“Kapitullojnë” analistët e pushtetit: Gjinovci e Gashi e “lavdërojnë” marrëveshjen e Kurtit, Pozhari krejt “out”
Me pajtimin për të nënshkruar një marrëveshje të re për normalizimin e mardhënive mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri i Kosovës ka heqë dorë nga njohja reciproke dhe nga refuzimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Krahas këtyre dyjave, me këtë hap Kurti e ka lënduar seriozisht edhe kredibilitetin e analistëve që e përkrahin atë.
Analistët pro-qeveritar, ose refuzuan ta pranojnë se Kurti është pajtuar për një marrëveshje që parasheh Asociacionin ose e vlerësuan ASK-në si pjesë e një marrëveshje ideale për Kosovën.
Në pjesën e parë do i diskutojmë postimet me besime të verbra të analistëve pro-qeveritar dhe në të dytën si gjithmonë seksizmin në skenën politike dhe publike kosovare, ketë herë nga vetë gratë.
Postimi nr.1: Shkelzen Gashi
“paska përfundu takimi kurti-vučić në bruksel. ashtu siç kam thanë: kurti s'e pranon asociacionin. lleo, unë s'po vij sonte në emision. lëshoje videon çka kam thanë në emisionin e fundit dhe të parafundit.” - ka shkruar Gashi pasi u publikua marrëveshja e 27 shkurtit.
Komenti:
Tash që Kurti e ka pranuar Asociacionin, apo Zajednicën siç kishte dëshirë ta quante një kohë, Shkëlzen Gashi duhet t'i kërkojë Lleos një favor: që t'i fshijë videot ku Shkëlzen Gashi e lë fatin e fytyrës së tij në duart e Albin Kurtit. Si duket Shkëlzen Gashi nuk e njeh fare Albin Kurtin. Për përkrahësit e vet, Albin Kurti qenka si një bjeshkë: sa më afër saj, aq më pak pjesë të saj sheh. Edhe përkrahësit e Albin Kurtit qenkan kështu: sa më afër tij, aq më larg të vërtetës për të.
Postimi nr.2: Rron Gjinovci
“Nji mesazh për lluzerat e regjimit të vjetër. Kapne more mytne vetën”, “Marrëveshje perfekte” dhe A bon une me nenshkru qat draft ju lutna.” - janë tre statuse që ka shkruar me publikimin e propozimit evropian.
Komenti:
E para, nuk e di, se si një aktivist mundet t’i kërkojë dikujt ta vras vetën. Supozohet se aktivistët e bëjnë të kundërtën, zhvillojnë fushata për vetëdijësimin dhe për parandalimin e vetëvrasjeve. Tani njërzit që mendojnë se kanë dështuar në jetën e tyre dhe e kanë parë videon e Gjinovcit, çka kanë menduar ose vepruar? Dobët shumë, Rron Gjinovci. Është një status skandaloz edhe për standardet e Gjinovcit.
Tjetra, edhe Gjinovci si Gashi, kur ka folur për Asociacionin, në një postim të gazetarit Berat Buzhalës me 26 janar, ka thënë se kurrë nuk e pranon asociacionin. Fjala “kurrë” nuk duhet përdoret kaq lehtë në publik. Kurrë. Ha ha ha. A kanë more këta njerëz përgjegjësi për fjalën që e thonë?

Postimi nr.3: Xhevdet Pozhari
“U dogjën opozita nga përmbajtja e marrëveshjes. Me sa duket as ata vetë nuk e kanë besuar se Albin Kurti mund ta rehabilitojë dëmin që ja kanë shkaktuar Kosovës pushtetet e mëparshme. Ishalla po ju del flaka prej inatit.” – shkroi Pozhari.
Komenti:
Dëmi nuk rehabilitohet. Dëmi mund të sanohet. Njerëzit mund të rehabilitohen. Si për shembull Oliver Ivanoviq, të cilin Albin Kurti u mundua ta rehabilitojë, normalisht pa sukses.
Fjalori i gjuhës së ëmbël shqipe ka këtë shpjegim për “rehabilitimin”:
Rehabilit/ój folje kalimtare; -óva, -úar i ligjërimit libror; i kthej ose i vë përsëri në vend emrin e mirë ose nderin që i ishte përlyer; e quaj përsëri të mirë ose të vlefshëm (një teori etj.).
Postimi nr.4: Jeta Xharra
“Qe një shembull ku emisioni ma i njoftun në ShBA ku edhe prezantuesja edhe intervistuesja (të dyjat të njohura) janë super modeste edhe në grim edhe në veshje dhe po rrezatojnë super profesionalizëm”, shkruan gazetarja Jeta Xharra.
Koment:
Ky është një sterotip seksist. Jeta Xharra me këtë postim, me apo pa dëshirën e saj, po iu bashkohet të gjithë atyre që gratë, pavarësisht pozitës dhe eksperiencës së tyre, i reduktojnë në pamjen dhe paraqitjen e tyre fizike. Më saktë edhe Xharra, gratë i gjykon dhe i merr seriozisht vetëm në bazë të pamjës së tyre, si çdo seksist tjetër.
Ky postim është seksist, sepse tenton t’i kufizojë gratë dhe dëshirat e tyre. T’iu tregojë grave si duhet të duken, sillen, veprojnë dhe në fund se vlerësohen vetëm sipas pamjës së tyre.
Pjesa tjetër ku ngatërrohet zonja Xhara është që e merr shembull, kryeministren e Finaldës, Sanna Marinin, për t’iu vënë kushte grave, për dukjen dhe veshjen e tyre. Pikërisht është Marin që është sulmuar me argumentet e zonjës Xharra, se ajo nuk veshet në përputhje me postin që ka. Se veshja dhe jeta e saj nuk janë të përshtatshme për një politikane dhe kryeministre. Por, është Sanna Marin, që nuk po ndalet së rezistuari dhe sfiduari këto kushtëzime dhe paragjykime.

