Java e pranimit të propozimit të BE-së nga Kurti dhe kërcënimi i ministres Haxhiu ndaj prokurorit
Pranimi i planit franko-gjerman apo propozimit të BE-së për normalizmin e marrëdhënive mes Kosovës dhe Serbisë nga kryeministri, Albin Kurti, ishte kryetema e javës që po e lëmë pas. Paralajmërimet për takim Kurti-Vuçiq, “kërcënimi” i ministres Haxhiu ndaj prokurorit dhe tërmeti në Turqi e Siri, janë ndër ngjarjet tjera që veçojmë në përmbledhjen javore.
Pranimi i propozimit të BE-së
Më 6 shkurt emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ishte për vizitë në Kosovë, ku u takua me kryeministrin, Albin Kurti dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimi.
Pas këtij takimi, Kurti në Twitter shkroi se ka pranuar në parim planin frank-gjerman.
“Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platoformë solidë për të ecur tutje.” – kishte shkruar Kurti ndër të tjera.
Po ashtu edhe Lajçak konfirmoi se Kurti ka pranuar planin e BE-së dhe se tani do të ketë takime të nivelit të lartë politik në Bruksel.
E pranimi i këtij plani nxiti reagime të shumta në vend. Partitë opozitare kërkuan nga Kurti të shpejgojë se çfarë ka pranuar.
Kurti u kritikua edhe për njoftimin e pranimit të planit vetëm në Twitter dhe jo në rrjetet tjera sociale.
Në anë tjetër, Kurti u përgjigj kritikave duke thënë se duhet të ruhet konfidencialiteti i planit dhe se nuk ka marrëveshje nëse nuk ka njohje reciproke.
Paralajmërimet për takim Kurti-Vuçiq
Pas pranimit të planit franko-gjerman nga Kosova dhe Serbia, Bashkimi Evropian ka filluar menjëherë punën për caktimin e një takimi mes liderëve të dy vendeve.
Kryediplomati i BE-së, Josep Borell bëri të ditur se “së shpejti, brenda disa javëve”, mund të ketë takim Kurti-Vuçiq.
“Sot, gjëja e parë që do ta bëj, është që t’i informoj udhëheqësit për situatën e dialogut mes Prishtinës e Beogradit. Do t’i informoj për zhvillimet e fundit, për kontaktet e fundit. Propozimi është në tavolinë. Unë u kam bërë thirrje të dy udhëheqësve që të kthehen në Bruksel – së shpejti, brenda disa javëve – me qëllim që përfundimisht të shtyhet ky propozim.” – ka thënë ndër të tjera Borell.
Në anë tjetër, Kurti në vazhdimësi kishte kërkuar që Borell ta ftojë në takim atë me Vuçiqin.
“...Andaj kërkojmë nga Zyra e përfaqësuesit të BE-së, Borrell, që sa më parë të na ftojë në takime të shpeshta që të avancojmë lidhur me këtë propozim. Jam i gatshëm të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjes më të mirë të mundshme, dhe të sigurohemi për mekanizma që garantojnë implementim.” – kishte thënë Kurti më 2 shkurt në Kuvendin e Kosovës.
Për dallim nga Kurti, Vuçiq ka thënë se pa u bërë Asociacioni nuk ka pse shkon për takim në Bruksel.
BE ka kërkuar nga Kurti dhe Vuçiq që të mos e vështirsojnë caktimin e datës duke vënë kushte për takim.
Mbete të shihet se kur do të këtë një takim Kurti-Vuçiq.
Kërcënimet e Albulena Haxhiut
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga prokurori që të “dorëzohet” në lëndë ku ajo akuzohet për hedhjen e gazit lotësjellës në Kuvend
“Konsideroj që ekspertiza në këtë proces gjyqësor është shumë e rëndësishme, pra është thelbi i çështjes dhe konsideroj që nuk mund të ftohen, gjykohen, dënohen personat pa një ekspertizë të tillë. Pra, nuk mund te gjykohen personat me interpretime të prokurorit, duhet të ketë prova, duhet të ketë fakte, duhet të ketë ekspertizë, prandaj ndonëse pas 7 vitesh i kërkoj prokurorit që të dorëzohet, të tërhiqet nga aktakuza, nuk është vonë asnjëherë për të bërë një veprim te tillë.” - deklaroi Haxhiu.
Pas kësaj deklarate, partitë opozitare kërkuan që Haxhiu të shkarkohet menjëherë dhe të ndalen presionet ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Nuk është hera e parë që pushteti sulmon sistemin e drejtësisë.
Përveç kësaj, Haxhiu ishte temë edhe për punësimin e gruas së frizerit të saj në ministri.
Gjithashtu, gjatë javës që po e lëmë pas, Turqia e Siria u goditën nga një tërmet i fushqishëm.
Deri më tani raportohet se kanë vdekur 28,192. Vetëm në Turqi kanë vdekur 24.617 ndërsa në Siri 3,575.







