Intervistë | Bugajski: Liberalizimi i vizave, thelbësor për marrëveshjen Kosovë-Serbi - NACIONALE

Intervistë | Bugajski: Liberalizimi i vizave, thelbësor për marrëveshjen Kosovë-Serbi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Politologu i njohur amerikan, Janusz Bugajski, ka kritikuar Bashkimin Evropian për qasje diskriminuese ndaj Kosovës.

Ai ka thënë se BE-ja po dëshmohet të jetë e paaftë në raport me liberalizimin e vizave për kosovarët.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Bugajski ka vlerësuar se nëse Brukseli dëshiron normalizim të raporteve mes serbëve dhe kosovarëve, atëherë të dy palët duhet t'i trajtojë në mënyrë të barabartë.

Sipas tij, liberalizimi i vizave për Kosovën është thelbësor për çdo progres në rajon dhe për një marrëveshje ndërshtetërore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Në këtë intervistë, analisti amerikan ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se krijimi i çdo organi administrativ me bazë etnike në këtë proces, do të ishte recetë për mosmarrëveshje.

Bugajski ka ftuar BE-në dhe ShBA-në të bëjnë kujdes me çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Nacionale:

Samiti i BE-së nuk i përmbushi pritjet e Kosovës për liberalizim të vizave. A po tregohet Evropa e padrejtë apo Kosova e paaftë?

Bugajski:

BE-ja po dëshmohet të jetë jo vetëm diskriminuese dhe e paaftë, por edhe vetë-shkatërruese. Nëse Brukseli dëshiron normalizim dypalësh mes serbëve dhe kosovarëve, siç pretendon, atëherë duhet t'i trajtojë të dyja palët në mënyrë të barabartë dhe normalisht, si qytetarë të Evropës. Përndryshe, njëra palë do të ndihet e viktimizuar dhe pala tjetër do të ndihet në një pozicion preferencial. Liberalizimi i vizave për Kosovën është thelbësor për çdo progres në rajon dhe për një marrëveshje ndërshtetërore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Nacionale:

Për herë të parë një kancelar gjerman vizitoi Kosovën. Ai dha mesazhe të qarta për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Cila ishte rëndësia e vizitës së Olaf Scholzit për të ardhmen e rajonit?

Bugajski:

Kancelari Scholz bëri një gjest të fortë simbolik, por nëse nuk pasohet me veprime konkrete, atëherë do të bëhet një fusnotë e vogël historike. Vendimi aktual i BE-së për të mos vazhduar me bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përçon një mesazh negativ për të gjithë rajonin. Për më tepër, bisedimet Kosovë-Serbi kanë ngecur dhe Berlini nuk duket se e ka në plan t'i shtyjë ato drejt përfundimit. Kosova është e gatshme t'i mbyllë bisedimet me njohje reciproke, por Serbia nuk do të jetë kurrë e gatshme pa presione dhe nxitje më intensive prej BE-së. Nganjëherë, duket se Gjermania i frikësohet Serbisë po aq sa i frikësohet Rusisë. Të gjithë e dinë se bisedimet janë bërë mbulesë për dështim.

Nacionale:

Kryeministri Kurti në maj vizitoi ShBA-të dhe u kritikua nga opozita për mungesë takimesh të rëndësishme me zyrtarë të lartë shtetërorë të administratës Biden. A mendoni se ka bazë për kritikë në këtë pikë?

Bugajski:

Fatkeqësisht, administrata Biden, pavarësisht premtimeve të hershme, nuk është mjaft e angazhuar në rajon dhe ndoshta nuk e kupton plotësisht se mund të ketë sërish konflikt nëse i lihet BE-së për ta menaxhuar. Kryeministri Kurti po luan me letrat që i janë dhënë dhe ka bërë përpjekje të forta për ta bërë Kosovën më të dukshme, më aktive dhe më të përfshirë ndërkombëtarisht. Megjithatë, pa një angazhim të plotë dhe një plan kohor nga Uashingtoni, për të nxitur njohjen e ndërsjellë me Serbinë, Prishtina me të drejtë do të ndihet e poshtëruar dhe ndonjëherë e lënë pas dore.

Nacionale:

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe po shihet temë kryesore në bisedimet Kosovë-Serbi. Cila duhet të jetë qasja e Kosovës ndaj kësaj çështje?

Bugajski:

Kosova duhet të fokusohet në decentralizim dhe vendimmarrje lokale, në mënyrë që të menaxhojë çështjet komunale. Për më tepër, vargu i grupeve të të drejtave kolektive etnike në gjuhë, arsim, kulturë, simbolikë, fe, e kështu me radhë është thelbësor për serbët dhe kombësitë e tjera. Megjithatë, krijimi i çdo organi administrativ me bazë etnike ose fetare do të ishte recetë për mosmarrëveshje, konflikte dhe manipulime të huaja. BE-ja dhe SHBA-ja do të tregoheshin të marrë në rast se do të vendosnin një tjetër bombë me sahat në rajon, pas gabimit që bënë duke krijuar entitete me bazë etnike në Bosnje dhe Hercegovinë.

Lajme të ngjashme