OKB-ja raporton për 144 të vdekur ose të zhdukur afër brigjeve të Mauritanisë
Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara tha të martën se 144 njerëz janë raportuar të vdekur ose të zhdukur afër brigjeve të Mauritanisë në përpjekje për të arritur në Evropë.
Kjo shifër vjen pas tri operacioneve të shpëtimit në Mauritani mes datave 14 e 18 korrik, tha agjencia e OKB-së, duke bërë thirrje për më shumë qasje në shkollim dhe mundësi pune për të krijuar alternativa ndaj ikjes përmes detit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Gjithsej 143 njerëz vdiqën në një anije të vetme që ishte nisur nga Gambia dhe që ishte shpëtuar më 18 korrik pas 25 ditëve ngujim në det.
Anija po bartte trupa dhe 38 të mbijetuar, sipas UNHCR-së, e cila ishte në vendin ku u ankorua anija në Mauritani për të ofruar mbështetje.
“Në mesin e të mbijetuarve nga e tërë ajo anije ishin dy fëmijë që i kanë humbur të gjithë anëtarët e familjes gjatë lundrimit dhe po shërohen në spital” – tha zëdhënësi Matt Saltmarsh në një konferencë të OKB-së në Gjenevë.
Ai tha se viktimat vinin nga shtete të Afrikës Subsahariane, pa dhënë hollësi.