"Kemi borxhe" - Zyrtarët profesionalë të Kuvendit të pakënaqur me Projektligjin për Pagat
Projektligji për Paga ka ngjallur shumë pakënaqësi te disa zyrtarë publikë. Ky projektligj, i cili dje është shqyrtuar edhe nga Komisioni për Administratë Publike, pritet të ua ulë koeficientin zyrtarëve profesional që punojnë në Kuvend të Kosovës.
Fehmi Pireva, zyrtar ndërlidhës me Institucionet dhe Agjencitë e Pavarura, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me uljen e koeficientit të pagës për zyrtarët profesional në Kuvendin e Kosovës.
Në një prononcim për Nacionale, Pireva ka thënë se nga 8.5 sa e kishte koeficientin, me ligjin e ri për paga do t’i ulet koeficienti i pagës në 5.85.
Prieva ka thënë se ky projektligj penalizon zyrtarët profesional, përfshirë edhe vetë atë.
“Menaxhmenti dhe Sekretari duke mos e kryer punën si duhet ne çka kemi qenë në nivelin 8.5 edhe niveli më i ulët na kanë grupuar në nivelin e parë profesional me një koificient në 5.85. Në krahasim me koordinatorët, ne jemi 2.25 më ulët me koeficient, që përpara disa kemi qenë për gjysmë koeficienti e disa për 1 më pak sesa ta”, ka thënë Prieva për Nacionale.
Ai ka bërë me dije se ligji prekë shumë zyrtarë të kuvendit.
Sipas tij, ata do të kenë shumë problem të mbijetojnë me ulje të pagave.
“Të jeni të bindur që shumica e zyrtarëve të kuvendit, janë të stërngarkuar edhe me kredi bankare që kanë me pas vështirë me mbulu kredinë, dhe më pak mundësi me jetu me këtë rrogë tash me këtë ulje që po bëhet”, ka thënë Pireva.
Ai ka paralajmëruar se nëse të enjten Kuvendin e Kosovës e miraton këtë projektligj, atëherë ai bashkë me disa zyrtarë të tjerë që janë të pakënaqur do të ushtrojnë të drejtën e ankesës deri në nivel gjyqësor.
“Me hyrjen e ligjit në fuqi, ne zyrtarët që jemi të pakënaqur ose të dëmtuar, realisht do t’i provojmë të gjitha nivelet, duke ushtruar të drejtën tonë të ankesës deri në nivel të gjyqësorit”, ka deklaruar Pireva.
Ai ka treguar se nga viti 2012 e ushtron këtë detyrë, duke shtuar se ulja e pagës pas pas 10 viteve është skandaloze.
“Të ulët paga mbas 10 viteve punë, në këtë institucion të kthehesh në një pagë më të vogël se 200 e më shumë euro, kjo është skandaloze”, ka thënë tutje z. Prieva.

Pireva për këtë pakënaqësi ka njoftuar edhe kryeparlamentarin, kryeministrin, deputetët dhe sekretarin e Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Këtë të fundit, gazeta Nacionale e ka kontaktuar për ta pyetur për të njëjtën çështje. Ai ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me shkrim, ndonëse deri në momentin e publikimit të këtij artikulli gazeta nuk ka marrë përgjigje.

Projektligji për pagat në sektorin publik pritet të miratohet nesër në Kuvendin e Kosovës. Kritika ndaj këtij projektligji kanë shprehur edhe subjektet politike opozitare.

