Dejona Mihali e bën ligjin në Kosovë, nëpër duart e saj kaluan dy projektligjet problematike - NACIONALE

Dejona Mihali e bën ligjin në Kosovë, nëpër duart e saj kaluan dy projektligjet problematike

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nuk ka ndonjë pozitë në institucionet publike në Kosovë, por pushteti i saj në Qeverinë Kurti është i jashtëzakonshëm.

Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, nuk pyetet vetëm për punët brenda kësaj partie. Ajo fjalën kryesore e ka edhe për hartimin e projektligjeve themelore në Qeverinë Kurti.

Ndonëse nuk është juriste me profesion, ajo ka marrë pjesë në hartimin e dy projektligjeve që po konsiderohen si problematike për administratën publike, Projektligjin për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Gazeta Nacionale nga burimet e saj të sigurta ka marrë vesh se fjalën kryesore për hartimin e këtyre dy projektligjeve e kanë pasur Mihali dhe disa aktivistë të tjerë të LV-së.

Në procesin e hartimit të këtyre dy ligjeve, gazeta ka mësuar se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike i ka anashkaluar grupet punuese që ishin themeluar nga sekretarja e përhershme e kësaj ministrie, Fahrije Tërnava, për hartimin e këtyre ligjeve.

Zyrtarët që ishin bërë pjesë e këtyre grupeve nuk janë ftuar asnjëherë nga ministria për ta dhënë mendimin e tyre për këto çështje.

"Më kanë ftuar për të qenë pjesë grupit punues për hartimin e Projektligjit për Zyrtarët Publikë, por nuk jam ftuar kurrë që të marr pjesë në ndonjë punëtori. Kam dëgjuar se me hartimin e ligjit është marrë një grup i vogël"- ka thënë në zyrtar i një ministrie në kushte anonimiteti.

Për t'i anashkaluar këto grupe të gjera punuese, ku do të merrnin pjesë zyrtarë profesionistë nga institucione të ndryshme, ministria ka përzgjedhur një grup të vogël, i cili është përbërë kryesisht nga aktivistë të partisë në pushtet.

Një burim nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit i ka thënë gazetës se Ministria e Brendshme, në muajin gusht, përmes një shkrese elekotrnike e ka ftuar zyrtarisht znj. Dejona Mihali për të marrë pjesë në dy punëtoritë përfundimtare të këtyre projektligjeve.

Burimi i ka treguar edhe emrat e zyrtarëve të tjerë të lartë që e kanë parë atë shkresë elektronike.

"Meliza Qorraj, zyrtare ligjore në Ministri të Brendshme, përmes e-malit e ka ftuar zyrtarisht Dejona Mihalin që të bëhet pjesë e grupit punues për hartimin e Projektligjit për Paga dhe për Zyrtarë Publikë. Ky e-mail u ka shkuar ministrit Xhelal Sveçla, zëvendësministrit Bardhyl Dobra, sekretares së përhershme të ministrisë, Fahrije Tërnava, dhe disa zyrtarëve të tjerë"- ka thënë burimi i gazetës.

I njëjti burim ka thënë se ky grup i ngushtë, i përbërë kryesisht nga aktivistë të LV-së, gjatë dy punëtorive në një hotel në Prevallë, i ka finalizuar të dyja projektligjet, të cilat po konsiderohen si antikushtetuese.

Deri më tani, nuk dihet se në çfarë cilësie ka marrë pjesë në këtë grup Dejona Mihali.

Një ditë më parë, gazeta ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike për të kuptuar se në çfarë cilësie është thërritur Koordinatorja e Komiteteve të LV-së, Dejona Milahi.

Deri në momentin e publikimit të këtij teksti, ministria nuk ka kthyer përgjigje.

Gjithashtu, gazeta ka kërkuar sqarime se pse nuk janë thërritur asnjëherë grupet e para punuese për hartimin e këtyre projektligjeve.

Projektligji për Zyrtarët Publikë e synon kapjen e administratës

Javën e kaluar, qeveria e ka miratuar Projektligjin për Zyrtarët Publikë. Sipas qeverisë, ky projektligj i adreson problematikat me të cilat është përballur administrata ndër vite dhe zbrazëtitë që i ka ligji aktual.

Mirëpo ekspertët dhe opozita kanë thënë se projektligj vetëm e degradon ligjin ekzistues për Zyrtarët Publikë.

Në këtë projektligj, qeveria ka bërë disa ndryshime rrënjësore sa u përket shërbyesve civilë me pozita të mesme dhe të ulëta udhëheqëse.

Neni 46 i Projektligjit për Zyrtarët Publikë parasheh që nëpunësit civilë, që kanë pozita të mesme dhe të ulëta udhëheqëse, do të emërohen me mandat 4-vjeçar.

Kandidati për pozitën e nivelit të ulët apo të mesëm drejtues, i vlerësuar nga komisioni i pranimit me pikët më të larta dhe mbi pragun minimal të 70% të pikëve të përgjithshme të vlerësimit, konsiderohet kandidat fitues dhe emërohet në pozitën përkatëse, për një mandat me kohëzgjatje prej katër (4) vite”- thuhet në nenin 46 të këtij ligji.

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në një intervistë për gazetën Nacionale, e ka kritikuar ashpër Projektligjin e ri për Zyrtarët Publikë.

Tahiri ka thënë se projektligji është skandaloz dhe u hap rrugë ndërhyrjeve politike në administratën publike.

Projektligji i ri për Zyrtarët Publikë është skandaloz. Jam i tmerruar me provizionet që parapërcaktojnë dhe lejojnë hapësirë për ndërhyrje politike në administratë publike. Krejt çka është ndërtuar që gati dy dekada në administratë, ky i hedh poshtë. Projektligj mund të konsiderohet një sulm i drejtpërdrejtë ndaj administratës shtetërore dhe shërbimit civil, pa përjashtim. Është kundër gjithçkaje që është arritur me BE-në dhe SIGMA-n me reforma në dekadën e fundit”- ka thënë ai.

Sipas tij, ky projektligj është antikushtetues.

Projektligji për paga nuk e specifikon vlerën e koeficientit

Kritika të ashpra ka pasur edhe për Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas njohësve të fushës dhe zyrtarëve opozitarë, ky projektligj ka të meta të mëdha dhe ai mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Projektligji i pagave, i propozuar nga qeveria, ka probleme serioze dhe nuk e reflekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që në esencë na bie te një konkluzion i caktuar. Konkluzioni është që qëllimisht qeveria po sjell një ligj që nuk i ka përfshirë komentet e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që, kur të ankohemi për këtë ligj, ai të bie sërish dhe kjo çështje të zvarritet përsëri”- ka thënë për Nacionalen shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahiri.

Sipas tij, ky projektligj nuk e cakton vlerën e koeficientit.

Ky ligj e ka emrin Ligj i Pagave, që nënkupton se ky duhet ta rregullojë rrogën e secilit zyrtar të administratës shtetërore. Kur e lexoni këtë ligj, ju nuk e gjeni askund vlerën e koeficientit. Aty gjeni një renditje të koeficienteve dhe parimin se si ndahen këta, 1 me 18, mirëpo nuk e gjen vlerën. Secili zyrtar publik sot, që e lexon këtë ligj dhe e kërkon pozitën e tij në tabelë, nuk mund të dijë se sa e ka pagën. Kjo nënkupton se ky nuk është ligj i pagave, por është ligj i rangimit të koeficienteve”- ka thënë Tahiri.

Edhe përfaqësuesi i sindikatës së administratës, Ali Sefaj, ka pasur kritika për këtë ligj.

Sipas draft Ligjit të Pagave, këshilltarëve politikë u dyfishohen pagat, ( nga 560 - 1100 dhe nga 600 - 1200 ), ndërsa shërbyesve civilë u jepen vitra. Dyfishohen pagat e oborrit qeveritar dhe diskriminohen shërbyesit civilë, performuesit e artit dhe mësimdhënësit. Rrnoftë Kosova Republikë!”- ka vlerësuar ai.

Pavarësisht kritikave, qeveria e ka vazhduar procedimin e këtij projektligji.

Në javën e kaluar, kur është miratuar ky projektligj në qeveri, është vlerësuar se ai po e krijon për herë të parë në Republikën e Kosovës sistemin e unifikuar të pagave.

Sipas zyrtarëve qeveritarë, ky sistem e ka në thelb drejtësinë për rregullimin e pagës për të gjithë të punësuarit që paguhen nga dhe përmes buxhetit të shtetit.

Lajme të ngjashme