Komandanti i FSK-së: Shpresat s'janë shuar, por gjasat janë të vogla për të shpëtuar të tjerë - NACIONALE

Komandanti i FSK-së: Shpresat s'janë shuar, por gjasat janë të vogla për të shpëtuar të tjerë

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Komandanti Egzon Syla, pjesë e skuadrës së kërkim-shpëtimit të FSK-së në Turqi, ka folur rreth gjendjes atje, duke dhënë detaje tashmë kur po kalon edhe dita e tetë që tërmetet shkatërruese goditën Turqinë e Sirinë.

Ai tha se gjasat për të shpëtuar njerëz të tjerë nën rrënoja nuk janë shuar, porse janë zvogëluar dukshëm.

“Për fat të keq shpresat janë gjithmonë edhe më të vogla, kanë kaluar më shumë se 7 ditë, kohëve të fundit ka pak raste ku po shpëtojnë persona të gjallë për shkak se pas kaq shumë ditëve mund të gjenden në ato vende ku kanë mbetur në ndonjë hapësirë më të gjerë, ku kanë mundur të lëvizin të gjejnë ujë apo ushqim, mund të kenë ndonjë mrekulli nëse ka ndonjë rast përndryshe shpresat janë gjithnjë e më të vogla”, ka thënë ai në RTV Dukagjini.

Veç kësaj, Sylaj shpalosi detaje edhe rreth shpëtimit të një vajze 2-vjeçare dhe nënës së saj.

“Në këto fatkeqësi, kanë qenë momente të mira kur ia kemi dalë. Kemi nxjerrë një vajzë 2 vjeçare dhe nënën e saj, ku nëna e ka pasur duke e ledhatuar fëmijën dhe duke e mbrojtur, ka qenë e vështirë të depërtohej, ishte ndoshta 7 a po 8 metra që është krijuar një kanal brenda ndërtesës në katin e parë ku ndërtesa ishte 7 kate. Në fillim kur kemi arritur pas 10 orëve kërkim që t’i shohim dhe t’i prekim nëna ka pasur kërkesë që ta nxjerrim fëmijën, fëmija ka filluar t’i shoh pjesëtarët tanë dhe ka filluar të qeshë, pas aq orëve në rrënoja”.

Lajme të ngjashme