KFOR-i s'rri përjetësisht: Kur mediat në Amerikë kërkonin presion ndaj Kurtit për veprimet ndaj komunitetit serb
Ishte 12 janari i këtij viti, kur kryeministri Kurti do të goditej edhe nga dy gazeta të afërta me Partinë Demokrate në Shtetet e Bashkuara në lidhje me trajtimin e komunitetit serb. Si tingëllon një gjë e tillë, tash, pasi Kosova pësoi ndëshkimin e parë nga partneri më i madh i saj?
Ambasadori amerikan në Prishtinë dje deklaroi se tashmë ishte marrë vendimi që Kosova të përjashtohej nga ushtrimi “Defender 23”, ndërsa u shpreh edhe se ishin duke u shqyrtuar sanksione tjera.
Ai situatën në veri e përshkroi me alegorinë e “një shtëpie që ishte në flakë”, e ku prioritet mbi prioritete do të duhej të ishte shuarja e flakëve.
Por, më 12 janar të këtij viti – kur kishte përfunduar çështja e targave ilegale dhe po diskutohej me intensitet për planin franko-gjerman – redaktorët e Bloomberg do të shkruanin një editorial të ashpër ku kërkohej nga Amerika që vendit tonë t’i bëhej presion edhe me KFOR nëse bënte veprime si ai i 26 majit (të premtes).

“Diplomatët perëndimorë duhet t’i bëjnë presion Kurtit që të pezullojë politikat që shihen si provokuese nga pakica serbe e Kosovës, për sa kohë që serbët të ndalojnë sulmet e policisë dhe zyrtarëve të tjerë të Qeverisë.” – thuhet në këtë editorial, që më vonë ishte shpërndarë edhe nga prestigjiozja tjetër Washington Post.
Edhe më e ashpër është një kërkesë që i bëhet ShBA-ve, e ku thuhet se “gatishmëria e NATO-s për të mbajtur forcat e saj në terren (në Kosovë) nuk është e pacaktuar.” Pra, kërkohej që ShBA-ja të na bënte presion me KFOR nëse ne bënim veprime si ai i 27 majit.
“Nga ana e saj, ShBA duhet t’u bëjë të qartë liderëve të Kosovës se gatishmëria e NATO-s për të mbajtur forcat e saj në terren nuk është e përjetshme. Mbështetja e vazhdueshme ushtarake perëndimore për Kosovën duhet të kushtëzohet nga shenjat e përparimit drejt një zgjidhjeje paqësore që u jep komuniteteve serbe një vetëqeverisje më të madhe,” – shkruhet tutje.
Pra, ishte çështja e njëjtë siç është tash.
A u dëgjuan këto këshilla nga prestigjiozja amerikane? Duket se po. Sekretari Blinken në mënyrë direkte sulmoi vendimin e Qeverisë për t’i futur me polici kryetarët shqiptarë në veri në zyret komunale duke thënë se “do të kishin pasoja për raportet” tona. Veprimet e Kosovës quheshin “masa të dhunshme”.
Kryeministri Kurti këto deklarata i quajti “të padrejta, të gabuara, të dhimbshme dhe shumë naive.”
Gjatë ditës së djeshme, KFOR-i shtoi kapacitetet e saj në Kosovë pas ngjarjeve të fundit.

