"Problem global", "e lufton Rashiqin", "jashtë qeverisë": VV-ja me argumente të përçudshme kundër Asociacionit - NACIONALE

"Problem global", "e lufton Rashiqin", "jashtë qeverisë": VV-ja me argumente të përçudshme kundër Asociacionit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

“Për pyetje të vjetra, nuk kam përgjigje të reja,” – kishte thënë kryeministri Albin Kurti para disa javësh i pyetur për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Asociacioni mbetet mes qëndrimeve të pakta të cilat Kurti nuk i ka ndërruar. Por, zgjerimi i fjalorit të tij nga vartësit po ndodh në mënyrë të... çuditshme. Më poshtë keni disa prej argumenteve më të çuditshme kundër themelimit të Asociacionit të shprehura këto ditë.

Së fundi, Nënsekretari Derek Chollet dhe përfaqësuesi i administratës Biden për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar e përgatitën një opinion mbi çështjen në fjalë. Ata treguan se si kundërshtojnë një Asociacion që do të ishte i ngjashëm me Republika Srpskan në Bosnjë, dhe se e mbështesin vetëm një të tillë që është brenda Kushtetutës së Kosovës.

Presioni ndaj Kosovës është rritur veçanërisht pasi Serbia përmes presidentit të saj, Aleksandër Vuçiq, dha sinjale se po e pranonte planin franko-gjerman (i quajtur edhe evropian, ose evro-amerikan).

Ky presion duket se ka bërë që shumë vartës të Kurtit në parti e në qeveri përngutshëm të provojnë gjetjen e argumenteve të reja kundër.

Asociacioni, një problem global?

Aktivisti Gent Carrabregu e shkroi në gjuhën angleze një shkrim në Facebook kundër Asociacionit, duke treguar efektivisht se si ai mund të çonte edhe në probleme në mbarë botën për shkak se do të rriste të djathtën ekstreme.

“Kjo është arsyeja pse qeveria e djahtë ekstreme në Beograd po e kërkon një asociacion të tillë, dhe jo komuniteti serb në Kosovë... Po ashtu duhet nënvizuar se një asociacion i tillë monoetnik do të promovonte pa dashje agjendën globale të së djathtës ekstreme duke forcuar rastin për idenë e etnokracisë dhe kundër demokracisë multikulturore demokrate. Unë besoj që s’na duhet kjo në një moment të ndjeshëm gjeopolitik si ky, ku demokracia liberale është veçse nën presion të madh në mbarë botën.”u shpreh ai.

Statusi i tij u shpërnda nga shumë aktivistë tjerë e bartës pozitash të larta shtetërore në Kosovë, përfshirë ministrin Hajrulla Çeku, deputeten Tinka Kurti, këshilltarin e kryeministrit Jeton Zulfajn e të tjerë.

Asociacioni, jashtë qeverisë

Këshilltari Jeton Zulfaj po ashtu i shkroi disa rreshta dje në lidhje me temën në fjalë, por në mënyrë edhe më simpatike.

Fillimisht, ai e bëri një huqje goxha interesante duke pretenduar se protesta “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu” ishte kundër Asociacionit kur në fakt ajo ishte kundër idesë së shkëmbimit të territoreve.

Më pas, ai sulmoi opozitën që i bëhej më shumë presion Kosovës se sa Serbisë.

“Në Kosovë (zyrtarët e lartë perëndimorë) shohin potencial për kompromise e koncesione ndaj Serbisë më shumë jashtë qeverisë se sa në Serbi. Prandajedhe i bëjnë presion më shumë Kosovës se sa Serbisë.”

Mendojini mirë këto fjalë. Opozita dhe shoqëria civile janë fajtore pra, për presionin që i bëhet Kosovës për formimin e Asociacionit. Qeveria në anën tjetër, përkundër që është e vetmja që ka pushtet ekzekutiv, nuk ka kurrfarë faji.

Asociacioni lufton Rashiqin

E sot, deputetja Tinka Kurti provoi të thoshte diçka aq të re sa... nuk e dimë as çfarë kuptimi t’i japim.

Asociacioni sipas saj do të dominonte kryetarët e 10 komunave me shumicë serbe dhe do ta luftonte ministrin Nenad Rashiq në Prishtinë. Kujtojmë se ministri Rashiq është ministër pas dorëheqjeve të orkestruara nga Lista Serbe, e që e përfshinë edhe dorëheqjen e ministrit Goran Rakiq. Nëse vazhdohet që zgjedhjet të mbahen në komunat me shumicë serbe, atëherë është e vështirë që Rashiq të jetë përsëri ministër.

Por, ka edhe probleme tjera në këtë konstatim: vet Rashiqi është përkrahës i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe do të marrë pjesë në takimin e 31 janarit të thirrur nga Ambasada e ShBA-ve.

31 janari si mundësi

Arbër Rexhaj, deputet i Vetëvendosjes, dje shprehu një qëndrim interesant në Facebook që ndoshta është dashur t’ia shprehte edhe shefit të tij në parti, Albin Kurtit.

“Takimi i 31 janarit është mundësi shumë e mirë të dëshmohet se Asociacioni njëetnik serb nuk është i pranueshëm për shoqërinë, jo vetëm për Qeverinë.” – tha ai përmes një postimi në Facebook.

Por, edhe në këtë qëndrim ka probleme të shumta. E para, Albin Kurti tha se nuk është ftuar fare në takimin e 31 janarit. E dyta, ata që janë konfirmuar se do të shkojnë nga Qeveria e tij, Emilija Redzepi dhe Nenad Rashiq – nuk pritet të kenë kundërshtime të ashpra. Rashiqi e mbështet, ndërkohë Redzepi së fundi kishte probleme me ‘emërtimin’.

Mirëpo, mos janë gjithë këto argumente të përçudshme edhe qëllimisht të tilla në mënyrë që të hidhen poshtë më kollaj? Nëse kjo qëndron ose jo do ta shohim ditëve të ardhshme.

Lajme të ngjashme