Kafe, buzëqeshje, pak ushqim: Si ta lexojmë fotografinë e Albin Kurtit me Dejona Mihalin dhe të tjerët?
Një fotografi e postuar nga Adnan Rrustemi, deputet i VV-së, është e mjaftueshme për të mësuar ca gjëra themelore për VV-në e sotme. Fotografia përbëhet nga tetë fytyra njerëzish, por interpretimet mbi të mund të jenë edhe dhjetëfish më të shumta. Si duhet ta lexojmë fotografinë e Kurtit me Mihalin, Konjufcën dhe një kallaballëk zyrtarësh të pushtetit?
Por, para se të tregojmë si mund të lexohet, le ta emërtojmë fotografinë e postuar para disa orëve. Për shkak të rëndësisë së personazheve në fotografi (një kryeministër, një kryetar kuvendi, një ministre, tre deputetë dhe një Dejonë e pushtetshme), fotografia mund të quhet si "Pushteti në panoramë".
Leximi i parë dhe më aktuali është ai që lidhet me Kuvendin e Kosovës. Ndonëse seanca e Kuvendit dështoi për shkak të mungesës së kourumit, pushteti është fytyrçelur. Disponimi duket se është në nivel, përkundër raportimeve për korrupsion e keqpërdorim në MINT, KEK e AKP.
Leximi i dytë është më estetik. Të pranishmit janë të veshur mesatarisht bukur, disa me kostume me kollare, ndërsa disa të tjerë më jozyrtarisht. Mbi tavolinë qëndrojnë dy palë syze, tre telefona e disa filxhanë të kafesë e gota me lëngje. Nuk mungon as ushqimi, i cili, në fakt, nuk është i bollshëm.
Një pjatë me ushqim qëndron në mes, e gatshme për t’u ndarë nga të gjithë. Një lexim i shpejtë filozofik konfirmon që të pranishmit janë të majtë, ngase hanë në mënyrë modeste e të barabartë. Por kjo nuk vlen për Dejona Mihalin. Ajo ka një pjatë të veçantë, të përveçme, të posaçme, që duket se e tregon edhe karakterin e saj për të mos e ndarë pushtetin me askënd. Andaj, ajo është që “një shekull kohë” koordinatore e pushtetshme e komiteteve të VV-së.
Leximi i tretë, po ashtu, lidhet me Mihalin, aktivisten ish-enigmatike e VV-së nga Shqipëria. E lindur nga fundi i pushtetit të Enver Hoxhës (ndoshta edhe e edukuar në këtë frymë?), zonja Mihali ka zgjedhur të ulet në një pozicion interesant. Duke e ditur rëndësinë e vizualitetit të politikës, Mihali ka zgjedhur të ulet në krah të djahtë të kryeministrit Kurti, thuajse për ta dërguar sinjalin edhe botërisht se ajo është “masha e Albin Kurtit”, siç e kishte akuzuar ish-deputet i revoltuar i VV-së, Haki Abazi.
Në fakt, kjo fotografi i konfirmon krejt raportimet e gazetës Nacionale për fuqinë e Mihalit në LVV. Ajo është aq e fuqishme, sa të ulet në karriken me njerëzit aktualisht më të pushtetshëm dhe më të votuar në Kosovë. Ndonëse e ka këtë “privilegj” të endërruar e të lakmuar nga shumica dërrmuese e VV-së, ajo duket çehër-rëndë. Edhe fytyra e ngrysur e Mihalit ka një mesazh politik. Përmes çehres së rëndë, ajo e tregon “rëndesën” e saj pushtetore në LVV e në Qeverinë Kurti, për të cilën Nacionale ka raportuar vazhdimisht.
Leximi i katërt lidhet me Mimoza Kusari-Lilën, shefe e grupit parlamentar të VV-së, e cila ishte e përfshirë në aferën "Zdravo", ku konfirmohej biseda e saj me Milan Radojiçiqin, i sanksionuar nga ShBA-ja dhe i kërkuar nga Kosova si i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Në fakt, prezenca e saj në këtë fotografi është mesazh i qartë se pushteti i rri afër Kusari-Lilës, përkundër skandalit që u publikua nga Nacionale.
Përtej fotografisë, simptomatik është edhe mbishkrimi i deputetit Rrustemi, i cili e citoi një thënie të zonjës Mihali, sikurse ajo të ishte ndonjë lidere e përmasave globale e meritore për t'u cituar.
“Dejona tha: "Nuk mund t'ju lë vetëm dhe nuk mund të ulem diku tjetër" – shkroi z. Rrustemi, që buzëqesh lehtas në fotografi.
Pushteti ende nuk e ka komentuar aferën e vajit nga Polonia, të cilën gazeta Nacionale e publikoi dje.

