Berisha: Më kërkuan opinion juridik për Asociacionin nga Qeveria, pastaj thanë "s'guxojmë t'ua themi ndërkombëtarëve" - NACIONALE

Berisha: Më kërkuan opinion juridik për Asociacionin nga Qeveria, pastaj thanë "s'guxojmë t'ua themi ndërkombëtarëve"

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-këshilltari i kryeministrit Kurti, Durim Berisha, ka treguar një prapaskenë interesante në lidhje me Asociacionin dhe Qeverinë Kurti II.

Ky raport (Kurti-Asociacioni) duket të jetë nën fokusin më të madh ndonjëherë pas rritjes së presionit ndërkombëtar ditëve të fundit që erdhi pasi Serbia dha shenja se do ta pranonte planin franko-gjerman.

Por, Kurti ka ngritur shenjën e barazisë mes 33 marrëveshjeve të arritura në Bruksel duke kërkuar vetëm kriter kronologjik mes tyre. Nuk dihet nëse kjo nënkupton që nëse arrihet zbatimi i të gjitha marrëveshjeve në tërësi, atëherë edhe ai do të ishte i gatshëm të niste formimin e Asociacionit.

Sidoqoftë, partia e tij po tregohet e ashpër në kundërshtim të kërkesave të ShBA-ve që për ditën e nesërme e kanë thirrur një takim për t’i diskutuar modalitetet e Asociacionit.

Ish-këshilltari i Kurtit në Qeverinë Kurti I, Durim Berisha, i ka thënë Nacionales se i ishte kërkuar një opinion juridik në lidhje me Asociacionit nga njerëz të kësaj qeverie të Kurtit, por pa përmendur emra.

“Pak pas formimit të Qeverisë Kurti II, pasi veçse i kisha njoftuar se nuk kam interesim për t’u angazhuar në ndonjë pozitë, mu kërkua miqësisht një opinion juridik në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.” – na tha z. Berisha.

Më pas, ai tregon pjesën më interesante të këtij këmbimi me pushtetarët.

“Konstatimi im ishte se Kosova nuk ka lidhur asnjë marrëveshje me Serbinë dhe se Gjykata Kushtetuese ia kishte huqur totalisht kur e kishte theksuar se Kosova ka obligim ta themelojë Asociacionin. Mu përgjigjën se “nuk guxojmë të ua themi këtë ndërkombëtarëve.” U thashë se as guximin e as dijen s’mund t’jua jap. Por mos kërkoni më analiza juridike, kur nuk keni guxim të mbroni kushtetshmërinë dhe ligjshmërinë.” – u shpreh ai për gazetën.

Kryeministri Kurti vazhdimisht e kishte mohuar mundësinë që të ndërronte qëndrim sa i përket Asociacionit, duke thënë mes tjerash edhe se “nuk kishte përgjigje të re për pyetje të vjetra”. Për takimin e 31 janarit në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë, ai është shprehur se nuk ka marrë ftesë fare. Në anën tjetër, siç ka raportuar Nacionale, në këtë takim përfaqësues do të dërgojnë edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryekuvendari Glauk Konjufca.

Berisha është kontaktuar nga gazetari Mirlind Behluli.

Lajme të ngjashme