Afera 15-milionëshe me tenderin naftës, Prokuroria interviston përfaqësuesit e “IP Petrol” dhe AQP-së
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndërmarr veprimet konkrete për aferën 15-milionëshe me naftë.
Pas hulumtimit të gazetarit Berat Buzhala lidhur me tenderin për furnizim të veturave shtetërore me naftë, i cili është ftuar nga “IP Petrol”, prokurua ka nisur hetimet.
Gazeta Nacionale ka mësuar se prokuroria tashmë ka intervistuar palët e përfshira në rast.
Burimet e gazetës brenda prokurorisë kanë bërë me dije se prokuroria ka intervistuar përgjegjësin e kompanisë “IP Petrol”, që e ka fituar tenderin, dhe zyrtarët e Agjencia Qendrore e Prokurimit, e cila e ka dhënë këtë tender.
Në fillim të javës, gazeta ka prezantuar gjetjet e eksperti i OSHP-së për këtë tender.
Në raportin e ekspertit tregohet se “British Petroleum” nuk e njeh dokumentin e prezantuar nga “IP Petrol”, prandaj kërkohet anulimi i tenderit 15 milionësh.
Eksperti shqyrtues në Organin Shqyrtues të Prokurimit, Bujar Kuçi, e ka vlerësuar të bazuar ankesën e Petrol Company dhe ka rekomanduar anulimin e njoftimit për dhënie të tenderit.
Ai ka kërkuar që çështja të kthehet në rivlerësim, pas përgjigjes së British Petroleum lidhur me një dokument të dorëzuar nga IP-KOS, vërtetësia apo origjinaliteti i të cilit është thellësisht i kontestuar.
Ndonëse raporti i ekspertit të OSHP-së, që e ka parë Nacionale, ende s’përbën vendim përfundimtar, ai është rekomandim profesional që duhet të shqyrtohet nga paneli përkatës.
Qeveria e Kosovës e kishte pezulluar tenderin 15 milionësh për furnizim të veturave shtetërore me naftë vetëm pak ditë pasi gazetari Berat Buzhala kishte publikuar hulumtimin, i cili dëshmonte dallaveret e kompanisë “IP Petrol” për të fituar këtë tender.
Hulumtimi i gazetarit Buzhala konfirmonte se kompania “IP Petrol” e kishte fituar këtë tender duke e falsifikuar një dokument me të cilin pretendonte se kishte marrëveshje me kompaninë britanike “British Petrol”.
Në tenderin e shpallur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit kërkoheshin disa kushte specifike.
Një prej kushteve që e ka paraqitur vetë AQP-ja për pjesëmarrësit, përveç të tjerave, ka qenë që kompanitë që garojnë në tender për furnizimin me karburante të veturave publike të kenë marrëveshje edhe me një rafineri apo prodhues.
Për të plotësuar këtë kusht, tregon hulumti, kompania “IP Petrol” kishte falsifikuar dokumentin përmes të cilit pretendohet se ka marrëveshje për furnizim me naftë me kompaninë britanike “British Petrol”.
Dokumenti i prezantuar ka rezultuar se nuk është fare i BP-së, ngase personi që e ka nënshkruar, Brian Puffer, nuk ka qenë punëtor i kompanisë britanike.