Kompania e djalit të Tomë Gashit që reklamohej nga Albin Kurti u mbetet borxh punëtorëve e s’iu paguan as Trustin - NACIONALE

Kompania e djalit të Tomë Gashit që reklamohej nga Albin Kurti u mbetet borxh punëtorëve e s’iu paguan as Trustin

4 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Kompania që reklamohej nga Albin Kurti, me pronar të birin e Tomë Gashit që mban emrin Albin, duket se nuk ka pasur raporte të shëndosha pune me punëtorët sipas vetë punëtorëve.

OMELINK Sh.p.k kompani në pronësi të Albin Gashit, djalit të Tomë Gashit dhe ish kandidat për deputet nga partia e Albin Kurtit, iu ka mbetur borxh punëtarëve të tij. Gashi nuk ia ka paguar atyre rrogën por edhe paratë e kursimeve pensionale – Trustin.

Kompania që njihet si “Call Center” (qendër e thirrjeve), më pronar Albin Gashin, iu ka mbetur borxh punëtorëve të tij, të cilët janë ankuar në adresë të Nacionales.

Një punëtor i kësaj kompanie në kushtet anonimiteti ka treguar se djali i Tomës nuk ia ka paguar rrogën e muajit të fundit si dhe asnjë muaj nuk ia ka paguar detyrimet pensionale punëtorëve.

A.A. (emër i njohur për redaksinë) i ka thënë Nacionales se Gashi tash e sa kohë nuk ka paguar kontributet ndaj tyre, por edhe punën pa kontrata.

“OMELINK është e drejtuar prej Albin Gashit. Puna është që ai nuk naj ka qitë paret e Trustit dhe nuk na ka ba kontrata. Jo veç mua por edhe tjerëve nuk ja ka qitë Trustin, rrogat na ka vonuar dy muaj, nëse unë jam kanë duke punuar tash e që jemi në qershor, mua më ka dalë rrogat e majit, dy muaj brenda edhe për arsye se nëse dikush dëshiron me lanë punën, mos me ja pagu rrogën e fundit”, ka thënë ish-punëtori i Gashit.

“E ka mshel nuk ka zyre ma. Jo jo nuk ka ka ba kontrata hiç. Më shumë se 50 persona janë hy dhe janë dalë dhe nuk ju ka pagu Trustin,” ka thënë tutje ish punëtori.

A.A. ka bërë të ditur se përveç Trusit, Gashi i ka mbetur borxh edhe një rrogë.

“Borxh më ka mbet gati 250 euro, rrogën që nuk ma ka pagu dhe Trustin,” - ka thënë ai.

Po ashtu, sipas tij edhe punëtorë të tjërë kanë pasur ankësa për kushtet e punës në kompaninë “Omelink”.

Në anën tjetër, Gashi për Nacionalen ka mohuar se nuk ka paguar pagat për punëtorët e po ashtu edhe Trustin.

Ai tha që duhet të verifikojë nëse ndokush nuk është paguar.

Ndërkohë, emri i Albinit figuron si drejtor i OMELINK. Në faqen e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës [ARBK], del që biznesi i tij është regjistruar në vitin 2015.

Në atë kohë, Gashi kishte regjistruar se ka veç një punëtor teksa kapitali i kompanisë ishtë 1 mijë euro.

Kush është Albin Gashi?

Albin Gashi, djali i avokatit Tomë Gashi, u bashkua zyrtarisht me partinë Vetëvendosje në vitin 2019. Për anëtarësimin e tij, kishte shkruar edhe kryetari i VV-së, Albin Kurti.

Kurti kishte thënë se tani në VV janë dy Albina dhe pastaj kishte treguar biografinë e tij, njëjtë siç ka bërë me secilin që është prezantuar nga Kurti.

“Në qershor 2017 u dyfishuam si VETËVENDOSJE!, kurse në shtator 2019 u dyfishova si Albin. Albin Gashi na u bashkua në Lëvizje dhe është në listë të VETËVENDOSJE!-s si kandidat për deputet të Republikës. I lindur në vitin 1989 në Prishtinë, Albini vijoj mësimet e shkollës fillore dhe të mesme në vendlindje, u shqua si basketbollist i talentuar, me ç’rast, në vitin 2008, me bursë meritore vazhdoi vitin e fundit të shkollës së mesme në Dallas, Texas.”, kishte shkruar Kurti.

E për sukseset e kompanisë së Gashit, kishte shkruar edhe kryeministrit Kurti i cili thuret lavde ndaj kompanisë së tij të cilës tani ish-punëtorët po tregojnë që kushtet nuk kanë qenë ashtu siç janë të parapara me ligj.

“Shpresa e potencialit për zhvillimin e Kosovës e ktheu Albinin në Kosovë në vitin 2014, ku e themeloi kompaninë Omelink për Business Processing Outsourcing, në të cilën ndër vite punësoi mbi 300 persona. Njihem moti me Albinin. Do të punojmë gjatë bashkë. Do të korrim shumë fitore. E para në radhë është me 6 tetor,” kishte shkruar Kurti për kompaninë e Albin Gashit.

Ndërkohë ne bëjmë thirrje ndaj të gjithë lexuesve që kanë ankesa ndaj punëdhënësve të mos hezitojnë dhe të na shkruajnë.

Lajme të ngjashme