Avokatët e Trumpit gjejnë edhe dy dokumente të klasifikuara në Florida
Avokatët e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, kanë gjetur edhe të paktën dy dokumente me shenja të klasifikimit brenda kutive në një njësi magazinimi në Florida, kur ata kërkuan nëpër gjësende që ishin sjellë nga Shtëpia e Bardhë në fundin e mandatit të tij, tha të martën një burim i afërt me këtë çështje.
Zbulimi i ri do të mund ta përkeqësonte shpërfaqjen e ish-presidentit para organeve të drejtësisë, pasi FBI-ja kishte sekuestruar 103 dokumente me shenjë të klasifikimit në rezidencën “Mar-a-Lago” në gusht si pjesë e një hetimi kriminal të Departamentit të Drejtësisë për posedim të mundshëm të paautorizuar të të dhënave për sigurinë kombëtare dhe për pengimin e drejtësisë, raporton gazeta “The Guardian”.
Prania e dokumenteve me shenjën e klasifikimit në një vend të dytë përpos rezidencës “Mar-a-Lago”, e raportuar më herët nga gazeta “The Washington Post”, duket se i vërteton dyshimet e Departmanetit të Drejtësisë, që u janë thënë avokatëve të Trumpit në tetor, se ai ka të dhëna qeveritare shtesë.
Avokatët e ish-presidentit i gjetën dokumentet, pasi Trumpi kishte angazhuar një kompani të jashtme për të kërkuar në katër vende, për shkak se një gjykatës federal e kishte urdhëruar ekipin e tij ligjor që të kryente një kërkim më të plotë për t’u siguruar që të gjitha dokumentet me shenjën e klasifikimit janë kthyer në qeveri.
Kompania e jashtme kërkoi në disa prona të Trumpit, sipas një burimi tjetër, përfshirë ndërtesën “Trump Tower”, klubin e golfit, “Trump Bedminster” në New Jersey, rezidencën “Mar-a-Lago” dhe njësinë e jashtme të magazinimit në Florida, për të cilën merret vesh se është kontrolluar nga një agjenci federale.
Sipas shkresave elektronike të publikuara nga Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme, agjenci qeveritare që ofron ndihmë gjatë ndërrimit të presidentëve, Trumpi e kishte përdorur objektin e magazinimit në Florida për të mbajtur disa materiale që ishin marrë nga Shtëpia e Bardhë dhe që ishin mbajtur përkohësisht në Virgjinia.
Ai objekt i magazinimit ishte përdorur për të mbajtur të paktën tri grupe kutish që ishin marrë nga stafi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë dhe Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme fillimisht i kishte transportuar në një hapësirë zyrash në Virgjinia para se t’i dërgonte në Florida në shtatorin e vitit 2021, merret vesh në shkresat elektronike.
Një burim tha se përmbajtja e kutive nuk duket se ishte regjistruar. Nuk është e qartë nëse objekti i magazinimit që përmendet në shkresa elektronike, është e njëjta njësi ku janë gjetur dokumentet e reja. Sidoqoftë, ai ishte vendi nga i cili avokatët e Trumpit kanë dërguar 12 kuti në Arkivat Kombëtare më herët këtë vit.
Departamenti i Drejtësisë ka refuzuar që ta komentojë këtë çështje. Një zëdhënës i Trumpit nuk i është përgjigjur menjëherë një kërkese për koment./Nacionale

