“Kali para qerres, qerrja para kalit”: Qysh s’po ecë Marrëveshja Bazë qe afro tre muaj? - NACIONALE

“Kali para qerres, qerrja para kalit”: Qysh s’po ecë Marrëveshja Bazë qe afro tre muaj?

10 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Me një idiomë si “njëherë kali pastaj qerrja”, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka provuar të artikulojë tërë qëndrimin e tij në lidhje me Marrëveshjen Bazë, kur puna viente te Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe. Me këtë “fjalë të urtë”, ai sugjeronte se gjërat s’duhet renditur asisoji që shkelin sekuencen e natyrshme të ngjarjeve. Këtë e kishte në rend të parë mesazh ndaj ndërkombëtarëve, të cilët, siç mund të deduktohet nga proverbi i Kurtit, paramendonte so po ngatërrojnë shkakun me pasojën. Kali ngren qerren dhe jo anasjelltas. Kështu linte të kuptonte edhe para se të shprehej haptaz se e kishte pranuar Asociacionin, se në fakt e kishte pranuar Asociacionin. Por, kali njëherë. Do të thotë, marrëveshja. Asociacioni ishte në karrocë si përmbajtje.

­­­­Kjo dikotomi kalë/qerre do të shihej të zbërthehej në Aneksin e Zbatimit në Ohër, në bisedimet maratonëshe të Ohrit më 17 mars, ku megjithatë, s’do të prodhohej ndonjë qartësi vetëevidente se cila do t’i paraprinte cilës, pasi që ishte vetë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili do të njofonte se “Kosova nis menjëherë – dhe kur them menjëherë them menjëherë – të zbatojë Nenin 7 të Marrëveshjes” që përkthehej në zbatim të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe. Kjo, nuk prodhonte qartësi, megjithatë. Në veçanti sepse, kjo “nis menjëherë – dhe kur them menjëherë them menjëherë” e Borrellit, shënonte si referencë palën kosovare, e jo atë serbe.

Aleksandar Vuçiq, Presidenti i Serbisë, pretendonte se nuk i nënshtrohet obligimeve të zbatimit të marrëveshjes pa nisur themelimi i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, me ç’rast arsyetonte se nuk do të zbatojë gjë të re pa u zbatuar ato të vjetrat – Asociacioni i para 10 viteve. Vuçiq e kishte shënjuar, Asociacionin si “kalë” të tij, që për kosovarët është lexuar jo për ndonjë “kalë” të vyeshëm, përveç në ndonjë analogji si “kalë trojan”. E madje, edhe kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, ai nuk e shihte si shkelje të Nenit 4 ngase pretendonte se sekuencimi nuk ia kërkonte këtë.

­Megjithatë, për Kurtin, për të kërcyer në një idiomë tjetër, Asociacionin thoshte se nuk mund ta kërkojë Serbia si “kafe pa filxhan”. Me këtë, ai linte të kuptojë se Serbia nuk mund të kërkojë diçka konkrete në Kosovë pa e njohur konkretisht Kosovën. Në atë se ena është shteti i Kosovës. Megjithatë, këto idioma, mund t’i kenë shërbyer në shpjegimin krudo të ngjarjeve, ato nuk del t’i kenë diktuar dhe ndikuar ato ngjarje.

E kam thënë më herë këtë të kërkosh Asociacion pa e njohur pavarësinë e Kosovës është sikur të kërkosh kafe pa filxhan. Nuk muj të sjelli kafe pa filxhan”, shprehej Kurti.

Megjithatë, në Marrëveshjen Bazë, njohje të pavarësisë nuk ka, por Asociacion; e madje ka edhe mosparagjykim në çështje të Statusit.

Evropianët dhe amerikanët Kosovës Asociacionin “me urgjencë”

Serbia pretendon kaherë se parakusht për zbatim të marrëveshjes e ka këtë Asociacion, me ç’rast edhe pozicioni i saj me raste është konfirmuar edhe nga ndërkombëtarët. Ishte vetë Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit i ngarkuar me çështje të Ballkanit, Gabriel Escobar, i cili më 4 maj do të thoshte se marrëveshja nis e bëhet realitet me Asociacionin. Marrëveshja, thoshte ai, është e qendërzuar në të drejtat e pakicave, e në veçanti ato të pakicës serbe. Edhe emisarit sllovak, Mirosav Lajçak, Qeveria e Kosovës është raportuar t’ia ketë refuzuar “metodologjinë” e një sekuencimi të tillë.

Kosova e ka obligim të formojë Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe, ndërkaq Serbia duhet t’i përmbush disa elemente siç janë njohja e tabelave të regjistrimit, letërnjoftimet "dhe disa gjëra të tjera". Kështu tha Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe të Eurazisë i ngarkuar me çështje të Ballkanit, Gabriel Esocbar, gjatë qëndrimit të tij në Podgoricë, ku hiç më larg se dje vlerësoi se “asnjëra palë nuk është duke e zbatuar marrëveshjen”. Ndonëse kohëve të fundit ishte rezervuar në dhënien e konstatimeve se kush-çka nuk po zbaton, Escobar tha se moszbatimi është i dypalshëm. Veç kësaj, ai tha se “nuk sheh asnjë arsye” që zbatimi i plotë i marrëveshjes të mos konkludohet “deri në fund të verës”.

Duke folur për agjencionin malazias të lajmeve "Mina" diplomati amerikan tha se "nuk sheh arsye" që deri në fund të verës implementimi i marrëveshjes të mos konkludohet. Sa i përket palës serbe, janë disa elemente që ajo duhet t'i përmbush: "njohja e tabelave të regjistrimeve, letërnjoftimet dhe disa gjëra tjera", u shpreh ai. Kosova, ndërkaq, duhet të formojë Asociacionin. "Më vjen keq, kjo nuk është pritshmëri. Është obligim", tha Escobar.

Që të dyja këto procese, ShBA pret që të ndodhin sa më parë. Escobar u shpreh optimist se qëllimi do të arrihet teksa u shpreh mirëbesues se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “mund të tregojnë guximin politik të nevojshëm për të ndërmarrë hapat e duhur”.

Emisari amerikan sërish iu kthye një gjëje që ai e sheh të nevojshme “për ta kuptuar”. Se serbët e Kosovës “janë shtetas të dyfishtë”. Këtë gjë Escobar e ka mbajtur si të qëndrim të kahershëm për të cilën ShBA shtyn para. Megjithatë, sipas tij, ShBA këtë Asociacion e sheh krejtësisht në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Asociacioni është një mundësi për Kosovën që të sigurojë shërbime komunale për njerëzit e shtetit të tyre që flasin gjuhën serbe. Është mënyrë për t’ua hapur derën për integrim më të madh të minoritetit serb në strukturat e Kosovës. Ky gjithmonë ka qenë qëndrimi ynë. Ne duhet të kuptojmë se ata janë shtetas të dyfishtë. Ne dëshirojmë që ta bëjmë në atë mënyrë që nuk krijon problem me Kushtetutën”, tha ai.

“Më duhet të them se asnjëra s’po zbaton marrëveshjen, dhe më duhet të them që ne duhet të ecim përpara me te gjitha elementet përfshirë dhe specifikisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ne po presim versionin e Kosovës për statutin e Asociacionit, e kjo duhet të bëhet tash”.

Asociacioni i Escobar-it, edhe i Kurtit

Këshilltari i Lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe Zëvendë Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Eurazisë, Gabriel Escobar, do të botonin më 31 janar një Op/Ed me titullin “Koha për të themeluar Asociacionin/Zajednicën është tani”. Aty shpjegohej se “çka është” dhe “çka nuk është” ky Asociacion për nga botëvështrimi amerikan. Aty kishin skicuar se si këtij Asociacioni i paramendohej një rol koordinues mes këtyre komunave.

Një a dy muaj më vonë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë vizion të amerikanëve e kishte bërë të tij, natyrisht në heshtje. Në bisedimet maratonëshe të Ohrit ai atë Op/Ed e kishte bërë njërën nga tri shtyllat e tij, krahas kushtetuetshmërisë (2015) dhe garancës së BE’së (2015) të artikuluar në Letrën e Federica Mogherin-it. Ishte vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili të nesërmen në konferencë për media ankohej për këtë qëndrim të Kurtit. “Si mund të jetë një Op/Ed burim i së drejtës?”, pyeste ankueshëm ai në frekuencat kombëtare të televizioneve serbe.

Muaj më vonë, kur u shpalos Draft-Statuti nga Ekipi Menaxhues, një draft i cili nuk mbante as erë konsiderate për aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, Kurti doli nga takimi sërish duke u thirrir në “shtyllën amerikane” të artikuluar në Op/Ed-in e 31 janarit. Drafti i 2 majit ishte “në themel anti-kushtetues” dhe “dëshirë e zjarrtë për Republikë Serbe” në Kosovë. Kurti kishte shpaluar një “draft-Vizion” të tij, siç tha ai, të frymëzuar nga “modeli kroat”.

Lajme të ngjashme