Zyra për Certifikim rekomandoi anulimin e 'dy kryetarëve të GUXO', këta të fundit kishin arsyetim banal qesharak - NACIONALE

Zyra për Certifikim rekomandoi anulimin e 'dy kryetarëve të GUXO', këta të fundit kishin arsyetim banal qesharak

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Është rekomanduar mos-njohja e Kuvendit Zgjedhor të partisë Guxo duke rekomanduar mbajtjen e një Kuvendi të ri. Por, edhe pse e gjithë ndodhia tingëllon qesharake – arsyetimi i GUXO në KQZ kishte qenë edhe më qesharak.

Partia Guxo kishte vendos që t’i kishte dy kryetarë partie, dhe kjo përpjekje për të parandaluar përçarjet e mundshme duket se do t’i kushtojë shumë.

Në një raport të siguruar nga gazeta 10 nga Zyra për Monitorim dhe Regjistrim, thuhet që ndryshimet e statutit të kësaj partie nuk përputhen me rregullat legjislative aktuale.

“Zyra vlerëson që ndryshimi i Statutit të partisë politike për të lejuar partinë të ketë më shumë se një Kryetar, është shkelje e Rregullës 01/2013 për Regjstrimin dhe veprimin e partive politike, më saktësisht e çdo neni ku përmendet Kryetari si një person i vetëm. Pra kjo Rregullore në asnjë nen nuk e thekson mundësinë që një parti politike e regjistruar mund të ketë më shumë se një kryetar,” – thuhet fillimisht në raportin e Zyres për Regjistrim të partive politike dhe Certifikim.

Më pas, aty theksohet se ndryshimi i Statutit kësisoji nuk është në përputhje me rregullën, e për rrjedhojë është edhe i pavlefshëm.

“Zyra konstaton se ndryshimet e Statutit të partisë politike Guxo që kanë dalur nga Kuvendi i parë themelues i datës 7 shtator 2022, janë të pavlefshme dhe rrjedhimisht votimi i dy Kryetarëve konsiderohet i pafvlefshëm,”

Por, partia Guxo ishte munduar që t’i ikte kësaj shkeljeje duke e cilësuar këtë veprim si “më shumë politik” duke u shprehur se Peci ishte ai që e përfaqësonte partinë ligjërisht.

“Sipas shpjegimit të përfaqësuesit të partisë politike Guxo, votimi i dy Kryetarëve ishte më shumë veprim politik dhe se në arenën politike Guxo do të përfaqësohet nga dy Kryetarë, Donika Gërvalla Schëarz dhe Faton Peci, të cilët janë votuar në Kuvend ndërsa ligjërisht Guxo përfaqësohet vetëm nga Faton Peci,”

Pra, më shumë politik? Shpjegimi i Guxo zor se mund të ishte më qesharak se kaq. Politika po ashtu duhet t’i nënshtrohet rregullave dhe ligjeve në fuqi.

Në lidhje me çështjen e bashkë-kryetarëve të një partie, Donika Gërvalla ishte shprehur se ky ishte një “inovacion” për skenën politike kosovare.

Në anën tjetër, Faton Peci është shprehur si vijon:

“Sa i përket asaj që dikush duhet të ketë primatin, ne kemi të qartësuar këtë në prezantimin e dokumentacioneve përpara KQZ-së, ne e dimë që nuk mund të nënshkruajnë dy persona. Ne kemi dakordësi, ka qenë propozim i Donikës, që krejt çështjet në komunikim të KQZ-së me Guxo, firma që vendoset është firma ime,”

Në anën tjetër, ai kishte folur edhe “politikisht” mbi çështjen e dy kryetarëve.

“Çështja është se ne jemi të vetdijshëm që nuk e kemi peshën politike që e ka dhe e ka pasë Vjosa Osmani. As Donika Gërvalla, as unë. Ajo është çështje e kohës, besimit, prezencës, mbi të gjitha edhe dhuntisë,” – kishte thënë ai.

Edhe Faton Peci por edhe Donika Gërvalla janë ministra në Qeverinë Kurti II. Nuk dihet nëse me mbajtjen e një Kuvendi të ri zgjedhor njëri prej të dyve do t’i lëshojë rrugë tjetrit për t’u bërë kryetar partie.

Në anën tjetër, kjo parti politike aktualisht po provon që ta ketë edhe një tjetër ministër në kabinetin e z. Kurti, Haxhi Avdylin.

Por, nuk ka edhe më tej indicie në lidhje me kauzat kryesore që do të çojë përpara megjithëse hamendësohet se do të ndjek një orientim politik të qendrës së djathtë.

Pas rekomandimeve të Zyres për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, tashmë pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të vendos mbi çështjen.

Lajme të ngjashme