Abdixhiku kërkon të hetohet Dejona Mihali e VV-së pasi tha "Kosova s'i ka borxh askujt"
Dejona Mihali, e njohur ndryshe si Kadri Veseli i VV-së, këtë javë kishte shkruar rreth raporteve të Kosovës me ShBA-në, të shumëpërmendura këto ditën e parë të kësaj jave.
Ani pse nuk i përmendi decidivisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nënkuptoi kur shkroi se Kosova s'i ka borxh askujt.
"Kosova s'i ka borxh askujt. Është në të drejtën e saj ta mbrojë çka është aspiratë dhe domosdoshmëri për shtetin, lirinë dhe demokracinë. Sovranitet, barazi dhe integritet, asgjë më pak", shkroi ndër të tjerash ajo.
Deklarimin: s'i ka borxh askujt e bëri si kundërpërgjigje ndaj atyre që kërkonin nga qeveria vigjilencë rreth çështjes së targave, çka nënkuptonte dëgjim të rekomandimeve nga miqtë amerikanë.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku, në një intervistë dhënë Klan Kosovës ka komentuar këto deklarata, me ç'rast tha se nuk janë të parat që këta njerëz në diskursin e tyre publik, çdo angazhim e kanë kundër shtetit të Kosovës.
Tutje, ai ftoi organet e sigurisë që t'i hetojnë këta persona.
“Kam bindjen se brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka njerëz që me apo pa qëllim, këtë duhet parë nga institucionet e sigurisë, shtyjnë agjenda edhe kundër Republikës së Kosovës, dhe atë haptas, dhe kundër interesave amerikane, dhe kryesisht flas për një grup që vjen nga Tirana, të cilët kanë rol politik brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe që sot në pushtet bën politika shtetërore”, tha Abdixhiku.
