"Keq me Perëndimin": Paralajmërimi për sanksione e trazon Kosovën, opozita e cilëson alarmuese
Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë është anuluar. Njoftimi për anulimin e saj, u bë i njohur nga Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, i cili foli gjatë në një konferencë për situatën mes Kosovës dhe bashkësinë euro-atlantike. Pas këtij lajmi, pësuan reagimet e shumta nga Qeveria e Kosovës, opozita e analistë. Çka ndodhi?
Së pari, le t’i ritheksojmë edhe një herë shkurtimisht deklaratat më tmerruese të Ramës në konferencë. Në fjalimin e gjatë, Rama foli për sanksionet e mundshme, duke thënë se durimi i ndërkombëtarëve është duke u sosur.
“Kam bërë një përpjekje për të kërkuar edhe pak kohë, e kam marr edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam frikë se plani që është një plan realisht, realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje.” – deklaroi ai.
Tutje, Rama e vlerësoi si gjykim absolutisht të gabuar strategjik veprimet e kryeministrit Kurtit në veri, duke shtuar se “Kosova po hy në një kurs përplasjeje dramatike” me bashkësinë euro-atlantike.
“Sipas meje, një gjykim absolutisht i gabuar strategjik, nuk kuptoj dhe nuk e kupton askush cila është strategjia këtu dhe cili është interesi strategjik i Kosovës në këtë proces, ku Kosova po hy në një kurs përplasjeje dramatike me bashkësinë euro-atlantike. Aryseja se pse po i bëj unë gjithë këto përpjekje është se Kosova nuk është aspak ndonjë arsye tjetër, është Kosova.” – deklaroi Rama.
Reagimet…
Për anulimin e mbledhjes së përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë, reagoi edhe Qeveria e Kosovës. Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë Kurti, deklaroi për Express se anulimi i mbledhjes nga kryeministri Edi Rama, e anuloi mundësinë për t’i nënshkruar 13 marrëveshje.
“Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkrueshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkrur ato.” – deklaroi Kryeziu për gazetën Express.
Ndërsa, Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, në shkrimin e tij për këtë temë, shkroi se vlerësoi se të gjithë aleatët perëndimorë janë të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës.
“ALARMUESE!
Në kohën kur të gjithë aleatët perëndimorë janë të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, ne kemi nevojë për Shqipërinë më shumë se kurrë!” – shkruan ai.
Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, ka reaguar pas lajmit për anulimin e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, të cilën e ka quajtur si “lajm të keq për shqiptarët”.
Abdixhiku ka shkruar se Kosova vazhdon të rrugëtojë drejt izolimit e vetmisë.
“Kosova fatkeqësisht vazhdon të rrugëtoj drejt izolimit e vetmisë. Këtë herë, si asnjëherë, mbetëm dhe pa Shqipërinë. Po mbesim dhe do të mbesim pa secilin aleat që qëndronte me ne në çdo etapë të vështirë...Rrugëtimi i Kurtit, përplasës me perëndimin, rrezikon vet shtetësinë e Republikës." – shkruan ai ndër të tjera.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që udhëhiqet nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i ka komentuar paralajmërimet për sanksione ndaj Kosovës nga ana e BE-së.
Në një reagim të tyre, AAK-ja thekson se Kosova s’ka qenë asnjëherë në situatë më të rëndë politike se sa sot.
“Kosova asnjëherë nuk ka qenë në situatë më të rëndë politike, diplomatike dhe të sigurisë se sa sot. Kërkojmë nga kryeministri Kurti që urgjentisht t’i bashkërendojë veprimet me aleatët ndërkombëtarë, me ShBA-të në veçanti, para se gjendja të eskalojë e të marrë kahje edhe më të rëndë.“ - thuhet në reagimin e AAK-së.
Pal Lekaj, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, ka komentuar anulimin e mbledhjes së Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, që parashihej të mbahej në Gjakovë nesër.
Lekaj ka pyetur në mënyrë retorike, duke shkruar se “kah po shkon Kosova?”.
“Kur edhe shteti amë të refuzon, çka tjetër ?!
Kah po shkon Kosova ?” – shkroi ai.
Sanksionet te dera…
Ndërsa Radio Evropa e Lirë ka raportuar për një pako sanksionesh ndaj Kosovës, në rast se nuk ndërmerren hapa të menjëhershëm për shtensionimin e situatës. Por çka raportoi REL?
Në vazhdën e përkeqësimit të marrëdhënieve me aleatët perëndimorë, Bashkimi Evropian ka njoftuar për masa fillestare sanksionesh kundër Kosovës sipas burimeve diplomatike të cituara nga Radio Evropa e Lirë. Këto masa janë përgatitur si reagim ndaj mospërfilljes së kërkesave të Qeverisë së Kosovës për uljen e tensioneve në veri.
Këto masa përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe nga BE-ja dhe vendet anëtare. Takime do ketë vetëm në raste kur është nevoja për adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe për gjetjen e zgjidhjes.
Sanksioni tjetër pritet të përfshijë punën e grupeve të përbashkëta që ekzistojnë midis Kosovës dhe BE-së, të formuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).
Në këtë kontekst, REL ka raportuar se është pezulluar tashmë takimi i një nën-komisioni për tregti, industri, doganë dhe taksa, i cili ishte planifikuar të mbahet më 8 qershor. Po ashtu, pritet që të pezullohet edhe takimi i nën-komisionit për drejtësi, liri dhe siguri, i cili ishte planifikuar për datat 21 dhe 22 qershor.
Gjithashtu, si pjesë e masave sanksionuese, BE-ja ka paraparë reduktimin e nivelit të pranisë publike në zhvillimet dhe ngjarjet e përbashkëta, duke përfshirë takimet në bashkëpunimin financiar.
Burimet diplomatike kanë njoftuar REL se angazhimi me autoritetet e Kosovës do të kthehet në nivel normal vetëm nëse Qeveria e Kosovës ndërmerr hapa të nevojshëm në kuadër të dialogut, duke filluar me tërheqjen e njësive speciale të policisë nga ndërtesat komunale në veri dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale.
“Nëse ti ke qasje që ke kërkuar kohë për të gjetur zgjidhje, e në një konferencë publike e sulmon dhe e godet kryeministrin, nuk është klima e përshtatshme për të ardhur deri në një marrëveshje”.
“Më mirë do të duhej të angazhohej në një diplomaci fluturuese, ose pa bërë konferenca sepse nuk është zëdhënës i Bashkimit Evropian. Edi Rama po merr, po dihet botërisht, mbi një orë flet për kryeministrin Albin Kurti, ai po e mban anën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Raci.





