Kapja vazhdon: Anëtari i VV-së e shoku i studimeve të Kurtit, zgjidhet rektor i Universitetit të Gjilanit
Artan Dërmaku, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, është zgjedhur rektor i Universitetit “Kadri Zeka” të Gjilanit. Përveç anëtar i LVV-së, Dërmaku është edhe shok i studimeve të kryeministrit Albin Kurti, i cili e kishte prezantuar në ditën kur u anëtarësua në LVV. Një zgjedhje e tillë, është kundërshtuar nga opozita, duke e cilësuar si rektor partiak. Dhe kjo s'është hera e parë që VV-ja dhe pushteti i sotëm vepron kështu me universitet publike. Çka ndodhi në Gjilan?
Këshilli Drejtues i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka njoftuar se në mbledhjen e mbajtur dje, pra të enjten, me votim të fshehur është zgjedhur rektori i ri me emrin Artan Dërmaku. Në këtë funskion, Dërmaku, pra anëtar i VV-së, do të qëndrojë për katër vite.
“Sipas statutit të Universitetit të Gjilanit ‘Kadri Zeka’ dhe rregullores së Këshillit Drejtues të UKZ-së, rektorin e zgjedh Këshilli Drejtues nga lista e kandidatëve të propozuar nga komisioni profesional, i zgjedhur nga Senati i Universitetit. Rektori është zgjedhur duke marrë shumicën e votave të anëtarëve të përgjithshëm në pajtim me dispozitat e këtij statuti.” - thuhet në komunikatë.
Por këtë zgjedhje e ka kundërshtuar Jehona Lushaku-Sadriu, zyrtare e lartë e LDK-së. Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, që njëherit është profesore në UP, e ka cilësuar Dërmakun si rektor partiak. Tutje, zonja Lushaku vlerësoi se “ndryshimi” po e merr formën e kapjës së institucioneve.
“Anëtari i VV-së, rektor i Univeristetit të Gjilanit!
Thonin që do t‘a bëjnë ‘çkapjen’...
‘Çkapje’ duke zgjedhur anëtarin e VV-së rektor të Universitetit të Gjilanit?! Rektor partiak?!
‘Ndryshimi’ i kërkuar po merr formë: Kapje e të gjitha institucioneve publike nga partia në pushtet.” – shkroi ai.
Dërmaku është anëtarësuar në vitin 2018 në LVV, ku e kishte mirëpritur i pari i kësaj partie, Albin Kurti, i cili kishte treguar se Dërmakun e ka edhe shok të studimeve. Madje, Kurti kishte shkruar edhe fjalë miradie, duke treguar për studimet e Dërmakut, një çmim të fituar e punën dy-vjeçare në kompaninë e njohur “Siemens”.
“Jemi të së njëjtës gjeneratë dhe kemi studiuar bashkë në Fakultetin e Elektroteknikës. Tash do të jemi sërish bashkë në Lëvizje. Prof.Dr. Artan Dërmaku sot u anëtarësua në VETËVENDOSJE!. Shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në Prishtinë, kurse studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin Teknik të Vjenës (TU Ëien) në Austri, në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike. Temën e diplomës e kishte të orientuar në zhvillimin e Algoritmeve Heuristike “Generalized Hypertree Decomposition based on Hypergraph Partitioning”, kurse atë të doktoraturës në fushën e Mekatronikës “Path recognizing for Mobile and Humanoid Robots through loë cost sensors”. Është fitues i çmimit ndërkombëtar “Fred Margulies Preis 2012” i cili u jipet shkencëtarëve më të mirë në Austri.” – shkruante Kurti në vitin 2018.
Por ky nuk është shpërblimi i parë që Dërmaku e mori nga VV-ja. Në vitin 2020, gjatë qeverisjes së parë të Kurtit, Dërmaku ishte zgjedhur në bordin e përkohshëm në Infrakos nga ana e ministres Rozeta Hajdari. Madje, personalisht ministrja e kishte arsyetuar në mënyrë banale këtë vendim, duke thënë se Dërmaku nuk ka “post në strukturat e LVV” dhe se “nuk vjedh”.
“Dje në mbledhjen e Qeverisë kemi shkarkuar bordet ekzistuese e më pas kemi emëruar bordet e përkohshme për Postën e Kosovës, Hekurudhat e Kosovës - Infrakos dhe KRU "Prishtina". Këto janë borde të përkohshme dhe emergjente të pranverës, të cilat nuk do t'i zë vjeshta aty. I kemi për ta ndalur gjakderdhjen financiare dhe rënien e lirë të ndërmarrjeve jetike për qytetarët. Mentor Hyseni e Artan Dërmaku njëmend janë anëtarësuar së voni në LVV por ata janë profesionistë të sprovuar të Kosovës e jo militantë partie politike. Janë njerëz që ju beson Qeveria dhe që nuk vjedhin. Bordi i përkohshëm bën punë ekipore dhe ka vendimmarrje kolektive me shumicë votash. Artan Dërmaku dhe Mentor Hyseni nuk kanë asnjë post në strukturat e LVV. Bordi i ri me mandat të plotë përzgjidhet përmes një procedure të hapur dhe transparente të konkurrimit jo më larg se gjashtë muaj prej tani.” – shkruante ministrja Hajdari.
Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që LVV-ja vendos njerëzit e saj në universitetet publike, pasi muaj më parë, vëllai i asamblistes së zellshme të VV-së në Prizren, Dafina F. Alishani, z. Mentor Alishani ishte zgjedhur rektor i Universitetit "Ukshin Hoti".
