Borell fton Kurtin dhe Vuçiqin për takim: "Së shpejti, brenda disa javëve"
Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka ftuar në takim, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqi në Bruksel për të biseduar për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka folur para mbajtjes së një samiti të udhëheqësve të vendeve të BE-së rreth raportimit që do ta bëjë para tyre në lidhje me gjendjen e dialogut Kosovë – Serbi.
Borell nuk ka dhënë datë të saktë se kur mund të ketë takim Kurti-Vuçiq, por ka thënë se “së shpejti, brenda disa javëve”.
Ai ka thënë se propozimi i BE-së është rruga e vetme për të zgjidhur dhe normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, teksa ka shtuar se do të informojë sot udhëheqësit e BE-së për situatën me dialogun Kosovë-Serbi.
“Sot, gjëja e parë që do ta bëj, është që t’i informoj udhëheqësit për situatën e dialogut mes Prishtinës e Beogradit. Do t’i informoj për zhvillimet e fundit, për kontaktet e fundit. Propozimi është në tavolinë. Unë u kam bërë thirrje të dy udhëheqësve që të kthehen në Bruksel – së shpejti, brenda disa javëve – me qëllim që përfundimisht të shtyhet ky propozim. Dhe do të kërkoj nga udhëheqësit një përkrahje të fuqishme me qëllim që të shmanget çfarëdo lloji i eskalimit dhe do të kërkoj nga ta që të punojnë seriozisht për këtë propozim, i cili është rruga e vetme në përpjekje për ta zgjidhur dhe normalizuar marrëdhënien mes Kosovës dhe Serbisë. Kemi kaluar nga kriza në krizë. Tani, është koha që të bëjmë de-eskalim dhe të punojmë në mënyrë konstruktive.” – ka thënë ai.
Në anën tjetër, paralajmërimet për një takim të mundshëm Kurti-Vuçiqi, i kishte bërë edhe emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak.
Lajçak pas takimeve që pati me Kurtin dhe Vuçiqin më 7 shkurt 2022, kishte paralajmëruar takime të nivelit të lartë teksa ka thënë se është i "lumtur" që Kosova “tani” pranoi planin franko-gjerman.
“Udhëtova në Prishtinë për të takuar kryeministrin @albinkurti dhe zv. kryeministrin @BislimiBesnik dhe në Beograd për të bërë të njëjtën gjë me @predsednikrs @avucic dhe @PetkovicPetar. Më vjen mirë që edhe Kosova tani e pranoi Propozimin në parim. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona në një takim të nivelit të lartë.” – kishe shkruar Lajçak në Twitter.
Kërkesat e Kurtit për takim
Po ashtu, në disa deklarime, kryeministrit Kurti kishte kërkuar që të vazhdojnë takimet në Bruksel duke thënë se ishin marrë vesh “që të kemi takim çdo muaj”.
Kurti para një javë kishte kërkuar nga Borell që të sa më parë t’i ftojë në takim për të avancuar për propozimin e BE-së.
“Kemi punuar ta arrijmë dakordimin lidhur me dakordimin franko-gjerman të prezantuar më 9 shtator 2022. Këtë propozim e shohim si bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme. Dhe jemi të interesuar që i njëjti të finalizohet e nënshkruhet nga palët. Andaj kërkojmë nga Zyra e përfaqësuesit të BE-së, Borrell, që sa më parë të na ftojë në takime të shpeshta që të avancojmë lidhur me këtë propozim. Jam i gatshëm të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjes më të mirë të mundshme, dhe të sigurohemi për mekanizma që garantojnë implementim.” – kishte thënë Kurti më 2 shkurt në Kuvendin e Kosovës.
Mbetet të shihet se kur do të takohet Kurti-Vuçiq. Deri më tani Kurti dhe Vuçiq janë takuar tri herë.


