Ish-ministri Latifi i takon eurodeputetët, u tregon se si shëndetësia në Kosovë është keqmenaxhuar e lënë anash
Për gjendjen e rëndë në shëndetësinë kosovare po njoftohen edhe deputetët e Parlamentit Evropian. Është ish-minsitri i shëndetësisë, Dr. Rifat latifi, i cili në një takim me eurodeputetët Viola Von Cramon, Lukas Mandl, Radovan Kanev, Karlo Ressler dhe Adreas Schiedler, të mbajtur në Bruksel, ka treguar se në Kosovë siguria dhe cilësia në shërbimet shëndetësore është e ulët dhe se ky sektor është i rrënuar nga korrupsioni dhe i lënë pas dore me dekada.
Ish-ministri i ka njoftuar eurodeputetët se si është keqmenaxhuar për vite të tëra sistemi shëndetësor e si është lënë pas dore ky sektor me rëndësi të madhe në Kosovë.
“Shëndetësia e Kosovës ishte injoruar dhe e lënë pas dore, është keqmenaxhuar, është rrënuar nga korrupsioni madhor në të gjitha shtresat e shërbimeve shëndetësore dhe e segmentuar politikisht në forma të ndryshme për tri dekada. Andaj mund të karakterizohet nga siguria edhe cilësia e ulët e shërbimeve klinike, mungesa e ekspertizës dhe e aftësive klinike, mungesa e infrastrukturës moderne e, mbi të gjitha, mungesa e aftësive menaxheriale, të cilat në masë të madhe e mbisundojnë sistemin shëndetësor të Kosovës”- ka deklaruar ish-ministri Latifi.
Megjitkëtë, Latifi para eurodeputetëve ka dhënë detaje tjera për gjendjen e shëndetësisë në Kosovë.
Ai ka thënë se shumica e pacientëve me diagnoza komplekse (dhe disa me probleme relativisht të thjeshta kirurgjikale ose mjekësore) dërgohen në institucione private ose jashtë vendit për trajtim, me një kosto astronomike. Në të njëjtën kohë, shtretërit e spitaleve publike kanë një shkallë të shfrytëzimit prej vetëm rreth 50 për qind.
“Infrastruktura spitalore është e vjetër ose e cilësisë së ulët dhe janë të shumta objektet spitalore të filluara, por jo të përfunduara ose të papërfunduara prej shumë vitesh për arsye të ndryshme, që duken si ndërtesa fantazmë që shpërbëhen vit pas viti”- citohet të ketë thënë Latifi.
Ish-ministri ka folur po ashtu edhe për pjesën administrative në minsitrinë që ai e ka udhëhequr.
“Pjesa e administratës së Ministrisë së Shëndetësisë është një labirint ose rrjet kompleks i një ndërthurjeje rregullash të pakuptueshme, të formuara ndër vite dhe të krijuara për ta penguar ecurinë e shërbimeve shëndetësore publike”- citohet të ketë thënë Latifi.
Edhe në letrën e dorëheqjes së tij drejtuar kryeministrit Kurti, ish-ministri Latifi i ishte ankuar se njëra nga arsyet pse po e lë këtë pozitë, është administrata e MSh-së, e cila, sipas tij, e kishte penguar në kryerjen e punëve.
Qeveria e Kosovës ende nuk e ka emëruar ministrin e ri të Shëndetësisë pas dorëheqjes së doktorit Latifi nga kjo pozitë një muaj më parë.


