"Pasoja financiare", REL raporton për pako sanksionesh ndaj Kosovës nga BE-ja
Marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Kosovës kanë arritur në pikën më të vështirë. Në vazhdën e përkeqësimit të marrëdhënieve me aleatët perëndimorë, Bashkimi Evropian ka njoftuar për masa fillestare sanksionesh kundër Kosovës sipas burimeve diplomatike të cituara nga Radio Evropa e Lirë. Këto masa janë përgatitur si reagim ndaj mospërfilljes së kërkesave të Qeverisë së Kosovës për uljen e tensioneve në veri.
Këto masa përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe nga BE-ja dhe vendet anëtare. Takime do ketë vetëm në raste kur është nevoja për adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe për gjetjen e zgjidhjes.
Sanksioni tjetër pritet të përfshijë punën e grupeve të përbashkëta që ekzistojnë midis Kosovës dhe BE-së, të formuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).
Në këtë kontekst, REL ka raportuar se është pezulluar tashmë takimi i një nën-komisioni për tregti, industri, doganë dhe taksa, i cili ishte planifikuar të mbahet më 8 qershor. Po ashtu, pritet që të pezullohet edhe takimi i nën-komisionit për drejtësi, liri dhe siguri, i cili ishte planifikuar për datat 21 dhe 22 qershor.
Gjithashtu, si pjesë e masave sanksionuese, BE-ja ka paraparë reduktimin e nivelit të pranisë publike në zhvillimet dhe ngjarjet e përbashkëta, duke përfshirë takimet në bashkëpunimin financiar.
Burimet diplomatike kanë njoftuar REL se angazhimi me autoritetet e Kosovës do të kthehet në nivel normal vetëm nëse Qeveria e Kosovës ndërmerr hapa të nevojshëm në kuadër të dialogut, duke filluar me tërheqjen e njësive speciale të policisë nga ndërtesat komunale në veri dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale.
Kujtojmë se për sanksionet në ardhje të Perëndimit ndaj Kosovës foli pak më parë edhe kryeministri Rama gjatë një konference të jashtëzakonshme për media.
Rama deklaroi se Kosova është në prag të sanksioneve ndaj saj nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Në fjalimin e tij, Rama foli edhe për "sosjen e durimit" të ndërkombëtarëve.
Ai ka pohuar se edhe pse sanksionet mund të jenë të përkohshme, ata mund të ketë pasoja afatgjata në marrëdhëniet mes Kosovës dhe bashkësisë euroatlantike. Besimi dhe mbështetja ndaj Kosovës, si dhe ndaj Qeverive të ardhshme, pritet të jenë më të kushtëzuara dhe të kursyera hap pas hapi.
“Nuk e kuptoj cili është interesi strategjik i Kosovës në këtë proces kur Kosova po hyn në një kurs përplasjeje dramatike me bashkësinë euroatlantike. Arsyeja pse unë po i bëjë këto përpjekje është Kosova, nuk është aspak ndonjë arsye tjetër, është Kosova.” – deklaroi Rama.
“Edhe sikur këto masa të jenë të përkohshme, uroj që të mos vihen por me sa duket edhe kjo përpjekje e fundit po shkon drejt të njëjtit fat si të gjitha përpjekjet tjera të bëra nga të gjithë tjerët. Pra edhe sikur këto masa të jenë të përkohshme, efekti destabilizues në marrëdhëniet mes bashkësisë euroatlanike dhe Kosovës nuk do të jetë edhe aq i përkohshëm. Besimi dhe mbështetja nuk do të jene më ashtu siç kanë qenë deri tani, do të jenë shumë më të kursyera dhe shumë më të kushtëzuara hap pas hapi dhe jo thjesht ndaj Albin Kurtit dhe Qeverisë së tij por edhe ndaj qeverive që do të vijnë më pas sepse kështu funksionon historia e marrëdhënieve me fuqitë e mëdha.” – tha Rama.

