Këshilltarët e Macron dhe Scholz ‘zbarkojnë’ në Kosovë, nga Qeveria Gjermane dhe BE-ja flasin për Nacionalen - NACIONALE

Këshilltarët e Macron dhe Scholz ‘zbarkojnë’ në Kosovë, nga Qeveria Gjermane dhe BE-ja flasin për Nacionalen

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Presioni për një marrëveshje finale mes Kosovës e Serbisë veç po shtohet. Dialogu mes dy vendeve tani ka marrë më shumë vëmendje edhe nga dy shtete të fuqishme të Bashkimit Evropian, Franca e Gjermania. Kështu, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, kanë vendosur që këshilltarët kryesorë të tyre t’i angazhojnë në këtë proces.

Jens Plotner, këshilltar i Scholz për politikë të Jashtme dhe Emmanuel Bonne, këshilltar diplomatik i Macron, të premten “zbarkojnë” në Kosovë.

Këta të dy, do të takohen me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, për t’u nisur më pas drejt Serbisë, ku për dialog do të flasin edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Tensionet e fundit, arsye për angazhimin ‘e fuqishëm’

Siguria në Evropë ka shtyrë presidentin Macron dhe kancelarin Scholz që të angazhohen më shumë në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kështu tha për gazetën Nacionale, Christian Lichtwardt, shefi i shërbimeve në Zyrën për Media të Qeverisë Gjermane, ku mes tjerash, përmendi edhe tensionet e fundit mes dy vendeve.

“Në dritën e tensioneve të fundit, ata caktuan këshilltarët e tyre për politikën e jashtme, z. Jens Ploetner dhe z. Emmanuel Bonne, që të mbështesin drejtpërdrejt Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij”, ka thënë tutje ai.

Hap i parë i angazhimit të tyre, Lichtwardt tha se është vizita e 9 shtatorit, ku “do të shqyrtohen opsionet për përparim në dialog”.

Sa i përket letrës së përbashkët të Scholz dhe Macron, dërguar kryeministrit Kurti, ku këshillohej që të bëhej gati për “vendime të vështira”, Zyra për Media e Qeverisë Gjermane i tha Nacionales se nuk ka mundësi që të japë detaje, pasi që “nuk janë të synuara për publikun”.

Ndërkaq, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha për Nacionalen se e mirëpresin mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë dhe Francës për dialogun mes dy vendeve.

Mes tjerash, Stano konfirmoi se Plotner dhe Bonne do të shoqërohen edhe nga përfaqësuesi i BE-së për dialogun, Mirsolav Lajçak, gjatë vizitës në Kosovë.

“Lajçak do të shoqërohet nga këshilltarët për politikën e jashtme të Presidentit të RF dhe kancelarit të DE në një vizitë të përbashkët në Kosovë dhe Serbi më 9 shtator, me qëllim që të shqyrtohen opsionet për përparim në Dialog. Gjatë vizitës së tyre janë planifikuar takime të veçanta me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq”, tha zëdhënësi i BE-së për Nacionalen.

Kurti të bëhet gati për vendime të vështira

Kjo ishte një prej kërkesave kryesore në letrën që kancelari Scholz dhe presidenti Macron i kanë dërguar kryeministrit Albin Kurti.

Në letrën e Scholz dhe Macron, kërkoheshin hapa konstruktivë në rrugën përpara për dialogun me Serbinë.

Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë. Tensionet e kohëve të fundit kanë treguar se hapat konstruktivë në rrugën përpara janë urgjentisht të nevojshëm, në nivelin praktik dhe politik.”, thuhet në letrën e tyre.

Në letër, theksohej se dy liderët kanë angazhuar këshilltarët e tyre që t’i ndihmojnë emisarit Lajçak, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Sa i përket vizitës së tyre, Kurti pikërisht të enjten, një ditë para takimit, refuzoi që të flasë për këtë çështje, duke thënë se është më e rëndësishme që të flasin për grevën në shkolla.

“Më falni, besoj që është shumë e rëndësishme të flasim për shkolla. Shkollat janë shumë të rëndësishme. Emisarët së bashku e të gjitha këto kanë vende të tjera, kohë të tjera. Unë prej këtu shkoj në Prishtinë. Sot e kemi inaugurimin e shkollës. Urime të gjithëve”, tha Kurti.

Lajme të ngjashme