Republikanët e kërkojnë listën e vizitorëve në shtëpitë e Bidenit pas zbulimit të dokumenteve - NACIONALE

Republikanët e kërkojnë listën e vizitorëve në shtëpitë e Bidenit pas zbulimit të dokumenteve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa anëtarë republikanë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara po kërkojnë që t’i shohin listat e vizitorëve në shtëpitë e presidentit Joe Biden, duke argumentuar se zbulimi i dosjeve të klasifikuara në njërën prej rezidencave të tij është rrezik për sigurinë kombëtare.

Presidenti amerikan pranoi të enjten se materiale të ndjeshme janë gjetur në garazhin e shtëpisë së tij në Delaware. Shtëpia e Bardhë i është shmangur pyetjes se a do të ofrohen listat e vizitorëve.

Të enjten, prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland, njoftoi se më 20 dhjetor është zbuluar grumbulli i dytë i dokumenteve në shtëpinë private të presidentit në Delaware.

Duke i përmendur “rrethanat e jashtëzakonshme”, Garland-i e emëroi Robert Hur-in, ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë gjatë pushtetit të ish-presidentit Donald Trump, për të udhëhequr një hetim për dosjet e zbuluara në shtëpinë dhe në një ish-zyrë të Bidenit.

Kevin McCarthy, kryetar i porsazgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve, e vuri në pikëpyetje kohën e zbulimit të grumbullit të parë të dokumenteve, të cilat janë gjetur më 2 nëntor, por lajmi u publikua të hënën, dhe e akuzoi presidentin se me vetëdije i ka trajtuar pa kujdes letrat e ndjeshme.

“Ai me vetëdije e diti se kjo ka ndodhur duke hyrë në zgjedhje, duke hyrë në intervista. Kjo është ajo që e bën Amerikën të mos i besojë qeverisë së vet”- tha McCarthy të enjten.

Republikanë të tjerë kërkuan që presidenti ta publikojë listën e të gjithë personave që e kanë vizituar shtëpinë e tij në Delaware.

James Comer, kongresist nga Kentucky dhe shef i Komisionit për Mbikëqyrje në Dhomën e Përfaqësuesve, tha: “Duhet të dimë për të gjithë ata që kanë pasur qasje te presidenti.”

Republikani nga Koloradoja, Ken Buck, i shkroi letër Shtëpisë së Bardhë, duke bërë thirrje që presidenti, t’i publikojë të gjitha listat e vizitorëve.

Elise Stefanik, republikane nga Nju Jorku, tha se listat e vizitorëve janë “çështje e qartë e sigurisë kombëtare”.

Edhe paraardhësi i Bidenit në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, është nën hetime nga Departamenti i Drejtësisë, pasi më shumë se 300 dosje të klasifikuara, përfshirë disa me shenjat “Sekret” dhe “Tepër Sekret”, u zbuluan nga agjentët e FBI-së që po zbatonin një urdhër bastisjeje vitin e kaluar në shtëpinë e tij në Florida.

Duke folur para gazetarëve të enjten, presidenti Biden përsëri tha se avokatët e tij i kanë njoftuar zyrtarët për gjetjen e dokumenteve dhe se ai e merr këtë çështje seriozisht.

Lajme të ngjashme