'Mezi pritnin' për të goditur mediet rivale, Kallxo s'e ndëshkon VV-në për rrenën e madhe
Partia në pushtet, Vetëvendosje, e bëri një rrenë të madhe por e cila nuk është sanksionuar si rrenë nga verifikuesi i fakteve në mediumin Kallxo.com, që mezi pret të 'godas' mediet rivale. Pse një gjë e tillë kundërmon rëndë?
Partia në pushtet përmes faqes së saj zyrtare shkroi se “4.2 miliardë euro i përfiton Kosova nga programi i BE-së “Tregu i Përbashkët”. Madje, Vetëvendosje u ngut që të bënte edhe një foto-lajm me në pretendim të tillë.
Por, nuk u desh shumë që të vërtetohej se ajo që po thoshte Vetëvendosje ishte një dezinformatë, pra rrenë.
Vetëvendosja do ta ndryshonte postimin e saj, por vetëm pas katër orësh e 37 minutash, dhe më e rëndësishmja vetëm pasi kishte marrë saktësisht 700 reagime në versionin ku thuhej dezinformata. Gjithsej, për dy ditë ky postim i ka marrë vetëm rreth 900 reagime.

Për më tepër, shumë qytetarë do të shkruanin komente të ndryshme të bazuara te një informacion i tillë:

E megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar që rrena e Vetëvendosjes të cilësohet si “informacion fals” apo “informacion çorientues” nga verifikuesi i fakteve që punon si palë e tretë për Facebook në vendin tonë me emrin Krypometër. Krypometri në fjalë është pjesë e portalit Kallxo.com, pjesë e sferës mediale të Kosovës.
Megjithatë, ky medium 'mezi ka pritur' të godas përmes këtij mjeti mediet rivale në të kaluarën duke i klasifikuar shumë prej artikujve si "çorientues" apo që përmbanin "informacione false".
Për shembull, në listën e kërkimeve për lajmet të cilat janë cilësuar si të rreme, mund ta gjeni edhe një të titulluar “Rrena për deklaratën e Kurtit për vota” dhe e cila është shumë, po shumë qesharake.


Aty ishte një fotografi e kryeministrit Kurti e bërë qartazi montazhë me një letër të bardhë ku shkruhej: “A më votoni prapë? Komento PO ose JO!” Dukej ashiqare se fotografia ishte bërë në mënyrë që të nxiteshin qytetarët për të komentuar nëse do ta votonin përsëri ose jo kryeministrin e vendit. Dukej ashiqare se kryeministri nuk kishte thënë “A më votoni prapë? Komento Po ose Jo!” me një letër në dorë. Por, ky verifikues faktesh për arsye që nuk mund të kuptohen vendosi ta cilësonte si “rrenë”.
Merreni me mend tash sikur ju të bëni ndonjë sarkazmë me kryeministrin Kurti për ndonjë gjë, t’i vendosni ta zëmë ndonjë mbishkrim për të krijuar ndonjë efekt por pa pretenduar se ato fjalë i ka thënë Kurti?! Eh, liria e shprehjes po na del si 'shkencë raketore' me rste.
Por, Kallxo.com ishte zënë madje edhe duke bërë fake-news nga Nacionale dhe ndaj saj nuk ishte marrë asnjë masë nga Krypometri që është pjesë e saj.
"Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi është kthyer mbrapa në pikë-kalimin kufitar me Serbinë, në Merdarë." – thoshte ky portal në artikullin e titulluar fillimisht “Besnik Bislimit nuk i lejohet hyrja në Serbi”.

Por, kjo doli se nuk kishte qenë e vërtetë.
Më pas, kjo pjesë ishte hequr fare – sepse Bislimi në fakt nuk ishte kthyer mbrapa në pikë-kalimin kufitar me Serbinë, në Merdarë – dhe titulli i artikullit kishte ndryshuar.
Për dallim nga Krypometri, një tjetër verifikues faktesh i quajtur “Hibrid.info” do ta cilësonte si dezinformatë pretendimin e VV-së për 4.2 miliardë eurot.

“Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë njoftim të LVV-së si “Dezinformatë”. Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë.” – shkruan Hibrid.
