"Ka Asocacion": A fitoi ndonjë gjë Kosova nga marrëveshja e Ohrit pos Asociacionit? - NACIONALE

"Ka Asocacion": A fitoi ndonjë gjë Kosova nga marrëveshja e Ohrit pos Asociacionit?

1 vit më parë

nga Arta Avdiu

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës dhe njëherit politikani që për një dekadë ka kundërshtuar ashpër çdo marrëveshje të arritur në Bruksel, u dakordua me Aleksandar Vuçiqin, president i Serbisë, rreth zbatimit të marrëveshjes evropiane në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Pra kundërshtari i ashpër u shndërrua në negociator fleksibil. Por a fitoi gjë Kosova?

Politikani që dikur nuk donte t’ia dinte për kompromise e tallej me “presionin ndërkombëtar”, e bëri vetë një kompromis të tillë të madh, që duket pa fituar asgjë të madhe në këmbim për Kosovën.

Kurti si pjesë të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë ka pranuar edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, një gjë që për shumë njerëz ka qenë e paimagjinuar. E natyrshme, pasi që Kurti përmes kundërshtimit të Zajednicës e arriti zenitin e suksesit në politikë, duke i mposhtur të gjithë rivalët e tij politik.

Deri sa pritej që marrëveshja evropiane do të hapte mundësinë që pesë shtetet e BE-së mosnjohëse të njohin pavarësinë e Kosovës, Greqia, që ishte në “pole position” për ta pranuar shtetësinë e Kosovës, e konfirmoi që nuk ka ndërruar qëndrim ndaj pavarësisë së shtetit Kosovar.

Gjithmonë ka presione në nivel diplomatik, por kjo nuk ka ndikuar në pozicionin tonë, ne kemi konsistencë në politikë. Greqia e mirëpret megjithatë Aneksin për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, që u arrit në Ohër më 18 mars, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe është e gatshme ta mbështesë Beogradin dhe Prishtinën në zbatimin e ujdisë”, ka thënë presidentja e Greqisë Katerina Sakellaropoulou pas takimit në Beograd me presidentin Aleksandar Vuçiq.

Obligimet e Kosovës

Opozita kosovare thotë se Kosova me marrëveshjen evropianë nuk ka fituar asgjë përveç obligimeve ndaj Serbisë.

Deputeti i LDK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se e gjithë marrëveshja po reduktohet në themelimin urgjent të Asociacionit.

E gjithë Marrëveshja e Ohrit po reduktohet në themelimin urgjent të Asociacionit. Asgjë tjetër. Ai që e kishte kundërshtuar me dhunë këtë Asociacion, e që kishte marrë mbështetje qytetare për këtë kundërshtim, tani do ta zbatojë në praktikë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas tij, edhe pesë shtetet mos-njohëse të BE-së nuk kanë ndryshuar qëndrim.

Pesë vendet mos-njohëse të BE-së nuk kanë ndryshuar qëndrim edhe pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit. Në javën e ardhshme fillon dialogu në Bruksel për zbatim të marrëveshjes.Dialog për njohje reciproke nuk ka askund dhe nuk pritet të ketë.Kemi hyrë në rrugën më të gjatë të mundshme për të arritur tek marrëveshja finale për njohje reciproke”, ka shkruar ai.

Tutje, Hoti ka thënë se qeveria Kurti e ka betonuar status quon-në për Kosovën.

Derisa më herët dialogonim për marrëveshje finale për njohje reciproke, siç konfirmohej vazhdimisht nga letrat e vendeve mike drejtuar Kosovës dhe Serbisë, tani këta mashtrues e kanë betonuar një status quo të re. Një Zot e di kur do të mund ta thyejmë këtë status quo dhe ta përmbyllim marrëveshjen me njohje reciproke. Deri atëherë do të mbizotëroj paqartësia për investitorët e jashtëm, do të vazhdojnë të ikin kuadrot dhe rinia” tha me tutje Hoti.

Ndërsa, kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se Kosova me marrëveshjen e Ohrit vetëm ka marrë obligime, dhe se nuk ka fituar asgjë tjetër.

Le që s'po na njohin të gjitha 5 shtetet e BE-së, por as Greqia që krejt n'fund na u premtua, për t'na e shitur marrëveshjen. Qeveria dhe mbështetësit e marrëveshjes duhet të japin llogari. Çka po fiton Kosova nga kjo marrëveshje? Veç obligime. Asgjë tjetër.

Autonomi e dyfishtë, me vetëqeverisje për serbët e eksterritorialitet për Kishën Ortodokse Serbe”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

"Integriteti territorial"

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka pritur sot në takim presidenten greke Katerina Saelaropolou. Vuçiq me homologen e tij nga Greqia foli për “bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve, forcimin e stabilitetin në rajon, integrimin evropian të Serbisë dhe planet e përbashkëta mes vendeve”.

Presidenti serb u shpreh se nga Greqia i ishte konfirmuar mes tjerash edhe “mbështetja për integritetin territorial dhe të drejtën ndërkombëtare” që besohet të jetë në referencë me Pavarësinë e Kosovës.

Falenderimi dhe komenti i Vuçiqit vijnë përkundër se marrëveshja evropiane parasheh që Serbia të mos lobojë kundër pavarësisë së Kosovës dhe se dy shtetet nuk e përfaqësojnë njëra-tjetren në arenën ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme