Rritet ndjeshëm perceptimi i qytetarëve për korrupsion në Qeveri dhe administratë qendrore
“Pulsi Publik” i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka publikuar raportin e anketës së opinionit në prill të vitit 2023 edhe në lidhje me korrupsionin.
Ndër të tjera në raport vërehet se perceptimi publik në lidhje me korrupsionin, ka shënuar rritje prej 1.4%, krahasuar me anketimin e nëntorit të vitit 2022, dhe prillit të 2022-s.
“Mesatarisht, 23.5% e anketuarve pohuan se e perceptojnë që korrupsioni në shkallë të gjerë është i pranishëm në institucionet publike dhe ndërkombëtare në Kosovë, krahasuar me 21.1% në nëntor 2022 dhe 22.1% në prill 2022. Teksa ky numër ishte në rënie të vazhdueshme që nga dhjetori 2020, kur mesatarisht 28% e të anketuarve pohuan se e perceptonin që korrupsioni në shkallë të gjerë është i pranishëm, në prill 2023 u shënua një rritje për 2.4 përqind krahasuar me nëntorin 2022.”
Por, ajo që lë përshtypje është se është rritur ndjeshëm perceptimi qytetar se Qeveria/Administrata Qendrore është e korruptuar.
Në nëntorin e vitit 2022 kishin besuar vetëm 20.10% në korrupsionin në Qeveri e Administratë Qendrore. Tash besojnë 25.3 për qind ose 5.2 për qind më shumë se më herët.
Kjo e dhënë bëhet edhe më shqetësuese nëse marrim parasysh që në prillin 2022 shifra kishte qenë vetëm 13.9 për qind.
Në anën tjetër, siç mund ta vëreni në tabelën e mëposhtme, percepsioni i korrupsionit në komuna (vetëm 4 prej të cilave udhëhiqen nga partia në pushtet) është ndjeshëm më i vogël se në Qeveri/Administratë qendrore: vetëm 15.8 për qind.
