“Kënd po e mbroni?”: Rama ia heq organizatës së Jeta Xharrës të drejtën e shfrytëzimit të hapësirës publike - NACIONALE

“Kënd po e mbroni?”: Rama ia heq organizatës së Jeta Xharrës të drejtën e shfrytëzimit të hapësirës publike

2 orë më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar ndërprerjen e marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel, ku zhvillohet projekti kulturor “Reporting House”. Vendimi është bërë publik pas zhvillimeve të fundit dhe raportimeve të Nacionales lidhur me profilin “Lule Gjeli” dhe pas reagimit të KALLXO.com për një opinion të botuar në vitin 2020 me këtë pseudonim.

Në reagimin e tij, Rama iu drejtua drejtpërdrejt drejtoreshës së BIRN-it në Kosovë, Jeta Xharra, duke thënë se përgjigjja e dhënë nuk e kishte sqaruar çështjen kryesore.

Jeta Xharra nuk paske dhënë asnjë sqarim për çështjen thelbësore. Përkundrazi, reagimi si i tillë ngriti edhe më shumë pikëpyetje!”, shkroi Rama.

Ai e interpretoi qëndrimin e publikuar nga KALLXO.com si pranim se mediumi e di identitetin e autorit, por nuk dëshiron ta bëjë publik atë. Duke iu referuar kësaj çështjeje, Rama pyeti: “Kënd po e mbroni?”.

Në reagim, Kallxo.com tentoi të bëjë dallim ndërmjet autorit të opinionit të botuar në vitin 2020 dhe personit që administronte profilin me të njëjtin emër në Facebook. “Identiteti i autorit me pseudonimin ‘Lule Gjeli’ nuk është i panjohur për ne”, kishte deklaruar mediumi, duke shtuar: “Nuk e dimë kush qëndron prapa profilit ‘Lule Gjeli’ në Facebook”.

KALLXO.com e kishte publikuar më 27 gusht 2020 një opinion me autorësi “Lule Gjeli”. Autorja ishte prezantuar si “konsulente e së drejtës komerciale”, pa u sqaruar pranë publikimit se emri ishte pseudonim, burim anonim apo identitet i përdorur në rrjetet sociale.

Ndonëse KALLXO.com pretendoi se nuk e di kush qëndron prapa profilit “Lule Gjeli” në Facebook, drejtoresha e BIRN-it në Kosovë, Jeta Xharra, figuron në listën e ndjekësve të llogarisë Lule Gjeli në X. Nga lista e 72 ndjekësve të profilit, mes tyre shfaqet llogaria e zonjës Xharra.

Emri i Xharrës shfaqet në listën e personave që kishin pëlqyer një postim të “Lule Gjelit” në Facebook, të publikuar më 27 gusht 2020.

Nacionale raportoi gjerësisht për veprimtarinë e profilit “Lule Gjeli”, prapa të cilit, sipas burimeve të informuara të gazetës, qëndron Gent Prokshi. Për vite me radhë, ky profil kishte publikuar dezinformata dhe përmbajtje denigruese ndaj politikanëve opozitarë, gazetarëve, diplomatëve amerikanë dhe figurave të tjera publike.

Rama tha se, derisa pyetjet për autorin dhe profilin mbeten pa përgjigje, Komuna nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

“Prandaj, sot ju kemi dërguar njoftimin zyrtar për ndërprerjen e marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel”, shkroi ai.

Sipas dokumentit të publikuar nga Rama, bëhet fjalë për kontratën e qirasë me numër protokolli, të lidhur më 30 korrik 2025 ndërmjet “NewCo Grand Hotel” Sh.P.K., si qiradhënës, dhe Komunës së Prishtinës, si qiramarrëse. Hapësirat ishin marrë për qëllime kulturore dhe dokumentuese, konkretisht për realizimin e projektit “Reporting House” dhe nevojat e Muzeut të Gazetarëve.

Në njoftim thuhet se Komuna do ta ndërpresë bashkëpunimin dhe financimin e projektit, duke u thirrur në nenin 5, paragrafin 5.4 të kontratës. Dokumenti përmend “mosrespektimin e detyrimeve kontraktuale nga ana e qiradhënësit” dhe kërkon që hapësirat të lirohen brenda 30 ditësh nga pranimi i njoftimit.

Ai paralajmëroi se Komuna do t’i rishqyrtojë edhe marrëveshjet e tjera për hapësirat publike që janë ndarë ose financuar nga Kryeqyteti.

Lajme të ngjashme