Avokati i emëruar nga Trump caktohet këshilltar special në hetimin për Biden: Çfarë do të ndodhë?
Prokurori i Përgjithshëm i ShBA-së, Merrick Garland, ka emëruar një këshilltar special për të hetuar mbi dokumentet sekrete të zbuluara në pronat e presidentit Joe Biden, nga koha kur ai ishte zëvendëspresident.
Emërimi i Robert Hur, një ish-prokuror federal i emëruar nga Trump dhe ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë, ishte një vendim i shpejtë i marrë nga Garland në mënyrë që të parandalohen akuzat e mundshme për konflikte politike apo ndërhyrje.
Sipas CNN në urdhërin e nënshkruar nga Garland, Hur do të jetë përgjegjës për hetimin e lëvizjes dhe mbajtjes së mundshme të paautorizuar të dokumenteve sekrete në shtëpinë e Biden, si dhe do të ketë autoritetin për të ndjekur penalisht çdo krim që mund të rezultojë nga hetimi.
Kujtojmë se, presidenti Joe Biden tani do të përballet me një hetim të posaçëm pas zbulimit të dosjeve të klasifikuara nga epoka Obama, në zyrën e tij private në Uashington si dhe në shtëpinë e tij në Delaware.
Ky zhvillim, është mjaft i rëndësishëm për presidencën Biden, e marrë parasysh edhe afrimin e ciklit zgjedhor mund të jetë edhe një pengesë e rrezikshme. Megjithatë, deri më tani ekipi i Biden ka mohuar çdo keqbërje dhe ka parashikuar se ai do të pastrohet nga çdo kriminalitet.
A mund të akuzohet Biden?
E thënë thjesht, varet nga faktet dhe koha. Rregulloret e Departamentit të Drejtësisë bllokojnë prokurorët federalë që të padisin një president në detyrë. Prandaj, edhe nëse Hur arrin në përfundimin se Biden ka shkelur ligjin, ai nuk mund ta akuzojë Bidenin ndërsa ky i fundit është ende në Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë, nëse hetimi zvarritet deri pas zgjedhjeve presidenciale të 2024 dhe Biden humb zgjedhjet, teorikisht, me përfundimin se ai ka shkelur ligjin, Hur mund ta padisë Biden në vitin 2025.

