“Kush është ai gjykatës”, “Dorëzohu, prokuror”: Sulmet brutale të Qeverisë ndaj gjyqësorit
Sistemi i drejtësisë në vend është nën sulme të vazhdueshme nga Qeveria e Kosovës. Mospajtimet për procesin e vetingut kanë bërë që Qeveria të nis një varg kritikash ndaj gjyqësorit.
Këto kritika gjatë mandatit janë shndërruar edhe në sulme ndaj personelit të sistemit të drejtësisë.
Ndonëse gjyqësori është pushtet i ndarë dhe ndalohet çfarëdo ndërhyrje e politikës, kjo nuk e ka penguar kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që të merren edhe personalisht me gjykatës e prokurorë.
Paralajmërimi i fundit ka qenë kërkesa e ministres Albulena Haxhiu për prokurorin, i cili i ka ngritur aktakuzën për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.
Ministrja e Drejtësisë nuk ka hezituar se gjatë seancës gjyqësore t`i kërkoj prokurorit Iliaz Beqiri të dorëzohet.
“Konsideroj që ekspertiza në këtë proces gjyqësor është shumë e rëndësishme, pra është thelbi i çështjes dhe konsideroj që nuk mund të ftohen, gjykohen, dënohen personat pa një ekspertizë të tillë. Pra, nuk mund te gjykohen personat me interpretime të prokurorit, duhet të ketë prova, duhet të ketë fakte, duhet të ketë ekspertizë, prandaj ndonëse pas 7 vitesh i kërkoj prokurorit që të dorëzohet, të tërhiqet nga aktakuza, nuk është vonë asnjëherë për të bërë një veprim te tillë.”, ka thënë Haxhiu.
Kjo kërkesë e saj është konsideruar si kërcenim i drejtpërdrejt nga opozita dhe shoqëria civile.
Kërcenim të njëjtë pothuajse kishte marrë në fund të vitit të kaluar edhe gjyqtari, i cili kishte marr vendim që ish-policit serb Dejan Pantiqit t’i ndryshohet masa nga paraburgimi me 30 ditë në arrest shtëpiak.
Në një konferencë për medie, Kurti nuk kishte hezituar që publikisht të kërkonte emrin e tij e gjyqtarit që ka marrë këtë vendim.
“Pra është gjykatësi i procedurës paraprake. Kur ke një akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak, e unë jam kureshtar ta marrë vesh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë dhe ai gjykatës i procedurës paraprak që e kanë marrë këtë vendim,” – kishte thënë Kurti.
Gjyqësori nuk dorëzohet
Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka dënuar retoriken e ministres Haxhiu ndaj prokurorit Iliaz Beqiri.
Përmes një reagimi, KPK-ja ka kërkuar nga ministrja Haxhiu të heqë dorë nga deklaratat e vazhdueshme kërcënuese ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi. “Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dënon gjuhën me përmbajtje kërcënuese të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Iliaz Beqiri, të përdorur në seancën e sotme gjyqësore ndaj saj, në të cilën akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. KPK-ja i bënë thirrje Ministres Haxhiu edhe një herë që të përmbahet nga deklaratat e vazhdueshme kërcënuese ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, sepse gjuha e saj e përdorur është tentativë për ndërhyrje në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit”, është thënë në reagimin e KPK-së.
KPK-ja ka bërë me dije se do të vazhdojë fuqishëm të mbështesë dhe të mbrojë me të gjitha mjetet juridike në dispozicion punën profesionale të të gjithë prokurorëve të Republikës së Kosovës.
Ndaj gjuhesh se Haxhiut, ka reaguar edhe prokurori Iliaz Beqiri.
Ai ka deklaruar për gazetën Nacionale, se nuk e ka ndermen të dorëzohet në punën e tij.
"As që e kam dëgjuar që më ka thënë “dorëzohu”. Gjithçka ka qenë normale. Kemi qenë në shqyrtim gjyqësor. Shumica prej tyre thonë që prokurori duhet të tërhiqet, se s’ka elemente të veprës penale. Unë s’kam vlerësuar që ka ndonjë tendencë aty as të ketë ndikim, as frikësim, as asgjë”, ka thënë prokurori Beqiri.
Pas kritikave të shumta, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo ka mohuar se e ka kërcënuar prokurorin, duke thënë se ka shprehur vetëm kritik ndaj punës së tij për rastin.
“Prokuroria dhe gjyqësori do të çlirohen nga ata që i kanë kapur ndër vite, pikërisht këta që sot bëjnë zhurmë pa përmbajtje, e mbajnë konferenca pa asnjë kuptim. Të njëjtit përmes njerëzve në sistem, jo rrallë herë kanë montuar procese politike të gjykimit ndaj Lëvizjes dhe aktivistëve të saj. Veprimet politike për të cilat jemi gjykuar kanë qenë përherë publike, sikurse deklarata ime në cilësinë e të pandehurës në linjë me të drejtat e mia që njihen me legjislacionin në fuqi. Thirrja ime e vazhdueshme është që prokurorët të ushtrojnë detyrën me profesionalizëm dhe të heqin dorë nga përndjekjet politike, sikurse po bëhet tash e 7 vite”, ka shkruar Haxhiu.
Ulja e pagave, tjetër sulm
Edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për kthimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve sikurse para rritjes që ishte bërë me vendim të Qeverisë Haradinaj në vitin 2017, është konsideruar se një ndërhyrje e ekzekutivit në sistemin e drejtësisë.
Ndaj këtij vendimi, kanë reaguar disa organizatat të shoqërisë civile, të cilën kanë kërkua tërheqjen e vendimit.
Këto organizata kanë bërë me dije vendim është në kundërshtim me standardet kushtetuese.
Sipas tyre, pretendimet e qeverisë për të marrë vendimin për ulje të pagave nuk qëndrojnë.
Në reagimin e tyre është thënë se Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve paraqet qartazi ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit, duke shtuar se kjo praktikë është në kundërshtim me standardet e ndërtuara nga Komisioni i Venecias.
