BE: Kurti e Vuçiq po pengojnë "datën" e takimit në Bruksel
Edhe më tutje nuk ka datë të takimit të nivelit të lartë mes Kosovës e Serbisë. Sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, faj për këtë kanë të dy liderët, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e i pari i serbëve, Aleksandar Vuçiq.
Ata thonë se me deklaratat nxitëse e kundërshtuese po pengojnë caktimin e datës së negociatave në kryeqendrën evropiane.
Një burim evropian i ka thënë Radios Evropa e Lirë në kushte anonimiteti se "është ky lloj qëndrimi publik, i të dy liderëve, që paraprakisht tregojnë kushtet e tyre, i cili krijon pengesën më të madhe për caktimin e datës së takimit” në Bruksel.
Tutje, sipas këtij burimi, mbajtja e rundit të ardhshëm të bisedimeve varet nëse liderët nga Prishtina dhe Beogradi “pajtohen për datën e agjendës së parë”, pa treguar detaje.
Megjithatë, duhet thënë faktin se Kurti ka shprehur gatishmërinë për të dialoguar, sa herë që ftohet, ndërsa kishte qenë kritik për faktin se nuk po thirret një takim i tillë, ani se në 18 gusht të vitit të kaluar, palët ishin dakorduar që të takohen çdo muaj.
Në anën tjetër, Vuçiq hiç më larg se sot, në një paraqitje televizive ka thënë se nuk do të shkojë në Bruksel pa u themeluar Asociacioni.
Kjo deklaratë erdhi pasi përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha më 9 shkurt se së shpejti do të ketë një takim të ri mes palëve, për të vazhduar diskutimet për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.
Kujtojmë se përmes një cicërime në rrjetin social "Twitter", tri ditë më parë, Kurti kishte thënë se si qeveri e pranojnë planin franko-gjerman, duke shtuar më pas se ka bazë të mirë për negociata të mëtutjeshme.
“Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platoformë solidë për të ecur tutje”, ka shkruar ndër tjerash ai.
Good exchange with EU special envoy @MiroslavLajcak over a working lunch in Prishtina. We do accept the EU proposal for normalization of relations between Kosova and Serbia, and consider it a good basis for further discussion and a solid platform for moving forward. pic.twitter.com/gKrymnQAmF
— Albin Kurti (@albinkurti) February 6, 2023
Kushtet e Kurtit
Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës;
Nuk mund te jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emri, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik;
Duhet të ketë reciprocitet të të drejtave çfarëdo të drejta për serbët në Kosovë duhet të ketë edhe për shqiptarët në Serbi;
Para vendosjes së Asociacionit, duhet të shuhen strukturat ilegale në veri dhe armët ilegale duhet të dorëzohen;
Asociacioni mund të jetë pjesë e marrëveshjes finale vetëm pas njohjes reciproke me ç'rast Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së për Kosovën;
Dhe e fundit, Vuçiqi të tërheq letrat mosnjohes që ka dërguar ndaj pesë shteteve të Bashkimit Evropian."

