Intervistë | Shasha: Është gabim që BE-ja ta trajtojë Kosovën sikur Katarin dhe Kuvajtin për liberalizim të vizave - NACIONALE

Intervistë | Shasha: Është gabim që BE-ja ta trajtojë Kosovën sikur Katarin dhe Kuvajtin për liberalizim të vizave

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Drejtori ekzekutiv i institutit EPIK, Demush Shasha, ka bërë me dije se ende nuk dihet nëse Kosovës i është vendosur ndonjë kusht tjetër për liberalizim të vizave.

Ai ka thënë se është herët të flitet se në çfarë konteksti është ndërlidhur tema e ETIAS-it me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, Shasha ka thënë se ajo çfarë potencialisht mund të ndodhë është që BE-ja të insistojë në respektimin e precedentit të krijuar me rastin e negociatave për liberalizimin e vizave me Katarin dhe Kuvajtin, ku BE-ja ka kërkuar që liberalizimi për këto dy vendet të ndodhë pas funksionalizimit të sistemit ETIAS.

Ai ka thënë se vendosja e këtij kushti për Katarin dhe Kuvajtin ka krijuar një mjedis politik ku trajtimi ndryshe i Kosovës nga këto dy vende mund të nxisë pakënaqësi të këtyre dy shteteve që kanë rëndësi të veçantë gjeopolitike në Lindjen e Mesme.

Shasha ka vlerësuar se është e padrejtë nga ana e BE-së që precedentin e Katarit dhe Kuvajtit ta përdorë edhe në raport me Kosovën.

Sipas tij, në rastin e Katarit dhe Kuvajtit ka kuptim ndërlidhja e liberalizimit të vizave me ETIAS-in, ndërsa në rastin e Kosovës nuk ekziston një kontekst i tillë i sigurisë.

Nacionale: Z. Shasha, takimi i parë i Grupit Punues për Viza nuk u prit mirë në Kosovë. Duke u thirrur në burme të ndryshme diplomatike, mediet raportuan për një "kushtëzim të procesit nga Franca". Si e keni parë ju këtë takim?
Shasha: Konsideroj se është lajm shumë i mirë që ka filluar diskutimi i liberalizimit të vizave brenda Këshillit të BE-së. Ky është indikacion se ka vullnet politik për liberalizimin e vizave për Kosovën. Asnjëherë më parë nuk kemi mbërritur kaq larg brenda procesit vendimmarrës të BE-së. Është lajm edhe më i mirë që të enjten vendet anëtare e paskan “mbështetur” dhe “mirëpritur” gjerësisht liberalizimin e vizave për Kosovën. Pra asnjë vend nuk ka qenë kundër. Në këtë sfond, kemi çdo arsye për të qenë optimistë.
Tani, në anën tjetër, po ashtu kuptojmë joformalisht që janë ngritur së paku dy çështje gjatë takimit: e para është sinkronizimi i liberalizimit të vizave me funksionalizimin e sistemit ETIAS dhe e dyta, përafrimi i plotë i regjimit të vizave të Kosovës me regjim të vizave të BE-së. Tash duhet të presim më shumë informata për të kuptuar se si më saktë këto dy gjëra ndikojnë në procesin e liberalizimit të vizave të Kosovës, pasi ky ishte vetëm takimi i parë dhe gjatë javëve në vijim do të zhvillohen diskutime të tjera, gjatë të cilëve këto gjëra mund të adresohen dhe të sqarohen duke siguruar kështu pajtimin në mes të gjitha palëve. Pra, më pak fjalë, duhet të jemi të durueshëm edhe pak për t'i lënë ekspertët që t'i zhvillojnë diskutimet e nevojshme, që janë krejtësisht normale në kuadër të funksionimit të institucioneve të BE-së.

Nacionale: "Kushtëzimi" kishte të bënte me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë (ETIAS), të cilin nuk e aplikojnë ende anëtarët e BE-së. Sa shqetësuese është një gjë e tillë?
Shasha: Është ende herët për ta komentuar këtë çështje, pasi nuk po kuptojmë çfarë më saktësisht është diskutuar brenda Grupit për Vizat të Këshillit të BE-së dhe në çfarë konteksti është ndërlidhur tema e ETIAS-it me liberalizimin e vizave për Kosovën. Sa i përket ETIAS-it, ky është një sistem i ri elektronik, i cili është propozuar nga ana e Komisionit Evropian në vitin 2016 me qëllim të avancimit të kontrolleve të sigurisë ndaj qytetarëve të 58 shteteve që e gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në Zonën Shengen. Pas propozimit të KE-së, Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian e kanë miratuar Rregulloren e BE-së numër 2018/1240 për funksionalizimin e ETIAS-it. Sipas rregullores, çdo qytetar i vendit, i cili përfiton nga liberalizimi i vizave me BE-në, do të jetë i obliguar nga nëntori i vitit 2023 të pajiset me “autorizim elektronik udhëtimi” para udhëtimit në Zonën Shengen. Procesi i pajisjes me “autorizim elektronik udhëtimi” do të jetë fare i thjeshtë përmes një faqeje të dedikuar të internetit të ETIAS-it dhe aplikacionit respektiv. E gjithë procedura e aplikimit nuk do të konsumojë më shumë se 10 minuta dhe, në 95% të rasteve, qytetarët do ta pranojnë “autorizimin elektronik të udhëtimit” brenda pak minutave. Autorizimi do të vlejë për një periudhë trevjeçare.

Tani, në gjithë këtë mes, është e paqartë se cili është “kushtëzimi” mes procedurës vendimmarrëse të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe hyrjes në fuqi të ETIAS-it, pasi këto janë procese totalisht të ndara dhe për më tutje i gjithë procesi i funksionalizimit të ETIAS-it është kompetencë ekskluzive e BE-së. Kosova, sikur 58 shtete të tjera në botë, nuk kanë asnjë përgjegjësi lidhur me këtë.

Nacionale: A mund të bëhet kjo çështje një kusht i ri për Kosovën në këtë proces?
Shasha: Ajo çfarë potencialisht mund të ndodhë është që BE-ja të insistojë në respektimin e precedentit të fundit, të krijuar me rastin e negociatave të BE-së për liberalizimin e vizave me Katarin dhe Kuvajtin. Pra, në prill të këtij viti, Komisioni Evropian e ka propozuar liberalizimin e vizave për Katarin dhe Kuvajtin. Në kuadër të këtyre negociatave, në qershor të vitit 2022, Këshilli i BE-së ka kërkuar që liberalizimi për këto dy vende të ndodhë pas funksionalizimit të sistemit ETIAS. Pra, në këtë sens mund të përdoret ky zhvillim i fundit në rastin e liberalizimit të vizave për Katarin dhe Kuvajtin si precedent edhe në rastin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe të kërkohet e njëjta qasje edhe për Kosovën, respektivisht që qytetarët e Kosovës ta fillojnë lëvizjen e lirshme në Zonën Shengen vetëm pas funksionalizimit të ETIAS-it. Pra ky zhvillim i fundit, që ka ndodhur në vitin 2022, respektivisht vendosja e këtij kushti Katarit dhe Kuvajtit ka krijuar një mjedis politik ku trajtimi ndryshe i Kosovës nga Katari dhe Kuvajti mund të nxisë pakënaqësi te këto dy vende që kanë rëndësi të veçantë gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Pra, thënë ndryshe, ato mund ta konsiderojnë veten të diskriminuara, nëse atyre u është vendosur një kusht që nuk po u vendoset vendeve të tjera. Dhe e gjithë kjo e vendos BE-në në një pozitë të palakmueshme, në veçanti në një sfond gjeopolitik, kur ajo është duke tentuar t’i avancojë marrëdhëniet me Katarin, i cili e furnizon BE-në me gjysmën e gazit të lëngshëm natyror dhe është furnizuesi i pestë më i madh i gazit natyror për BE-në. Tani, në sfondin e mungesës së gazit në Evropë, të shkaktuar nga pushtimi i paprovokuar rus, kuptoni se si kjo marrëdhënie është jashtëzakonisht e rëndësishme për BE-në. Pra, siç shihet, është një situatë që kërkon trajtim delikat diplomatik – jo për fajin tonë, por për fajin e rrethanave që janë jashtë kontrollit tonë.

Sidoqoftë, duhet thënë që nëse është ky argumenti i ngritur, atëherë konsideroj se kjo do të ishte e gabueshme për dy arsye. Arsyeja e parë është parimore, e dyta praktike. E para, institucionet e BE-së i zhvillojnë negociatat për liberalizimin e vizave në format e ndryshme me shtetet e ndryshme. Ndryshe është zhvilluar procesi negociator me Katarin, ndryshe me Perunë dhe krejtësisht ndryshe me Kosovën. Pra nuk ka një precedent, pasi secili proces negociator zhvillohet përmes një procesi të veçantë negociator i cili ka karakteristika të ndryshme. Pra Katari dhe Kuvajti (apo Peruja) nuk kanë kaluar nëpër të njëjtin proces negociator sikur Kosova (dhe vende të tjera të Ballkanit). Ato nuk janë ngarkuar me udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe nuk e kanë pasur për obligim zbatimin e 95 kritereve. Ato as nuk kanë marrëdhënie politike me BE-në të llojit që i kemi ne. Prandaj, sot, kushtet që u vendosen Katarit dhe Kuvajtit, nuk mund përdoren si precedent për Kosovën, pasi është një proces tërësisht i ndryshëm politik dhe negociator në rastin e tyre. E dyta, këto rajone karakterizohen me sfida shumë më serioze të sigurisë. Pra duke qenë se Katari dhe Kuvajti janë në fqinjësi të vendeve fragjile, si Siria, Iraku, Libani dhe Jemeni, patjetër se kërkohet marrja e masave shtesë parandaluese për t'u siguruar se liberalizimi i vizave me këto vende nuk do të përbëjë kërcënim sigurie për qytetarët e BE-së. Prandaj, në këtë kontekst, ka sens që procesi i liberalizimit të vizave për Katarin dhe Kuvajtin të ndërlidhet me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS si një mekanizëm shtesë i garantimit të sigurisë së Zonës Shengen. Por ky aspekt i sigurisë është totalisht i ndryshëm në rastin e Kosovës. Pra Kosova dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor nuk mund të vendosen në të njëjtin rang të sigurisë sikur vendet e Lndjes së Mesme. Prandaj, edhe pse në rastin e Katarit dhe Kuvajtit ka sens ndërlidhja e liberalizimit të vizave me ETIAS-in, në rastin e Kosovës nuk ekziston një sens i tillë i sigurisë.

Dhe në fund fare, le të marrim për të mirëqenë se BE-ja thjesht dëshiron që tash e tutje ta respektojë këtë parim të saj dhe asnjë vendi në botë nuk do t'i liberalizohen vizat pa funksionalizimin e sistemit ETIAS. Dakord, edhe pse e padrejtë, nuk e shoh problematike. Atëherë, kisha insistuar vetëm që të zbatohet procedura e vendimmarrjes nën kushtin e njëjtë sikur në rastin e Katarit dhe Kuvajtit. Pra, të ezaurohet procedura vendimmarrëse dhe të përmbyllet çështja e liberalizimit të vizave. Pasi kemi pritur dhjetë vjet, mund të presim edhe pak muaj deri në funksionalizimin e ETIAS-it, por së paku procedura vendimmarrëse të mos bllokohet.

Nacionale: Sa mund të zgjasë diskutimi për këtë çështje në këtë nivel?
Shasha: Grupi Punues për Viza i Këshillit të BE-së është forum teknik i ekspertëve që vijnë nga ministritë e brendshme të 27 vendeve anëtare të BE-së dhe ky forum shërben për t'i përgatitur takimet e nivelit të ambasadorëve dhe të ministrave. Pra, puna e tyre është t'i diskutojnë të gjitha çështjet profesionale dhe teknike me qëllim të përgatitjes për vendimmarrje politike. Në këtë drejtim, është e pamundur të parashikojmë se sa do të zgjatë diskutimi brenda kësaj strukture, pasi ato nuk kufizohen nga ndonjë afat i veçantë, por nga nevoja e diskutimit shterues dhe profesional.

Nacionale: Nëse në këtë nivel nuk ka ndonjë pajtueshmëri, a mundet që niveli politik të arrijë një pajtueshmëri për këtë çështje?
Shasha: Teorikisht mundet, por do të ishte e pazakontë dhe unë nuk besoj se kjo do të ndodhë në rastin tonë. Unë besoj që, në këtë nivel, të gjitha vendet do ta arrijnë konsensusin e nevojshëm për avancimin e procesit vendimmarrës.

Nacionale: Meqenëse Kosova ka hyrë në një fazë të re të dialogut me Serbinë është rritur edhe shqetësimi se liberalizimi i vizave mund të kushtëzohet me progresin në dialogun e Brukselit. Sa është e mundshme një gjë e tillë?
Shasha: Përderisa në procesin e liberalizimit të vizave, dialogu për normalizimin të marrëdhënieve nuk është kusht formal, ai është patjetër faktor joformal që ndikon në kalkulusin politik të vendeve anëtarë të BE-së.

Nacionale: Nëse nuk kemi ndonjë kushtëzim të ri dhe gjithçka shkon sipas procedurave, kur do të mund të lëvizin kosovarët pa viza?
Shasha: Në mënyrë që Kosova të përfitojë nga liberalizimi i vizave, ligjërisht duhet ndryshuar ish-rregullorja 539/2001 apo sot rregullorja 2018/1806 e BE-së, e cila përcakton se cilat shtete mund të lëvizin pa viza në Zonën Shengen. Për të ndryshuar rregullorja, ajo duhet kaluar nëpër një proces joformal negocimi (trialogu) në mes Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së. Pas përfundimit të procesit joformal, rregullorja duhet miratuar formalisht në seancën plenare të Parlamentit Evropian dhe mbledhjen e rregullt të Këshillit të Bashkimit Evropian. Tani, në një skenar shumë optimist, kjo procedurë mund të përfundojë deri në fund të këtij viti. Sidoqoftë, unë mendoj se skenari më realist është pjesa e parë e vitit tjetër.

Lajme të ngjashme