Ishte ofenduar keq nga Albin Kurti: Ymeri flet për betimin e Rrahman Jasharajt dhe përplasjet me Qeverinë - NACIONALE

Ishte ofenduar keq nga Albin Kurti: Ymeri flet për betimin e Rrahman Jasharajt dhe përplasjet me Qeverinë

2 vjet më parë

nga Jetlir Buja

Pas kapjes së institucioneve, medieve, familjeve e shoqërisë duket se PAN-i ose edhe LDK-ja ka kapur edhe punëtorët dhe përfaqësuesit e tyre. Kjo është e vërtetë nëse dëgjojmë eksponentë të Vetëvendosjes si kryeministri Albin Kurti, ministri Hekuran Murati apo deputeti Adnan Rrustemi.

Për ta dëgjuar më mirë versionin e kryesindikalistëve që protestuan dje kundër Qeverisë, bëmë një intervistë me njeriun e dytë të SBAShK-ut, z. Ymer Ymeri.

Ky i fundit ka qëndruar gjithmonë pas krahëve të kryesindikalistët Rrahman Jasharaj dhe ka qenë më i kursyer në praninë nëpër debate. Por, në një takim të mbajtur në muajin mars të vitit 2020 me Albin Kurtin – që edhe atëherë ishte kryeministër – kishte qenë kryesori në përplasjen që kishte ndodhur.

Së fundi, sulmet ndaj kryetarit Rrahman Jasharaj janë bërë veçanërisht të rënda nga ana e pushtetarëve ndërsa në anën tjetër ka një ultimatum që ecë tembrapsht dhe që mbaron më 20 prill.

A do të zmbrapset Rrahman Jasharaj? Çka duhet të bëjë Qeveria që të fitojë simpatinë e sindikalistëve të SBAShK-ut? A ishte Ymer Ymeri pjesë e ndonjë partie politike në të kaluarën dhe a do të pranonte të futej në Vetëvendosje vetëm që të realizoheshin kërkesat e punëtorëve?

I N T E R V I S T A

NACIONALE:

Ju keni protestuar dje kundër Qeverisë së Kosovës. A mund të na thoni për lexuesit tanë, se cilat janë kërkesat tuaja më urgjente?

YMERI:

Ne dje i kemi ftuar për të protestuar vetëm kryesuesit e shoqatave sindikale, nga çerdhet e deri ne universitetet, ku pjesëmarrës kanë qenë vetëm nga SBASHK-u rreth 1500 protestues. Kërkesat janë:

  1. Miratimi i ligjit të pagave sa më shpejt që është e mundur dhe fillimi i zbatimit të tij e deri në fillim të zbatimit, rritja e pagave për 100 euro për të gjithë të punësuarit që marrin paga nga buxheti i Kosovës;
  2. Fillimi i implementimit të ligjit për sigurime shëndetësore;
  3. Plotësim- ndryshimi i ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti nr.04/L-131, sidomos të ndryshohet te neni 8, paragrafi i 1 e nën paragrafët 1.2 dhe 1.3 që thirret në ligjin e sigurisë pensionale të vitit 1983, pra sipas të cilit kërkohet që të ketë 15 vite kontribut në skemat pensionale para datës 01.01.1999;

Por më urgjentja është ngritja e pagave për 100 Euro deri ne fillimin e zbatimit të Ligjit të pagave.

Nëse për këto kërkesa deri me datën 20 prill nuk arrijmë marrëveshje të nënshkruar me Qeverinë, do të pasojnë veprimet tjera sindikale më radikale duke mos e përjashtuar edhe grevën e përgjithëshme

NACIONALE:

Sa punëtorë të arsimit ekzistojnë në regjistrat tuaj, dhe a po përballeni me presion prej tyre për shkak të rritjes së çmimeve dhe kushteve të rënduara financiare?

YMERI:

Anëtarë të SBASHK-ut të deklaruar me nënshkrimet e tyre janë 25089 dhe kërkesa e vazhdushme e tyre është që të fillojmë me grevën e përgjithëshme duke pasur parasysh se që nga muaji tetor 2021 i kemi parashtruar kërkesat, e Qeveria as që është marrë me ato kërkesa e pastaj edhe kohëve të fundit rritja e çmimeve për shportën esenciale të jetesës është ngritur më tepër se 200 euro për një familje mesatare... por duke pasur parasysh edhe krizën në përgjithësi kemi kërkuar rritje vetëm 100 euro për të gjithë në mënyrë lineare. Në muajt janar e shkurt kemi mbledhur nënshkrimet e mbi 85% të të punësuarve në sektorët që ne i mbulojmë për të përdorur edhe grevën si mjet të veprimit sindikal për t'i bërë presion Qeverisë për realizimin e kërkesave të anëtarësisë.

NACIONALE:

Eksponentë të Qeverisë po thonë se ‘jeni të kapur’ nga partite e mëhershme që ishin në pushtet. Cili është qëndrimi juaj?

YMERI

Ato këtë e thonë, jo pse e kanë këtë bindje që ne jemi të kapur nga parti që më parë ishin në Qeveri, por nga dëshpërimi që s’kanë pasur gjasa për të nderhyrë në zgjedhjet tona përkundër përpjekjeve dhe deklarime publike që kanë pasur shpesh. Këta e panë që SBSHK-u u ka bërë greva edhe Qeverive të mëhershme, e greva e fundit ka zgjatur tri javë pikërisht kur Qeveria ka qenë e udhëhequr nga partite që këta pretendojnë (se na kanë kapur).

Ju bëj thirrje uluni e bisedoni me përfaqësuesit legjitimë të punëtorëve të arsimit pa humbur kohë e leni përpjekjet për shantazhime e përçarje sepse askush s’mund t’i përçajë punonjësit e arsimit... sepse udhëheqësit e tyre sindikalë e në veçanti Kryetari Rrahman Jashari është i betuar në mbrojtje të kërkesave të anëtarësisë.

NACIONALE:

Ju personalisht jeni etiketuar nga kryeministri Kurti në një takim të vitit 2020 si person i lidhur me PAN-in. A keni qenë ndonjëherë anëtar i ndonjë partie politike dhe a jeni aktualisht?

YMERI:

Unë asnjëherë nuk kam qenë dhe nuk jam anëtar i asnjë partie politike, por këtë e kam thënë disa here publikisht se edhe unë si person por edhe anëtarësia, normalisht e adhuron atë parti që e ngrit mirëqenjen sociale të punëtorëve arsimorë. I kam bërë ftesë edhe përsëri i bëj Kryeministrit Kurti të rrit pagat e punëtorëve arsimor për 50% sikur bëri ish Kryeministri Thaçi dhe me siguri ka për ta përfituar simpatinë edhe të udhëheqësve të SBASHK-ut, por edhe të mësimdhënësve sepse punëtorët arsimorë nga ajo rritje nuk kanë gëzuar më rritje , përveç asaj 4% për qind në janarin e vitit 2018.

NACIONALE:

Unë mbaj mend shumë greva të SBAShK-ut në të kaluarën. A jeni përballur me sulme edhe nga partitë që kishin pushtetin para Vetëvendosjes?

YMERI:

Gjatë grevave në të kaluarën jemi përballur me tentimin e thyerjes së grevës nëpër shkolla dhe komuna të ndryshme, por jo asnjëherë me sulme ndaj Kryetarit të SBASHK-ut sikurse tash. Por, një duhet ta dinë Qeveria Kurti se me ofendimet që po ia bëjnë Kryetarit Jasharaj ata janë duke i ofenduar 25000 anëtarë që ky i përfaqëson ndërsa Kryetarin Jasharaj vetëm sa po e forcojnë edhe më tepër në përkrahjen nga anëtarësia. Kjo metodë për të demotivuar udhëheqësit e SBASHK-ut nga puna që bëjnë për mbrojtje të anëtarësisë është e kotë sepse s'ka kush që e ndalë as që e frikëson Kryetarin Jasharaj për ta mbrojtur anëtarësinë por as bashkëpunëtorët e Kryetarit Jasharaj.

NACIONALE:

Në anën tjetër, në një rast hipotetik: nëse Vetëvendosje do t’ju kërkonte juve që të bëheshit anëtar i kësaj partie për t’i realizuar kërkesat, a do të pranonit?

YMERI:

Nuk e besoj që një ofertë e tillë vjen nga Vetevendosja, por një ftesë për të realizuar kërkesat e anëtarësisë me një program të qartë që gjatë qeverisjes se Vetevendosjes do të përkrahen edhe sindikatat pa pasur qëllim shkatërrimin e tyre ose vendosjen nën kontroll të tyre kishte me qenë e pranushme... por jo anëtar i asnjë partie nuk kisha pranuar të bëhem e në këtë rast as i Vetevendosjes. Ndihem shumë i priviligjuar që shpesh i përfaqësoj anëtarësinë e SBASHK-ut dhe i mbroj ata aq sa mundem si në takimet brenda Kosovës, por edhe në ato ndërkombëtare aty ku SBASHK është anëtar.

Lajme të ngjashme