Shefja e shtetit: Pse qytetarët janë më të kënaqur me Osmanin se me Kurtin? - NACIONALE

Shefja e shtetit: Pse qytetarët janë më të kënaqur me Osmanin se me Kurtin?

9 muaj më parë

nga Mirlind Behluli

Dje u publikua Pulsi Publik i Programit të Kombëve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), e ku u kuptua se ka një rritje pozitive të kënaqshmërisë me punën e institucioneve kryesore të Kosovës, ndonëse s’ka rritje të kënaqshmërisë për drejtimin politik të vendit.

Por në këtë raport u kuptua edhe një fakt interesant. Qytetarët janë të kënaqur më shumë me punën e presidentes Vjosa Osmani sesa të kryeministrti Albin Kurti. Në fakt, anketa e opinionit të prillit të vitit 2023, tregoi se mesatarisht kënaqshmëria e qytetarëve me institucionet qendrore të Kosovës është rritur për 5,9 për qind.

Nëse shikohet më detajisht, vërehet një dallim në mes kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e Osmanit në krahasim me atë të Kurtit, por edhe të kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca. Në prill të 2023, 60,3 për qind e qytetarëve janë shprehur se janë të kënaqur me presidenten Osmani, ndërsa 51,5 për qind janë shprehur të kënaqur me punën e kryeministrit Kurti.

Mbi Kurtin, por nën Osmanin, me përqindje është kryetari i Kuvendit, Gluauk Konjufca. 58,3 për qind e qytetarëve janë shprehur të kënaqur me punën e kryetarit Konjufca. Por pse qytetarët janë më të kënaqur me punën e Osmanit se të Kurtit?

Supozimi i parë për këtë dallim në kënaqshmëri të qytetarëve ka të bëjë me funksionin që e ushtrojnë Osmani dhe Kurti. Pra Osmani është presidente dhe luan një rol më ceremonial, përderisa Kurti ka në duar qeverisjen e vendit.

Në këtë kontekst, Osmanit nuk i faturohen dështimet në qeverisje, përderisa Kurti kritikohet shpesh e ashpër për punën dhe mospunën në Qeveri. Kjo distancë nga qeverisja ditore, e bën Osmanin figurë më të pranueshme dhe më pak tabelë qitjeje, duke e mbajtur larg “mëkatëve” të qeverisjes.

Supozimi i dytë lidhet me politikën ditore. Osmani kushtimisht është e shkëputur nga politika ditore. Duke qenë presidente e Kosovës, ajo është minimalisht (siç edhe ia kërkon Kushtetuta) mbi partitë politike të Kosovës. Nga ky pikëvështrim, Osmani mund të përceptohet si e shkëputur nga gjuha toksike mes pushtetit dhe opozitës, pasi ajo është “uniteti i popullit” dhe nuk ushtron ndonjë pozitë partiak, pasi kishte dhënë dorëheqje nga Lista Guxo, e cila tash është shndërruar në parti.

Supozimi i tretë lidhet me qëndrimet e zonjës Osmani. Shefja e shtetit ka zgjedhur të luaj një rol më konstruktiv në raport me ndërkombëtarët. Përgjatë tensioneve në veri (përfshirë ato të targave në nëntor të vitit 2022), Osmani ka theksuar disa herë nevojën për koordinim me faktorin ndërkombëtar, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Supozimi i katërt lidhet me bazën e saj elektorale. Zonja Osmani, përveç simpatisë së votuesve të VV-së, potencialisht është me e popullarizuar edhe në kampin e Rugovistëve, pra të ithtarëve të ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Ndryshe në anketën e opinionit nga UNDP u vërejt edhe një rritje në përceptimin publik në lidhje me korrupsionin, duke shënuar rritje prej 1.4%, krahasuar me anketimin e nëntorit të vitit 2022, dhe prillit të 2022-s.

“Mesatarisht, 23.5% e anketuarve pohuan se e perceptojnë që korrupsioni në shkallë të gjerë është i pranishëm në institucionet publike dhe ndërkombëtare në Kosovë, krahasuar me 21.1% në nëntor 2022 dhe 22.1% në prill 2022. Teksa ky numër ishte në rënie të vazhdueshme që nga dhjetori 2020, kur mesatarisht 28% e të anketuarve pohuan se e perceptonin që korrupsioni në shkallë të gjerë është i pranishëm, në prill 2023 u shënua një rritje për 2.4 përqind krahasuar me nëntorin 2022.” – thuhet në raport.

Lajme të ngjashme