Konjufca pretencioz për veriun “e hequr nga negociatat”, Mehmetaj: Rrenë epokale, jep veriun e merr vota
Nuk kanë kaluar shumë muaj që parapëlqente që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme me arsyetim të thjeshtë dhe thënë haptas: që Vetëvendosjes të mos i dëmtohet legjimititeti nga çështjet e dialogut – do të thotë, Asociacioni – dhe vetëm pas ri-mandatimit të merreshin me çështjen veriut të autonomizuar në tekstin e Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel e Ohër.
“Do të ishte më e shëndetshme që legjitimiteti i pushtetit të ri të përballet me ato sfida, e jo ato sfida të orientojnë karakterin e legjitimiteti... për shkak të vitit 2024 dhe zhvillimeve që i përmenda, do të dëshiroja...që Kosova të mos kalonte nëpër këto procese, e që këto procese të ndikojnë në legjitimitetin e pushtetit të ardhshëm në Kosovë”, shprehej Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në “Rubikon” të Klan Kosovës.
Hiç më larg se dje, Konjufca bëri një pretendim grandioz – krejt në kundërthënie me frikën e tij të mësipërme për çështjen e veriut siç ishte pranuar në Marrëveshje të Ohrit dhe që duhej të niste të zbatohej – se me pushtetin e Vetëvendosja veriu i Kosovës është hequr nga negociatat në Bruksel.
“Unë jam i sigurt që po të kishte qenë opsioni i vjetër politik në Kosovë, do të kishim përfunduar në negociata... veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata”, tha ai.
Partia Vetëvendosje tashmë veçse – në stil fushate – ka nisur të triumfalizojë veten me çështje të veriut të Kosovës; duke e paraqitur atë pjesë të përvetësuar shtetërisht si rrjedhojë e politikave të tyre nën ungjillin e sovranitetit-me-çdo-kusht anipse nën policim të rreptë dhe me përfaqësim pa legjimitet lokal. Sovraniteti pretendohet të jetë rrumbullakësuar përfundimisht.
Gazetari Lirim Mehmetaj, në dritën e këtij arsyetimi kllisheian të pushtetit, shtron disa pyetje themelore.
“Nëse qeveria aktuale do ta normalizonte dhe ‘sovranizonte’ atë pjesë, atëherë kërkesa për Asociacion do të binte, meqë është gjetur model tjetër i funksionimit. Në këtë rast, si është e mundur që atje qenka normalizuar situata, ama kërkesa për themelimin e Asociacionit është rritur?”.
“Si është e mundur atëherë që Qeveria e Kosovës – sipas vetë këshilltarëve të Albin Kurtit, personave si Veton Surroi e Marc Ëeller – ka bërë kompromis të madh dhe ka dhënë autonomi territoriale për serbët në Veri? Përse i dhanë kaq shumë Serbisë nëse gjithçka qenka në rregull dhe gjithçka qenka normalizuar? Ku është kuptimi këtu?”, thotë Mehmetaj një përgjigje për Nacionale.
Për Mehmetajn krejt ky tregim është një “rrenë epokale” që, siç thotë ai, “fatkeqësisht një pjesë e njerëzve në Kosovë (për befasinë time) ende e gëlltisin”.
Për gazetarin Mehmetaj realiteti i veriut të Kosovës përkhehet në ujdinë që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pagëzuar vetë: dhe që në esencë të saj e ka Nenin 7 si autonomi politike territoriale.
“Albin Kurti e ka dhënë atë autonomi territoriale, shtet brenda shtetit, përmes një marrëveshje në Bruksel e Ohër, të cilën ai vetë e quan sukses të madh. Të gjitha lëvizjet në terren tash janë të parëndësishme faktikisht, sepse çfarë ndodhë atje e përcakton dokumenti i nënshkruar nga ta e jo ecejaket e Xhelal Sveçlës nëpër shesh atje”.
“Normalisht, lëvizjet e kota në terren janë hapësira manovruese e qeverisë për të afektuar rezultatin zgjedhor në zgjedhjet që po vijnë. Veriun e kanë dhënë, si këmbim duan të marrin vota”, përfundoi Mehmetaj në një përgjigje për Nacionale.