Katër pyetje pa përgjigje për dokumentet e klasifikuara të Bidenit
Është duke u rritur presioni ndaj presidentit amerikan, Joe Biden, për të dhënë më shumë hollësi rreth dokumenteve të klasifikuara që janë gjetur në shtëpinë e tij në Delaware dhe në një zyrë në Uashington që ai dikur e përdorte.
Departamenti i Drejtësisë ka emëruar një zyrtar të pavarur ligjor për të zhvilluar hetime e për të zbuluar nëse këto letra janë trajtuar në mënyrë jo të duhur. Megjithatë, ende ka më shumë pyetje se përgjigje për dosjet, shkruan televizioni BBC. Ja disa gjëra që nuk i dimë ende.
Çfarë ka në to?
Presidenti Biden ka thënë se ai nuk di se çfarë ka në letra dhe derisa të dimë më shumë për përmbajtjen e tyre, është vështirë të thuhet saktë se sa serioz është ky rast. Megjithatë, disa hollësi kanë filluar që të dalin në pah.
Burimet u thanë televizionit CNN dhe gazetës “The New York Times” se në grumbullin e parë prej dhjetë dokumentesh të klasifikuara përfshihen materiale për shtete të huaja si Ukraina, Irani e Britania e Madhe – nga koha kur Bideni ishte nënpresident i ShBA-së.
Sipas televizionit CNN, këto dokumente ishin të përziera me letra të tjera jo të klasifikuara, përfshirë hollësitë për funeralin e djalit të presidentit, Beau Biden, i cili vdiq në vitin 2015.
Ky televizion raportoi se disa prej dokumenteve e kishin shenjën “sekret i lartë”, që është niveli më i lartë i klasifikimit të të dhënave.
Dimë më pak për grumbullin e dytë të dokumenteve. Të enjten, avokati personal i presidentit lëshoi një deklaratë, në të cilën tha se dosjet janë “të dhëna të Administratës Obama – Biden”, duke lënë të kuptohet se edhe ato kanë të bëjnë me periudhën e Bidenit si nënpresident.
Kush kishte qasje në to?
Një sistem i gjerë burokratik që i menaxhon operacionet themelore të qeverisë federale (i quajtur Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme) është përgjegjëse për ndryshimin e pushtetit në Shtëpinë e Bardhë. Në këtë detyrë të vështirë përfshihen edhe futja e presidentit dhe e nënpresidentit të ri në objekt dhe largimi i presidentit e i nënpresidentit të vjetër, përfshirë dosjet e tyre.
Megjithatë, është ende e paqartë se kush mund të jetë marrë me këto dosje gjatë shtatë vjetëve që nga koha kur Bideni e kishte përfunduar mandatin si nënpresident. Shenja e vetme që mund të kemi është vendi ku janë gjetur dokumentet.
Grupi i parë i dokumenteve u zbulua nga avokatët e Bidenit në atë që Shtëpia e Bardhë e përshkroi si depo të mbyllur në zyrën e presidentit në Qendrën “Penn Biden” për Demokraci dhe Angazhim Global në Uashington.
Grumbulli i dytë i letrave u gjet më vonë në një garazh të shtëpisë së Bidenit në Delaware. Një dokument me një faqe u gjet në një dhomë ngjitur me garazhin.
Pa dyshim se hetuesit do të duan që të dinë se kush kishte qasje në këto vende dhe me sa siguri ishin të ruajtura dokumentet.
Republikanët e Kongresit kanë kërkuar që t’i shohin listat e vizitorëve në shtëpitë e Bidenit, duke argumentuar se zbulimi i dosjeve në njërën prej rezidencave të tij është rrezik për sigurinë kombëtare.
Pse pati vonesë?
Sipas Shtëpisë së Bardhë, avokatët e Bidenit i gjetën dokumentet e klasifikuara më 2 nëntor – vetëm një javë para zgjedhjeve të mesit të mandatit. Administrata tha se e raportoi zbulimin mu atë ditë tek Arkivat Kombëtare, institucion që i mori materialet më 3 nëntor dhe e dërgoi çështjen në Departamentin e Drejtësisë.
Çështja nuk u bë e ditur deri këtë muaj, kur raportoi televizioni CBS, duke nxitur akuza se ajo është mbajtur qëllimisht e fshehtë para zgjedhjeve të mesit të mandatit.
“Ai me vetëdije e dinte se kjo ndodhi para hyrjes në zgjedhje, para hyrjes në intervista. Kjo është ajo që e bën Amerikën të mos i besojë qeverisë së vet”- tha kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, anëtar i Partisë Republikane, Kevin McCarthy.
Në anën tjetër, Shtëpia e Bardhë ka mohuar se ka pasur vonesë të përllogaritur për ta bërë publike këtë çështje.
Megjithatë, mbajtja e një zbulimi të tillë jopublik është normale, tha David Weistein, ish-prokuror federal në Florida.
“Nuk është vendi juaj si cak ose si dëshmitar për një hetim që të thoni se çfarë ka ndodhur, u përket njerëzve që e hetojnë çështjet që të vendosin se çfarë të thonë dhe kur ta thonë atë”- tha ai.
Cilat mund të jenë ndëshkimet?
Është shumë herët që të thuhet nëse presidenti ose ndokush nga rrethi i tij do të ballafaqohen me ndëshkime ligjore.
Dimë se hetuesi i posaçëm, Robert Hur, do t’i ekzaminojë “heqjen dhe mbajtjen e mundshme të dokumenteve të klasifikuara” – që cilësohet shkelje sipas kodit penal të ShBA-së.
Sipas ish-prokurorit Weinstein, disa gjëra ndikojnë që të ketë pak gjasa për ngritje të akuzave kriminale.
Së pari, për të ngritur akuza, prokurori duhet ta dëshmojë qëllimin – që dosjet me vetëdije ishin larguar dhe ishin mbajtur nga Bideni ose nga ekipi i tij. Së dyti, thotë ai, është politika në fuqi e Departamentit të Drejtësisë për të mos ngritur akuza kundër një presidenti në pushtet.
“Është një problem më i madh politikisht për Bidenin se në aspektin e akuzave kriminale”- tha ish-prokurori Weinstein.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli



