Statuti i Asociacionit në maj? – “Autonomi për KiE, dhe propagandë”, “Evropianët e njohin RS-në në Bosnje” - NACIONALE

Statuti i Asociacionit në maj? – “Autonomi për KiE, dhe propagandë”, “Evropianët e njohin RS-në në Bosnje”

1 javë më parë

nga Xhezair Dashi

Brohorimat për votimin e suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës pas 16 prillit veçse kanë filluar të shuhen derisa 16 maji afrohet me psherëtima në formë pyetjeje të ankthshme se “a do të dërgohet, apo nuk do të dërgohet?” draft-Statuti i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe për rishikim kushtetues në Gjykatën Kushtetuese.

Jozyrtarisht dhe në prapaskena tashmë veçse çdo ditë e më shumë thuhet se Kosovës i është vendosur si kusht marrja e hapave drejt Asociacionit para votës finale në nivel ministrash të jashtëm të Komitetit të Minstrave të KiE-së; i.e miratimi i Draft-Statutit.

Raporti i Dora Bakoyanis në pikën 39 të saj u kërkon 46 ministrave të jashtëm “ta kenë dukshëm lartë në konsideratën e tyre për anëtarësimin e Kosovës” saktësisht Asociacionin para votimit përfundimtar; ndonëse Asambleja Parlamentare e jep si “zotim pas anëtarësimit”.

Ky ambiguitet, kjo edhe/edhe, e ka lënë shumëkënd të habitur; së paku deri më 16 maj. Madje edhe shtytës para të Kosovës drejt KiE-së prej më të mëdhenjve si Gjermania e kanë dhënë këtë si “kusht” pa e quajtur të tillë.

Gjermania s’ka marrë ende pozicion final këtë (se a është dërgimi i draft-Statutit në kushtetuese kusht)”, pati thënë emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në pyetjen e Nacionales javën e kaluar në një takim me gazetarë. Duke mos e mohuar, as pohuar, Gjermania s’ishte në gjendje të përgjigjen me një “Po” të pakushtëzuar, siç kanë votuar po-pakushtimisht gjer më sot.

Analisti i mirënjohur kroat, Davor Gjenero, mendon se “Kosova duhet të inicojë procedurat” për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe, teksa shpreson që ky institucion të mos jetë “pengesë për anëtarësimin në KiE”.

Gjenero beson – dhe besimin e tij e bazon në atë çka thanë parlamentarët e KiE-së – që ky Asociacion s’do të jetë autonomi etnoterritoriale “ngase ata e kuptojnë që s’mund të jetë diçka si Republika Srpska në Bosnje-Hercegovinë”.

Megjithatë, Gjenero duket i painformuar për përmbajtjen e draft-Statutit të BE-së të ofruar në tetor të vitit të kaluar, duke e paramenduar këtë institucion – dhe duke e dhënë atë “siç duhet të jetë” – të modeluar sipas asaj që pakica serbe gëzon në Kroaci.

Nëse ka këmbënguljhe të zbatimit të Asociacionit (për anëtarësim në KiE) atëherë shrpesojë që Kosova të realizoë diçka që është në interesin e vet si një lloj OJQ-së, si Këshilli i Përbashkët Komunal (i serbëve) në Kroaci”, tha Gjenero në një bisedë me Nacionalen.

Shumë prej politikanëve evropianë janë në dijeni të rrezikut që do të shkakonte një institucion i tillë i ‘mbrojtjes së drejtave të pakicave’ le të themi ashtu...Por, mendoj se është e rëndësishme që Kosova ta nis procedurën e themelimit, ta çes modelin para Gjykatës Kushtetuese në një kornizë ekspertësh”, tha ai.

Për aktivistin e Partisë Socialdemokrate, Zgjim Hysenin, njohës prej më së afërmi i gjendjes KiE vis-a-vis Asociacionit – tabloja është tepër më e zymtë.

Ai madje vendos – për hir të argumentit – siç thotë ai, “atë Asociacionin e lehtë” me draft-Statutin aktual që për të, pa mëdyshje, “është autonomi”.

E këtu – sipas tij – është arritur, në çka ai dhe partia e tij e japin në moton “Tension për Asociacion”. Dhe në këtë kontekst, shton ai, “ka Këshill të Evropës dhe propagandë”.

Procesi kishte nisur me refuzim të Asociacionit edhe po ta merrnim njohjen. Po flasim për Asociacionin e parë, ta quajmë atë të lehtin. Me reaksionin anakronik të pushtetit përparuam zhdrejt. Asociacioni u forcua, njohje s'ka, s'ka gjë as nga vendet mosnjohëse. Ka Këshill të Evropës dhe propagandë. Andaj kënaquni, mos harroni me qenë të lumtur. Kush sheh dialektikë ama, e din që lumturia, sidomos kur sforcohet dhe të vjen me porosi, është rrena mbi harmoninë sepse është mbulim i kontradiktës”, tha Zgjim Hyseni për Nacionalen.

Kryeministri ka negociuar fort sepse Asociacioni është shumë më i fortë. Edhe pazari është kokë më kokë - tuxharie. KiE për autonomi”, tha Hyseni.

Dialogu po e merr ngadalë formën e vet reale, formë që kishte pësuar disa mbindërtime prej letre, shenjë kjo e pushtetit aktual. Na takon neve, qytetetarëve të vendit të pyesim se çfarë ngjyrash merr fluska e dinarit, tash që tik-takut të Asociacionit po i afrohet zhurma. Në veri do të ketë polici autonome, ndërkohë Asociacioni ka kufij, kryeqytet (qender adiministrative) dhe Gjykatë Arbitrazhi. Ku është pra efekt i dinarit kur të zbatohet autonomia? Në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Gjilan e Ferizaj. Tensioni ka qene gjithmonë Tension për Asociacion!”, tha mes tjerash ai në një bisedë me Nacionalen.

Lajme të ngjashme