Dokumente potencialisht sekrete zbulohen në zyrën private të Bidenit
Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara është duke analizuar dokumente potencialisht sekrete, të cilat janë gjetur në ish-zyrën e presidentit amerikan, Joe Biden, në një organizatë, thotë Shtëpia e Bardhë.
Rreth dhjetë prej këtyre dosjeve u zbuluan në një dhomë të mbyllur në Qendrën “Penn Biden” në Uashignton në nëntor nga ekipi ligjor i presidentit, tha avokati i tij.
Grumbulli i dokumenteve është dorëzuar në Arkivat Kombëtare, shkruanBBC-ja, përcjell “Nacionale”.
Paraardhësi i Bidenit në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, është duke u ballafaquar me një hetim për marrjen e dosjeve të klasifikuara dhe dërgimin e tyre në Florida pas përfundimit të mandatit.
Raportohet se FBI-ja është e përfshirë në hetimin për dokumentet e klasifikuara në Qendrën “Penn Biden”, ndërsa nga prokurori i përgjithshëm i ShBA-së, Merrick Garland, është kërkuar që t’i analizojë këto dokumente.
Një burim i afërt me këtë çështje i tha televizionit CBS se në grupin e dokumenteve nuk përfshihen sekrete bërthamore dhe se ato ndodheshin në një dosje të vendosur në një kuti, ku kishte letra të tjera të paklasifikuara.
Richard Sauber, këshilltar special i presidentit Biden, tha në një deklaratë të hënën se dosjet u zbuluan pak para zgjedhjeve të mesit të mandatit nga avokatët e Bidenit, të cilët ishin duke e pastruar hapësirën e zyrave.
Bideni kishte një zyrë në këtë qendër, e cila ndodhet pak më shumë se një kilometër nga Shtëpia e Bardhë, nga viti 2017 deri më 2020.

