Intervistë | “Tash kemi identitet e ushtri”: Gjenerata e re boshnjake zotohet të mos lejojë Srebrenicë të re
Gati tri dekada pas gjenocidit në Srebrenicë, gjenerata e re ende nuk ndihen të sigurt se Marrëveshja e Dejtonit ka prodhuar paqe absolute në Bosnjë dhe Hercegovinë. Por, gjatë kësaj kohe, boshnjakët janë siguruar që ta formojnë ushtrinë e tyre, në mënyrë që një “Srebrenicë” tjetër të mos ndodhë kurrë.
Derisa krimet në Kosovë shpesh harrohen në diskutimet e liderëve politikë gjatë procesit të dialogut, boshnjakët sigurohen që e vërteta e gjenocidit në Srebrenicë t’u thuhet të gjithëve në sy.
Studentja 22-vjeçare Jasmina Ejuboviq, që studion Marrëdhënie Ndërkombëtare, thotë se Marrëveshja e Dejtonit është e paefektshme dhe pengon rimëkëmbjen e shtetit të tyre.
Nacionale përmes një interviste të shkurtër me të, në përvjetorin e Masakrës së Srebrenicës, sjell perspektiven e gjeneratës së re rreth zhvillimeve në Bosnjë dhe Hercegovinë - model i shtetësisë që u propozua edhe në Kosovë përmes Asociacionit të Komunave Serbe, të paktën sipas disa liderëve politikë kosovarë.
Nacionale:
A konsideroni se Marrëveshja e Dejtonit është garanci se nuk do të ketë luftë përsëri në Bosnjë dhe Hercegovinë?
Jasmina Ejubovic:
Unë definitivisht nuk e konsideroj Marrëveshjen e Dejtonit një garanci për paqen dhe bashkëjetesën në Bosnje dhe Hercegovinë. Dejtoni është një kompromis i kompozuar keq që arriti të ndalojë zjarrin, jo shumë kohë më parë, më 1995, dhe të ngrijë situatën për një kohë të shkurtër, por është qartësisht i paefektshëm dhe pengon rimëkëmbjen e vendit tonë pothuajse tridhjetë vjet më vonë. Nuk e dimë se çfarë do të na sjellë e ardhmja, por fatkeqësisht nuk mund t'i jap një prognozë pozitive një forme të brishtë marrëveshjeje politike si Dejtoni.
Nacionale:
Nëse një konflikt eventual do të ndodhte në të ardhmen, a besoni se boshnjakët janë të sigurt dhe një “Srebrenicë” tjetër është e pamundur?
Jasmina Ejubovic:
Nuk do të kisha guxim të thosha se sa të sigurt jemi nga një “Srebrenicë” e re dhe episode të ngjashme, fatkeqësisht ky rrezik nuk fle në asnjë moment, sidomos nga ata që ende mohojnë krime që, e rëndësishme të përmendim, nuk janë të diskutueshme dhe teori e thatë - por fakte dhe aksioma. Megjithatë, duhet theksuar se situata nuk është përafërsisht e njëjtë si në vitet nëntëdhjetë, boshnjakët tani kanë vendin e tyre, gjuhën, ushtrinë, identitetin e tyre dhe po punojnë fort që e vërteta të bëhet e njohur dhe të mos harrohet kurrë.
Nacionale:
Duket goxha e çuditshme si ka mundësi që Srebrenica ta kishte një kryetar serb, si ndodhi kjo dhe a kishte rëndësi nacionaliteti i tij?
Jasmina Ejubovic:
Fatkeqësisht, shumë faktorë çuan deri në zgjedhjen e serbit Mladen Grujçiq, kryetar të Srebrenicës, e një prej tyre është pa dyshim përçarja mes politikanëve boshnjakë dhe pamundësia për të formuar një parti të përbashkët pro-boshnjake. Është shumë e vështirë t'i përgjigjemi pyetjes nëse kombësia e kryetarit është e rëndësishme në këtë rast. S’do të thosha se ka rëndësi nëse do të kishim një kandidat të kombësisë serbe që nuk e mohon gjenocidin dhe nuk ndjek një politikë të dëmshme pas Srebrenicës. Fatkeqësisht, ky nuk është rasti me Grujçiqin. Përveç mohimit publikisht të gjenocidit në të kaluarën dhe retorikës nxitëse të gjuhës së urrejtjes, ai në disa raste mori pjesë në diskriminimin kundër popullsisë boshnjake në Srebrenicë.
Nacionale:
Për të arritur një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, një “Republikë Serbe” brenda Kosovës, goxha e ngjashme si në Bosnjë dhe Hercegovinë është propozuar. Nga perspektiva juaj, a është Republika Serbe destruktive brenda Bosnjës?
Jasmina Ejubovic:
Para së gjithash, mendoj se është shumë e gabuar dhe madje katastrofale të krahasohet rasti i Kosovës me Republikën Srpska, siç kanë bërë disa në publik për të arritur qëllimet e tyre politike. Republika Srpska u themelua mbi krime të tmerrshme dhe si e tillë nuk ka të ardhme. Gjendja e saj ekonomike, sociale dhe politike, flet shumë për kapacitetet dhe mundësitë e saj për t'u ndarë dhe madje për të mbijetuar si një entitet brenda Bosnjës dhe Hercegovinës.
Rrjedha ditore e ngjarjeve që çuan deri te gjenocidi më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
6 korrik 1995 — Forcat serbe filluan sulmin në Srebrenicë, vend që ishte nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara. Helmetat blu përbëheshin nga vetëm 450 ushtarë. Ndërkohë që ushtria boshnjake shumicën e armëve i kishte dorëzuar tek Kombet e Bashkuara, si përmbushje e marrëveshjes së 1993-tës për demilitarizim. Kërkesa për rikthimin e armëve u refuzua nga Kombet e Bashkuara duke thënë se është përgjegjësi e tyre për t’i mbrojtur qytetarët. Batalioni holandez në Srebrenicë kërkoi ndihmë ajrore nga NATO pasi filluan luftimet e para, por kjo ndihmë nuk erdhi kurrë.
7 korrik 1995 — Diplomati i Bashkimit Evropian që u dërgua në Ballkan, Carld Bildt, u takua me presidentin e Jugosllavisë, Slobodan Millosheviq, dhe gjeneralin serb Ratko Mlladiq në Beograd, derisa vetë Bildt i bënte thirrje palës boshnjake të mos luftohet, por të gjendet një zgjidhje politike.
8 korrik 1995 — Forcat serbo avancojnë në territorin e Srebrenicës, derisa holandezët edhe një herë kërkojnë ndihmë ajrore nga NATO, por ajo përsëri refuzohet, me arsyetimin se besohej që forcat serbe s’kishin për qëllim të bënin atë që bënë.
9 korrik 1995 — Vetëm 1 kilometër larg qytetit, forcat serbe marrin dritën e gjelbër nga Radovan Karadzic për të hyrë në Srebrenicë me qëllim të demilitarizimit të qytetit.
10 korrik 1995 — Derisa serbët po bënin të futeshin në Srebrenicë, aeroplanët e NATO-s po fluturonin mbi hapësirë aty ku luftime po zhvilloheshin luftime, e kjo detyroi serbët të ndalin sulmet. Por, aeroplanët e NATO-s u larguan, dhe serbët vazhduan tutje ditën e ardhshme. Pleqtë, gratë dhe fëmijët evakuohen në bazën e Kombeve të Bashkuara, derisa burrat synojnë të largohen në një qytet tjetër, 130 kilometra larg nga Srebrenica, qytet ky që kontrollohet nga ushtria boshnjake.
11 korrik 1995 — Keqkomunikimi vonoi sulmet e NATO-s për rreth 3 orë, e më vonë aeroplanët e NATO-s lëshojnë dy bomba, duke thënë se janë të paaftë të targetojnë caqet serbe. Forcat serbe futen në Srebrenicë.
12 korrik 1995 — Forcat serbe hyjnë në qytetin Potocari, burrat ndahen nga gratë dhe pleqtë dhe dërgohen në kampe koncentrimi. Ekzekutimi i qindra burrave fillon dhe shumë gra raportohen të dhunuara.
13 korrik 1995 — Ekzekutimet vazhdojnë gjatë ditës derisa asnjë burrë mysliman në Srebenicë nuk mbetet i gjallë.
14 korrik 1995 — Derisa ekzekutimet në masë fillojnë, mediat ndërkombëtare fillojnë raportimet rreth ngjarjes. Ndërkohë që Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara të painformuar rreth zhvillimeve takohen për të diskutuar rreth zhvillimeve. Nuk përmenden vrasjet.
15 korrik 1995 — Edhe më shumë boshnjakë ekzekutohen, por Carl Bildt ende është i painformuar rreth situatës dhe nuk përmend asgjë në takim me Millosheviqin dhe Mlladiqin.
Gjenocidi vazhdoi gjatë datave 16, 17, 18 dhe 19 korrikut, duke lënë më shumë se 8 mijë veta të vrarë dhe numër të panjohur deri tash të grave të dhunuara.
