se Kosova "ka shkelur germën dhe frymën e marrëveshjes" të dialogut të Brukselit me një vendim të tillë. BE thotë se Ekipi Menaxhues duhet të jetë "në vend" deri në miratimin e një statuti final për themelimin e Asociacionit të Komunave të banura me shumicë serbe.
Konjufca kaherë është shpreur madje se “vendi duhet të shkojë në zgjedhje” po qe se kërkohet një zgjidhje për Asociacionin që tejkalon parametret kushtetues ose aktvendimin e dhjetorit të 2015 nga Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Statutin e hartuar asokohe, i cili binte ndesh me mbi 20 nene të Kushtetutës.
Ditë më parë, ai doli kundër edhe kushtëzimeve rreth Asociacionit. “Pa u kthyer serbët në institucione nuk mund të vazhdojë procesi në kuptimin e dialogimit, negociatave dhe kushtëzimeve që po i bëjnë tash për Asociacionin. Qëndrimi i QUINT-it ka qenë shumë i qartë, pranim i institucioneve të Kosovës, kthim në institucionet e Kosovës, pranim i kornizës kushtetuese në të cilën funksionon Kosova dhe pastaj kalojmë në hapa të tjerë”, tha ai ditë më parë.
Gjithashtu, prognoza e Konjufcës ka qenë se “njëherë njohja faktike” e vetëm mëpastaj Asociacioni. “Binari i parë është njohja defacto nga ana e Serbisë, kurse binari i dytë është Asociacioni”, besonte ai. Dhe këtu dilte në ofansivë. “Kosova duhet të tregojë se nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet ta bëjë asnjë hap, pa u realizuar binari i parë e që është njohja de facto [nga Serbia]”, thoshte Konjufca./Nacionale/

