"Kapet duke bërë hile": Kurti 'përdredh' në favor të vetes raportin e Bankës Botërore që i jep merita edhe qeverive të kaluara
S’i ka as dy ditë kur Lëvizja Vetëvendosje pësoi debakël në marrëdhëniet me publikun me “rastin e 4.2 miliardëshit” ku tekstualisht Kosovën e paraqitën si përfituesen e vetme të një programi të Tregut të Përbashkët të BE’së, kështu duke dhënë “lajmin e rremë” më të madh kohëve të fundit. E tash, dy ditë më vonë, sërish Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, provoi të çorientonte duke dhënë një të vërtetë të lakuar në favor të vetes.
Në një cicërimë në Twitter ku po shpërndante një raport të Bankës Botërore për Kosovën, Kurti i dha një “përdredhje” (spin) tekstit brenda raportit.
“Krahasuar me para 10 vite Kosova ka rritur për 50 për qind të ardhurat dhe ka zvogëluar me 35 përqind shkallën e varfërisë”, ka shkruar Kurti në Twitter.
High praise for Kosova from the @WorldBank this week. According to the institution, compared to 10 years ago Kosova has increased per capita income by 50% & lowered the poverty rate by 35%, "outperforming peer countries of similar per-capita income." https://t.co/sPkRslRlFw
— Albin Kurti (@albinkurti) May 14, 2023
Ku është hilja?
Në raportin e Bankës Botërore kjo frazohet krejt ndryshe. Nuk thotë “krahasuar me para 10 viteve” por “gjatë dekadës së shkuar”. Këto dy shprehje shënjojnë krejt tjetër gjë.
Kurti shënjon krahasim dy-polësh: SOT krahasuar me PARA DHJETË VITESH; ndërkaq ajo e Bankës Botërore thotë se progresi ekonomik ËSHTË BËRË GJATË DEKADËS SË FUNDIT. Pra, është në të vazhdueshmen, e jo në formën e pikëprerjes së tashmes me të kaluarën.
“Kosova ka përjetuar progres të qëndrueshëm ekonomik gjatë dekadës së fundit, me një rritje prej afro 50 përqind të të ardhurave për kokë banori dhe një ulje prej 35 përqind të shkallës së varfërisë. Ajo ka kaluar me sukses nga një model rritjeje i bazuar në varësinë e lartë nga flukset hyrëse të ndihmës së huaj, duke tejkaluar vendet homologe me të ardhura të ngjashme për frymë falë një zgjerimi të vazhdueshëm të konsumit dhe investimeve, me një shtysë të fortë nga flukset hyrëse të diasporës, investimet publike në infrastrukturë, dhe thellimi financiar, në kushtet e një qëndrimi të qëndrueshëm fiskal dhe një mjedisi me inflacion të ulët. Megjithatë, pavarësisht një dekade progresi, papunësia dhe varfëria mbeten të larta”, shkruhet në raportin e Bankës Botërore.

Për këtë gjë ka reaguar edhe ish-kryeministri kosovar, Avdullah Hoti.
“Banka Botërore po thotë se: 'Kosova ka përjetuar progres të qëndrueshëm ekonomik gjatë dekadës së fundit, me një rritje prej afro 50 përqind të të ardhurave për kokë banori dhe një ulje prej 35 përqind të shkallës së varfërisë'. Këtë të vërtetë tani po e pranojnë majtistët në pushtet”, ka shkruar Hoti.
“Pra, pavarësisht sfidave, Kosova qenka zhvilluar nga 'regjimet e kaluara' e jo varfëruar, siç bëjnë propagandë mashtruesit. Mashtrimet e opinionit po marrin fund. E vërteta mbizotëron gjithmonë”, përfundoi ai.
Rrena me 4.2 miliardëshin
Para dy dite do të ishte një situatë tejet turpëruese për lëvizjen e kthyer në parti, Vetëvendosjen. Dolën me një njoftim në Facebook se si Kosova ishte bërë përfituese e 4.2 miliardë eurove në një program të Përbashkët të Tregut të BE’së. Asnjë fjalë askund nuk shënonte që s’ishte vetëm Kosova përfituese e këtij fondi. E kishin përvetësuar në plotni. Megjithatë, pas raportimit të gazetarit të Nacionales, Flakon Demaku, e tëra u kthye përmbys. Njoftimi u fshi, u ri-editua dhe u shkaktua një heshtje e paprecedentë te ta.

Sipas shpjegimit në faqën zyrtare të Komisionit Evropain, “Single Market Programme” është një paketë ndihmë financare në vlerë 4.2 miliardë euro për një treg të përbashkët apo të brendshëm ku lëvizja e mallërave, shrbimeve dhe njerëzve është e lejuar.
Ky program synon ta ndihmojë tregun evropian të arrijë potencialin e plotë duke siguruar rimbëkëmbjen e Evropës nga pandemia Covid-19.
“Programi “Tregu i përbashkët u mundëson qytetarëve të jetojnë, punojnë dhe udhëtojnë kudo që dëshirojnë dhe u ofron konsumatorëve mbrojtje dhe zgjedhje më të madhe të produkteve dhe shërbimeve me cilësi të lartë me çmime më të ulëta me një buxhet prej 4.2 miliardë eurosh për periudhën 2021-2027.” – thuhet në njoftimin e këtij institucioni të BE-së.
Pra, 4.2 miliardë euro është vlera totale e këtij programi të BE-së që u mundëson vendeve pjesë të këtij programi të zhvillojnë tregun e tyre./Nacionale/
