Marrëveshja e Brukselit: A është Albin Kurti tradhtar apo fitimtar?
Albin Kurti ishte dje në Bruksel, ku u takua me Aleksandar Vuçiqin. Nuk dihet se kur do të kthehet trimi nga kurbeti. Përtej kohës së kthimit, më e rëndësishme është ajo se si do të kthehet Kurti nga kryeqendra evropiane. Tradhtar apo fitimtar - është logjika e dyzuar me të cilën tashmë kanë filluar të operojnë politikanët e analistët pas publikimit zyrtar të marrëveshjes evropiane, i cila ende nuk është nënshkruar përkundër që Kurti ishte i gatshëm ta hidhte nënshkrimin e tij.
Në vështrimin tim, Kurti është edhe “tradhtar”, edhe “fitimtar”. Për ta shpjeguar këtë qëndrim, duhet analizuar propozimi franko-gjerman përbrenda historisë së gjatë, shpesh të trazuar, të Kurtit me dialogun në Bruksel. Nëse lexohet e dekontekstualizuar nga historia politike e Kurtit, atëherë kryeministri, pa fije dyshimi, do të quhej fitimtar, pasi ka siguruar një njohje de facto të fortë nga Serbia. Ndërsa përbrenda historisë, Kurti është “tradhtar” i bindjeve të tij, pasi nga protestuesi që e “kundërshtonte tregtimin me sovrantitet”, ai është kthyer në një kryeministër që e negocion rregullimin e brendshëm të Kosovës. Është një kapërcim kardinal, për të cilin Kurti do të dënohet ose shpërblehet nga votuesit e tij në zgjedhjet e ardhshme.
Nga një pikëpamje kozmike, dje Kurti personalisht doli humbës në marrëveshjen e Brukselit, ndërsa Kosova shënoi një “gjysmë-fitore”. Përderisa Kurti, nëpërmjet gatishmërisë për ta nënshkruar marrëveshjen, hoqi dorë nga disa prej bindjeve të tij të viteve më parë, Kosova nxori një marrëveshje mesatarisht të mirë. Pra Kosova arriti një “fitore të hidhur”, pak a shumë sikurse ajo e Pirros. Nëse e vazhdojmë metaforën me personazhe nga lashtësia, marrëveshja e Brukselit ka një “thembër të Akilit” në përmbajtje. Janë nenet 6, 7 dhe 10, përfshirë disa rreshta të pjesës hyrëse, të cilët mendjet e ndritura i quajnë “preambulë”, që janë lehtësisht të kritikueshme.
Dy ditë para se të mbahej takimi i 27 shkurtit mes Kurtit e Vuçiqit, nxora nga biblioteka ime personale një libër, të cilin e kishte mbuluar një çikë pluhuri. Libri “i pluhurosur”, me titull “Zgjohu për rezistencë drejt lirisë”, e ka autor Albin Kurtin, kryenegociator i Kosovës. I shfletoja faqet ngadalë, duke i lexuar me shpejtësi ca paragrafë, ku Kurti i kundërshtonte të gjithë pjesëmarrësit në negociatat në Vjenë, duke i akuzuar se po e “bosnjëzonin” Kosovën. Si përkrahës kritik i tij, e lexoja librin e Kurtit të vjetër, duke shpresuar se ky i riu, pra Kurti negociator, nuk do të harronte se çfarë kishte shkruar 20 vite më parë rreth negociatave për statusin final të Kosovës. Besoja në “mospluhurosjen” e kujtesës së Kurtit, politikani që më së shumti u është referuar të kaluarës e historisë si pikënisje për negociata me Serbinë.

Që nga momenti kur u publikua marrëveshja evropiane, një pyetje më vërtitet në kokë: çfarë të bëj me librin që për autor e ka Kurtin? Ta djeg, ta hedh në bërllok apo ta rilexoj si një ngushëllim për marrëveshjen që parasheh “vetë-menaxhim” për serbët në Kosovë, e që në praktikë është një hyrje në autonomi vetëqeverisëse? Po aq i rrezikshëm është edhe zotimi për “formalizimin” e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, gjë që Kurti i vjetër e kundërshtonte fuqishëm në librin e tij. Fjalia e fundit e nenit 10 është po aq problematike, pasi e parasheh zbatimin e marrëveshjeve të së kaluarës, ku hyn edhe Asociacioni, ndaj të cilit kam protestuar në organizimet e VV-së. Frika ime është se tash do të jem i vetmuar në kundërshtimin ndaj Asociacionit, pra pa Kurtin, pa VV-në e pa të gjithë ata që protestonin në vitet 2015 e 2016. Kapërcimi i së kaluarës, ashtu siç shkruhet në preambulë, është një çështje tjetër e diskutueshme. Andaj, në këtë kontekst, Kurti është një “tradhtar”. Një Albin i tillë nuk meriton të jetë autori i librit “Zgjohu për rezistencë drejt lirisë”.
Sigurisht, marrëveshja ka edhe pjesë të mira. Nenet 1 dhe 2, ku flitet për barazinë në të drejta e përmendet Karta e OKB-së për barazinë sovrane të të gjitha shteteve, janë dy nga nenet më të dashura për mua në këtë marrëveshje. Në përshtypjen time, kjo është një njohje de facto shumë e fortë, duke vendosur një simetri të barazisë dhe të sovranitetit mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas meje, më shumë se kaq, nuk do të ndodhë asnjëherë, pasi njohja de jure nga ana e Serbisë është e paimagjinueshme sot dhe në të ardhmen e parashikueshme. Neni 4 është, po ashtu, “nen bukurosh”, që mund të shfrytëzohet për t'u krekosur me marrëveshjen, pasi qartazi e vendos parimin e përfaqësimit të pavarur të Kosovës dhe Serbisë në arenën ndërkombëtare. Misionet e përhershme, që parashihet të shkëmbehen mes palëve, janë një risi e mirë, pasi zyrën aktuale të ndërlidhjes së Kosovës në Serbi e dërgon në një status më të rëndësishëm diplomatik. Këto nene dhe një rresht i preambulës e bëjnë këtë marrëveshje disi të mirë, pra një fitore të hidhur.
Megjithatë, marrëveshja është gjysmake, pasi nuk është as përfundimtare, as ligjërisht e obligueshme e as traktat mes dy vendeve. Gjuha e dykuptimtë, e cila quhet kreative, e shndërron marrëveshjen në një tavolinë suedeze, në të cilën palët mund të zgjedhin në mënyrë selektive që ta citojnë cilindo nen që e “konfirmon” fitoren e tyre. Në fund, Qeveria e Kosovës duhet ta kërkojë nga sponsorizuesit e marrëveshjes dërgimin e saj në Sekretariatin e OKB-së për ta regjistruar si “traktat apo marrëveshje” sipas së drejtës ndërkombëtare.

