Anulohet mbledhja e dy qeverive, Rama paralajmëron: Kosova është në prag të sanksioneve - NACIONALE

Anulohet mbledhja e dy qeverive, Rama paralajmëron: Kosova është në prag të sanksioneve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ashtu siç raporti gazeta Nacionale, takimi mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë është anuluar. Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, është duke e mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme në lidhje me takimin e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, që ishte planifikuar të mbahet nesër në Gjakovë.

Sipas Ramës, ajo nuk mund të mbahet sipas formatit të planifikuar, duke shtuar se i kërkoi kryeministrit kosovar, Albin Kurti, të takohet në një format tjetër. Në këtë konferencë të jashtëzakonshme, Rama ka folur edhe për vënien në lëvizje të një plani të sanksioneve ndaj Kosovës.

“Ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar dhe pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër, në Gjakovë, në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes për të diskutuar pikërisht për këtë situate, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euro-atlantike në një pikë të paimagjunueshme, ku kjo e fundit e ka vendosur gishtin faktikisht në butonin që do të vë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë” – deklaroi Rama.

I pari i Qeverisë së Shqipërisë deklaroi se Kurti e ka refuzuar kërkesën e tij.

“Për fat të keq dhe shumë keqardhje, më duhet të them se nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurti për ndryshimin e formatit. Ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë edhe për këtë dhe kjo nuk është e mundur, sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh me realitetin e Kosovës sot.” – shtoi Rama.

Rama e përsiriti sërish planin e “masave shtrënguese” ndaj Kosovës.

“Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare e kryeministrit Kurti, unë shpresoj shumë që të mund të takohemi për të ballafaquar opinionet në kushtet e përsëris jemi në prag të vënies në lëvizje, se nuk ma zë goja të flas për sanksione, të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata që qartësisht janë në kushte të sosjes së durimit” – deklaroi Rama.

Tutje, ai ka thënë se ka kërkuar edhe pak kohë nga ndërkombëtarët që të mos vihet në lëvizje plani për sanksione.

“Kam bërë një përpjekje për të kërkuar edhe pak kohë, e kam marr edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam frikë se plani që është një plan realisht, realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje” – shtoi ai.

Lajme të ngjashme