Shtëpia e Bardhë konfirmon gjetjen e dokumenteve shtesë në garazhin e rezidencës së Biden - NACIONALE

Shtëpia e Bardhë konfirmon gjetjen e dokumenteve shtesë në garazhin e rezidencës së Biden

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se janë gjetur edhe më shumë dokumente të klasifikuara në shtëpinë e Joe Biden në Wilmington, Delaware, si dhe ka bërë të ditur se në pronat e Biden, ka përfunduar kërkimi për materiale sekrete të kohës së tij si zëvendëspresident.

“Pas zbulimit të dokumenteve qeveritare në Qendrën Penn Biden në nëntor 2022, dhe duke u koordinuar ngushtë me Departamentin e Drejtësisë, avokatët e Presidentit kanë kontrolluar rezidencat e Presidentit, Wilmington dhe Rehoboth Beach, Delaware – vendet e tjera ku dosjet nga koha e tij si zëvendëspresident mund të jenë dërguar gjatë tranzicionit të vitit 2017. Avokatët e kanë përfunduar kërkimin mbrëmë,” – është deklaruar këshilltari special i Presidentit, Richard Sauber.

Më tej në deklaratë thuhej se, “gjatë kërkimit, në mes të disa dokumenteve personale dhe politike, avokatët gjithashtu kanë gjetur të dhëna sekrete shtesë të administratës Obama-Biden”.

Është bërë e ditur se të gjitha dokumentet, përveç njërit janë gjetur në një hapësirë të ruajtjes në garazhin e rezidencës Wilmington.

Këshilltari i Biden, Sauber ka njoftuar se të gjitha dokumentet e gjetura i janë dorëzuar Departamentit të Drejtësisë. Ndërsa, sipas The Guardian, mendohet se administrata ka kërkuar që me hetimin mbi materialet të merret avokati amerikan i emëruar nga Donald Trump, John Lausch.

Lajme të ngjashme