Ish-ministrat e Kulturës kritikojnë punën e ministrit Çeku: Për dy vite s`ka realizuar ndonjë projekt konkret - NACIONALE

Ish-ministrat e Kulturës kritikojnë punën e ministrit Çeku: Për dy vite s`ka realizuar ndonjë projekt konkret

1 vit më parë

nga Leonora Kolukaj

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, vazhdon të krenohet me punët që ka bërë gjatë këtyre dy viteve si ministër.

Përmes videove në “Facebook”, ai lavdërohet për punën që bën dhe po kritikon paraardhësit e tij.

Por, edhe këta të fundit kanë kritika të shumta ndaj ministrit Çeku.

Dy ish-ministrat e këtij digasteri, Kujtim Gashi dhe Valton Beqiri, nuk janë shprehur të kënaqur me punën e tij.

Valton Beqiri, i cili ishte emëruar në këtë post nga LDK-ja, ka thënë për Nacionale se posti i ministrit duhet të mirret me përkushtim duke vazdhuar projektet që kanë qenë në plan e jo në gjetjen e “fajtorit”.

“Duhet kuptuar se posti i ministrit është funksion kohë shkurtër dhe obligimi i marë i cili duhet kryer me përkushtimin maksimal, duke vazhduar projektet e më hershme dhe duke rregulluar problemet e vazhdueshme. Nuk kam qenë dhe nuk jam ithtar i deklaratave “me mua fillon çdo gjë” duke marë parasysh se në institucione, ka gjithmonë planifikime dhe projekte të filluara me heret. Mendoj se primare duhet të jetë dëshira për të lëvizur përpara proceset dhe zgjidhur problemet, e jo adresimi i “fajit” eventual”, ka thënë ai.

Tutje, Beqiri ka theksuar se sukseset e ministrit nuk vlerësohen nga deklarimet promovuese, por nga komuniteti. Ai thotë se për të qenë real në vlerësim duhet pritur përfundimin e mandatit.

“Së fundmi, suksesi i ministrit vlerësohet nga komuniteti ( përfituesit e fushave që i mbulon ministria ) e jo nga politika ditore apo deklarimet promovuese, dhe në bazë të kësaj duhet pritur përfundimin e mandatit për të qenë real ne këtë vlerësim”, është shprehur ai.

Edhe Kujtim Gashi, ish-ministër i Kulturës nga radhët e PDK-së, është shprehur skeptik për sukseset e ministrit aktual.

Në një prononcim për gazetën Nacionalen, ai ka thënë se dy vitet e qeverisjes së ministrit Çeku nuk kanë rezultuar asnjë veprim apo projekt konkret.

“Këto dy viti të qeverisjes së z.Çeku, nuk kanë rezultuar me ndonjëveprim apo projekt konkret. Pos vizitave rutinore nëpër institucione të kulturës dhe komuna, nuk kemi pare asgjë konkrete”, është shprehur ai.

Sipas tij, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot nuk i ngjanë ndonjë një institucioni qeverisës pasi nuk ka vendimmarrje për ndonjë projekt të rëndësishëm.

“MKRS-ja sot nuk I ngjanë një institucioni qeverisës meqë nuk kemi ndonjë vendimmarrje për ndonjë projekt të rëndësishëm”, ka deklaruar ai.

Gashi thotë se nuk mund të veçojë ndonjë punë të mirë të Hajrullah Çekut pasi, sipas tij, nuk ka.

“Nuk mund të veçoj ndonjë veprim konkret, meqë nuk ka të tillë”.

“Përderisa nuk ka realizim të projekteve, nënkuptohet që nuk është realizuar ndonjë premtim”.

Çka do të bënte ndryshe Kujtim Gashi?

Ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka deklaruar se cka do të bënte ai ndryshe.

Ai ka thënë se do t`i realizonte të gjitha projektet që kanë qenë të planifikuara.

“Do të realizoja të gjitha projektet e shumta të cilat kanë qenë të planifikuara”, potencoi ai.

Ai theksoi se ky dy vjeçarë i ministrit të MKRS-së është komplet dështim.

“Ky dy vjeçar është komplet dështim”.

Hajrullah Çeku është takuar edhe me ambasadorë e ka bërë vizita edhe jashtë shtetit, e për këtë Gashi thotë se nuk janë “asgjë më sumë se sa vizita të rëndomta

Sipas tij, sporti kosovar është në gjendje të mjerueshme e as projekte konkrete për të rinjët nuk ka.

Sot gjendjen në sport e kemi të mjerueshme, asnjë projekt konkret rinor. Mund të them se në trashëgimi ka pasur përpjekje me projekte të vogla por të zakonshme (restaurim-konservim, rehabilitim)”.

Gashi e komentoi edhe videon e ministrit Çeku, i cili promovoi sukseset e tij.

“Nuk e di për çfarë suksese bëhet fjalë. Mjafton t’i pyesni federatat sportive, klubet, institucionet kulturore dhe e kuptoni sa ka pasur sukses”, është shprehur ai.

“Degradimi dydekadësh është ndalur”, pati theksuar Çeku në video.

E Gashi thotë se nuk ka ndodhur ndonjë veprim i madh pasi vazhdimisht ka pasur ndërhyrje në trashëgiminë kulturore .

“Vazhdimisht ka pasur ndërhyrje në trashëgiminë kulturore të vendit, nuk e di cili paska qenë veprimi i tij “i madh” në këtë fushë”, është shprehur ai.

Ai ka bërë me dije instituconet e kulturës, buxhetin dhe projektet më të mëdha i ka pasur kur ai ka qenë ministër.

Lajme të ngjashme