Kompromisi i Qeverisë për Ligji për të Huajt, Kallas: Moment i ri për dialogun, jam gati të organizoj takim të nivelit të lartë
Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e ka përshëndetur kompromisin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për Ligji për të Huajt.
Ajo ka bërë me dije se ky është hap shënon moment të ri në dialogun Kosovë-Serbi.
Në platformën X, kryediplomatja e BE-së ka bërë me dije se është e gatshme të organizojë takim të nivelit të lartë së shpejti.
“Marrëveshja e sotme për regjistrimin civil dhe Ligjin për të Huajt shënon një hap të rëndësishëm përpara për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë. Është thelbësore të sigurohet vazhdimësia në ofrimin e shërbimeve publike. Faleminderit të gjithëve që u angazhuan në mënyrë konstruktive për ta bërë këtë të mundur. Duke ecur përpara, zbatimi i marrëveshjeve të kaluara mbetet jetik. Ky progres krijon një momentum të ri për Dialogun Beograd-Prishtinë, dhe unë jam gati të organizoj një takim të nivelit të lartë së shpejti”, ka shkruar Kallas.
Ujdinë e re të Kosovës, e cila është arritur sot gjatë takimit të kryeministrit Albin Kurti me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, e kanë përshëndetur edhe ambasadorët e vendeve kryesore të BE-së.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, në platformën X ka shkruar se vullneti i mirë i të gjitha palëve ka bërë të mundur gjetjen e zgjidhjeve konkrete.
Sipas tij, është thelbësore që veprimet e ndërmarra të mos kenë një ndikim negativ në kushtet e jetesës së komunitetit serb të Kosovës.
“E mirëpres njoftimin e përbashkët nga Sorensen, Orav dhe kryeministri Kurti. Vullneti i mirë i të gjitha palëve ka bërë të mundur gjetjen e zgjidhjeve konkrete. Është thelbësore që veprimet e ndërmarra të mos kenë një ndikim negativ në kushtet e jetesës së komunitetit serb të Kosovës. E përgëzoj rolin proaktiv dhe shumë pozitiv të Bashkimit Evropian”, ka shkruar Guerot.
Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, e ka mirëpritur këtë ujdi.
Në platformën X, ai ka shkruar për rëndësinë e marrëveshjes për mënyrën e zbatimit të këtyre ligjeve dhe sigurimin e dokumenteve për qytetarët serbë.
“Mirë që u arrit pajtimi për mënyrën e zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete në Kosovë. Sigurimi i lejeve të qëndrimit dhe punës për punëtorët dhe studentët, shmangia e ndërprerjes së shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, si dhe gjetja e zgjidhjeve praktike për lëshimin e dokumenteve për të gjithë qytetarët e Kosovës janë çështje të rëndësishme. Ndërtimi mbi këtë progres do të jetë kyç”, ka shkruar diplomati gjerman.
Kosova dhe BE-ja sot janë pajtuar që Ligji për të huajt, i cili fillon të implementohet nga nesër, do të zbatohet me disa masa përmbajtjesore shtesë.
Këto masa kanë të bëjnë me regjistrimin e banorëve serbë të Kosovës dhe personave me leje qëndrimi të përkohshëm.
Kjo ujdi është arritur sot në takimin që kryeministri Albin Kurti ka pasur me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.