"Skllav i Vuçiqit", "Thyes i embargos ndaj Millosheviçit" - Gjenocidi në Srebrenicë përplasë Edi Ramën e Sali Berishën
Përplasjet mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe ish-kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishës gjithmonë bëhen virale.
Një e tillë ngjau edhe këtë të enjte, ndonëse nga distanca e përmes rrjeteve sociale, dhe jo përmes foltoreve, siç ndodh zakonisht.
Rama e Berisha u përplasën për çështjen e gjenocidit ndaj boshnjakëve në Srebrenicë, pasi që Kuvendi i Shqipërisë refuzoi miratimin e rezolutës që njihte këtë krim të rëndë.
51 deputetë të Partisë Socialiste, që drejtohet nga Rama, votuan kundër, mjaftueshëm që rezoluta të mos miratohej.
Ashtu siç edhe pritej, i menjëhershëm qe reagimi i Berishës.
Ky i fundit kritikoi ashpër ata që votuan, duke etiketuar kryeministrin Rama si anti-shqiptari më i madh ndonjëherë.
“Shqipëria anti shqiptar të tillë si Edi Ramën nuk ka pasur kurrë. Ju shkelmuat mbi gjakun e 8 mijë burrave dhe fëmijëve te pafajshëm të Bosnjes. Votuat duke shkelmuar mbi jetën e mbi 100 mijë shqiptarëve në Kosovë. Po çfarë mund të presësh nga një trafikant, eskortë trafikantësh", tha ndër të tjerash ai.
Tutje, nuk ngurroi ta etiketojë Ramën edhe si skllav të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndërsa i pyeti deputetët që votuan kundër kësaj rezolute, se si mund të “sillen si kope”.
"Ç’mund të presësh nga skllavi i Aleksandër Vuçiç? Si mund të silleni si kope? Si mund të bëni ju shqiptarë një votim të tillë. Berisha publikisht në Shqipëri dhe OKB ka qenë kundër embargos që penalizonte Kosovën”, ka thënë Berisha.
Ndërkaq, Rama nuk ngurroi të përgjigjej. Njëjtë si Berisha, edhe ai reagoi përmes rrjetit social "Twitter".
Në një cicërimë, i pari i ekzekutivit shqiptar tha se ata që po hidhen përpjetë, fillimisht duhet ta kuptojnë se ajo nuk ishte rezolutë, por një lojë e ulët.
"Ata që hidhen përpjetë për gjoja dështimin e një rezolute mbi Srebrenicën në parlamentin shqiptar, si fillim duhet të pyesin po ç'ne kjo rezolutë sot,pse,me ç'rast?Pastaj duhet të informohen mbi tekstin në fjalë dhe në fund duhet ta mësojnë se ajo s'ishte rezolutë po lojë e ulët!".
Ndërkaq, pastaj e ktheu në personale me Berishën, duke ia kujtuar këtij të fundit çështjen e embargos, e më pas duke e cilësuar si thyes të bllokadës së naftës për shtetin serb gjatë viteve 90-të.
"Lojë e ulët e një të shpalluri nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracise, që njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe që kapet deri edhe pas kockave të viktimave të kasapit të Beogradit, për t'u ringjallur nga varri i tij politik!", vazhdoi Rama.
Në fund, njeriu që po drejton vendin për mandatin e tretë tha se Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë.
"Keqardhje për ata që pa e pasur idenë fare të kësaj loje të ulët, ndjehet gabimisht të lënduar dhe neveri për ata që i shkojnë pas avazit të një të damkosuri si katran me bojë, po Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë!"
Por, Rama duket të mos jetë mjaftuar me vetëm një reagim. Para pak çastesh, shkroi sërish, duke mohuar kategorikisht faktin se sot Parlamenti rrëzoi rezolutën për Srebrenicën.
"Edhe një fakt për t'u nënvizuar: Parlamenti sot nuk ka rrëzuar asnjë rezolutë për Srebrenicën, po thjesht ka refuzuar të fusë në procedurën trejavore parlamentare një dokument të ardhur nga Katrani, siç do të bëjë me çdo letër që do të ketë bojën e tij!"
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që ata përplasen me njëri-tjetrin duke hedhur akuza të tilla, pra me atë se kush është më afër Beogradit.
Mosvotimi i rezolutës ka ngjallur shumë reagime edhe në Kosovë.