Kalon në Kuvendin e Kosovës rezoluta për gjyqin në Hagë, LDK s’merr pjesë në votim
Ka kaluar në Kuvendin e Kosovës me 90 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim rezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës rreth gjyqit në Hagë. Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në votim.
Rezoluta, e cila ishte në pikën e tretë të rendit të ditës, u kërkua nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që të vendoset në pikën e parë për shkak të një angazhimi të deputetit Ramush Haradinaj.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda prezantoi rezolutën duke thënë se është hartuar nga një grup i profesorëve mbi 300 anëtarë.
Shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku kërkoi në emër të partisë që të shtohet edhe një pikë.
“Kjo rezolutë kërkon nga të gjitha institucionet e rendit dhe ligjet e Kosovës, si dhe inkurajon mbështetjen ndërkombëtare për intensifikimin e përpjekjeve drejt zbardhjes së plotë të gjitha vrrasjeve të pazbuluara të ndodhura gjatë dhe pas luftës në Kosovë…” – tha ajo.
Këtu u përgjigj Gruda, duke u shprehur:
“Ky është një tekst i sjellur nga një grup i profesorëve mbi 300 anëtar, nuk është një tekst i haertuar nga partia dhe vetëm ka pasur një dakordim…mendoj që është e pamundur të bëjmë ndonjë ndryshim sepse nuk është tekst i yni”.
Më pas vijoi votimi i rezolutës, tekstin e së cilës e gjeni më poshtë:
- KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, duke respektuar gjithashtu parimet e transparencës, llogaridhënies dhe kultivimit të besimit të publikut në drejtësi.
- KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të akuzuarve, përfshirë edhe detyrimet që burojnë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
- KËRKON nga Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara, përgjegjësia ekskluzive e të cilit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që të veprojë me pavarësi dhe paanësi të plotë në ushtrimin e këtij funksioni, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe aktet e standardeve ndërkombëtare lidhur me këtë funksion.
- INKURAJON të gjitha shtetet demokratike, përfshirë ato financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të bashkohen në thirrjen tonë për respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm – standarde këto që burojnë nga tradita kushtetuese e të gjitha shteteve demokratike dhe akteve e rekomandimeve të miratuara nga mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë, por pa u kufizuar, nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
- INKURAJON mekanizmat monitorues për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare e vendore, për monitorim të shtuar të pajtueshmërisë së funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në procese gjyqësore dhe raportimin e shkeljeve të evidentuara.
- KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin për sigurimin e të gjitha mekanizmave, përfshirë ato financiare, në mbështetje të të drejtave të mbrojtjes së udhëheqësve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara.
- KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin e plotë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për afirmimin e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shenjtërisë së historisë mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës. Klan Kosova ka siguruar draft rezolutën me 7 pika drejtuar Gjykatës Speciale.