FBI-ja: Trumpi i kishte përzier dokumentet sekrete me revista e gjëra të tjera
Katërmbëdhjetë nga pesëmbëdhjetë kutitë e sekuestruara nga shtëpia e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në Florida përmbajnë dokumente të klasifikuara, shumë prej të cilave janë “top sekret”, të përziera me gazeta, revista e shënime personale, sipas një dokumenti të publikuar nga FBI-ja të premten.
Asnjë hapësirë në rezidencën “Mar-a-Lago” nuk ishte e autorizuar për vendosjen e materialeve të klasifikuara, sipas dokumenteve të gjykatës. Raportohet se mund të ketë edhe “shkaktar të mundshëm se do të gjenden dëshmi të pengimit”.
Në dokumentin me 32 faqe – të redaktuar në masë të madhe për ta mbrojtur sigurinë e dëshmitarëve dhe zyrtarëve të sundimit të ligjit dhe “integritetin e hetimit të vazhdueshëm” – e ofron përshkrimin më të hollësishëm deri më tani të dërgimit të të dhënave qeveritare në rezidencën luksoze, pasi Trumpi ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë. Në dokument gjithashtu vërehet shkalla e shqetësimit të qeverisë për faktin që materialet ndodheshin atje në mënyrë të paligjshme.
“Qeveria është duke kryer një hetim kriminal në lidhje me largimin dhe vendosjen jo të duhur të informatave të klasifikuara në hapësira të paautorizuara, si dhe për fshehjen ose heqjen e jashtëligjshme të të dhënave qeveritare”, shkroi një agjent i FBI-së në faqen e parë të deklaratës nën betim.
Dokumentet e publikuara më parë tregojnë se agjentët federalë janë duke e hetuar shkeljen e mundshme të disa ligjeve federale, përfshirë një që i trajton mbledhjen, transmetimin ose humbjen e të dhënave të mbrojtjes sipas Aktit të Spiunazhit. Në aktet e tjera nënligjore trajtohen fshehja, shtrembërimi ose heqja e të dhënave dhe shkatërrimi, ndryshimi ose falsifikimi i të dhënave në hetime federale.
Pavarësisht dëshmive që e tregojnë të kundërtën, Trumpi ka këmbëngulur për një kohë të gjatë se ka bashkëpunuar plotësisht me zyrtarët qeveritarë. Ai është munduar që bastisjen e shtëpisë në Florida ta paraqesë si “gjueti shtrigash” të motivuar politikisht për t’ia dëmtuar gjasat për fitore të dytë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Avokatët e tij e përsëritën të premten kërkesën për caktimin e një zyrtari të pavarur special për t’i rishikuar dokumentet e sekuestruara në Florida, duke thënë se dëshmia e redaktuar nën betim nuk i jep Trumpit informata të mjaftueshme se pse ka ndodhur bastisja ose cilat materiale janë marrë.
Në deklaratën nën betim tregohet se si agjentët ishin autorizuar për bastisje në një pjesë të madhe të rezidencës, përfshirë të ashtuquajturën “Zyra 45”, dhomat depo dhe të gjitha zonat e tjera ku mund të ishin vendosur kutitë ose dokumentet./Nacionale

